Alban Hyseni: Gjilani do jetë si laborator idesh, i inovacionit, i kulturës e transparencës

Intervista

Alban Hyseni: Gjilani do jetë si laborator idesh, i inovacionit, i kulturës e transparencës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 nëntor 2021 Në ora: 19:42
Alban Hyseni, Lutfi Haziri

Më 14 nëntor qytetarët e Kosovës do tu drejtohen edhe një herë kutive të votimit për zgjedhjet lokale, raundin e dytë.

Në një intervistë, për “Bota sot”, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni ka shpalosur programin e tij për Gjilanin.

Ai ka thënë se, nga këto zgjedhje pret që të jetë fitues, sepse qytetarët do të vendosin për këtë duke e ditur se prin ndaj kundërkandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit.

Tutje, Hyseni është shprehur se parimi kryesor është transparenca e rregullësia në punë, sepse nëpërmjet tyre, idetë e programit që i kanë prezantuar, do të jetë më e lehtë t’i çojnë deri në fund.

Sa i përket koalicioneve, ai shprehet se nuk kanë bërë koalicion me asnjë parti, duke shtuar se koalicionin e vetëm e kanë me qytetarët.

Derisa për rënien në këto zgjedhje krahasuar me zgjedhjet nacionale, ai ka deklaruar se një krahasim i tilllë nuk bëhet për shkak se dinamikat e zgjedhjeve janë të ndryshme.

“Bota sot”: Keni diferencë të ngushtë me kandidatin e LDK-së Lutfi Hazirin, njëherit kryetar i Gjilanit, sa janë gjasat që ju ta fitoni këtë garë në balotazh?

Alban Hyseni: Kjo garë duhej të ishte mbyllur që në raundin e parë, pa balotazh. Jo më kot e kam thënë këtë dhe publikisht në prezencat televizive që i kam patur. Përkrahja dhe mbështetja që e kemi marr dhe po e marrim nga qytetarët është masive, por dinamika të ndryshme bënë që ne të dalim të parët e jo të fitonim pa balotazh. Tashmë, ne jemi dukshëm fitues të këtyre zgjedhjeve.

“Bota sot”: A e keni garën më të vështirë për Gjilanin për shkak se kundërkandidati juaj, Haziri është kryetar aktual i Gjilanit?

Alban Hyseni: Faktorë të ndryshëm e kanë bërë garën të vështirë që në fillim, ama jo të pamundur. Prandaj ne kemi shkuar përtej parashikimeve, sepse brenda vetes, gjithmonë e kemi ditur se me punë shumë e përkushtim, ia dalim ta sjellim ndryshimin edhe në Gjilan. Fakti që është kryetar aktual i Gjilanit, e bën të përdorë metoda të mënyrës së vjetër të të bërit politikë e fushatë, si psh shtrimi i rrugëve në kohë fushate, që nuk është e nuk do të jetë asnjëherë modeli jonë. Ne, jemi për një politikë e model tjetër.

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet të votojnë për ju, çka i ofroni ju më shumë, projekte apo ...?

Alban Hyseni: Ne ofrojmë sigurinë e transparencën që i mungon Gjilanit. Projekte ka patur përherë në Gjilan, por ata nuk janë realizuar atëherë për shkak të manipulimeve e mungesës së qasjes së duhur për të kryer punët e përgjegjësitë që merren përsipër. Prandaj parimi jonë kryesor është transparenca e rregullësia në punë, sepse nëpërmjet tyre, idetë e programit që i kemi prezantuar, do jetë më e lehtë t’i çojmë deri në fund. Qytetarët votojnë për ndryshimin, qytetarët votojnë për të qenë pjesë e ndryshimeve që ndodhin në qytet. E kjo ndodh vetëm duke lënë pas të vjetrën e përkrahur të renë, kjo ndodh me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

“Bota sot”: Votat e mërgimtarëve si duket ju ndihmuan që ju të dilnit i pari në raundin e parë, çfarë do të thotë kjo për juve?

Alban Hyseni: Lëvizja përherë ka marrë përkrahje nga mërgata. Mërgata voton për programe e projekte që sheh se sjellin zhvillimin e vendit. Ndihem i përulur e mirënjohës, që programin dhe idetë që i kemi prezantuar në Gjilan, kanë marrë në masë mbështetjen e mërgimtarëve dhe që ata janë pjesë e ndryshimeve që do i sjellim në Gjilan.

“Bota sot”: A keni shpresa, besim se edhe këtë raund që ato të jeni përcaktuese?

Alban Hyseni: Të gjithë janë përcaktues të rezultatit këtë raund. Të gjithë e përcaktojmë së bashku ndryshimin e zgjedhim atë që mendojmë se drejtohet kah e mbara.

“Bota sot”: A keni bërë ndonjë koalicion, dhe a ka kohë ende për këtë, apo koalicion në ‘heshtje’?

Alban Hyseni: Ne kemi qenë dhe jemi ata që nuk kemi bërë asnjë lloj koalicioni, që e kemi thënë që në fillim se nuk do bëjmë koalicione, e ne jemi të qëndrueshëm në vendimet e qëndrimet që i mbajmë. Ndërsa pala tjetër ka reklamuar koalicionin me qytetarët e s’ka lënë parti politike pa kontaktuar e bërë koalicion, ne jemi realisht ato që e kemi koalicionin me qytetarët e ecim përpara vetëm me përkrahjen e tyre, pa pazare politike.

“Bota sot”: Pse mendoni se VV-ja patë rënie në vota krahasuar me zgjedhjet nacionale, një rënie madhe ishte?

Alban Hyseni: Duhet të kuptojmë që dinamikat e zgjedhjeve lokale dhe nacionale janë të ndryshme. Krahasimi më i drejtë do ishte mes rezultatit të Lëvizjes në zgjedhjet lokale të 2017 dhe atyre të 2021. Ne kemi rritje të konsiderueshme, e vazhdojmë të jemi në balotazh në 12 komuna, përfshirë komunat më të mëdha të vendit. Përtej kësaj, është edhe një detaj që anashkalohet, nëse do të bëhet një krahasim që nuk qëndron mes zgjedhjeve lokale e atyre nacionale: Lëvizja prin akoma si parti politike, dhe subjekti më i votuar, edhe pse ripërsëris, dinamikat e zgjedhjeve janë të ndryshme.

“Bota sot”: Cilat janë dobësitë e kundërshtarit tuaj, e që besoni se ju japin përparësi?

Alban Hyseni: Nuk dua të flas për kundërshtarin në nivel personal se nuk është etike e nuk dua të kem një sjellje të ulët siç e ka ai kundrejt meje. Kritikat që i rezervoj për të kanë të bëjnë me qeverisjen që ai e ka patur në Gjilan e vendimet politike që i ka ndërmarr ndër vite. Këtu flas për decentralizimin, për projektet si stadiumi, autostrada, për një qytet që e ka lënë pa infrastrukturë, ujë të pijshëm, sinjalistikë, me probleme të shumta në arsim e shëndetësi, pa transparencë e përkrahje në subvencione për bujqit, fermerët, bizneset e mesme e të vogla. Këto janë disa nga shumë prej problemeve që ne i kemi identifikuar, e punët që nuk janë kryer nga e shkuara, do i çojmë në fund e me sukses me modelin e ri dhe qeverisjen që do e sjellim në Gjilan.

“Bota sot”: Nëse arrini të jeni kryetar i Gjilanit, si do të jetë qeverisja juaj atje?

Alban Hyseni: Do e përkufizoj me disa fjale kyçe: transparencë e ide të reja, kurajo, vullnet e guxim për të shtyrë procese që kanë ngecur me kohë e për të ngritur procese që i mungojnë Gjilanit.

“Bota sot”: Cilat janë top prioritetet tuaja për programin qeverisës?

Alban Hyseni: Të gjitha projektet kanë prioritet. Nga Zona Ekonomike, qasja ndaj bujqeve e fermerëve, infrastruktura, shëndetësia e kështu me rradhë. Por nëse më duhet të zgjedh mes atyre që janë më urgjente, dihet që nuk është normale të flasim akoma tani për mungesa të ujit të pijes e nevoja të tjera bazike kudo nëpër fshatra e lagje. Andaj ata janë një ndër prioritetet kryesore. Nuk mund të lë pa përmendur, si një ish sportist, që ngritja dhe rikonstruktimi i terreneve sportive e ushtrimi i aktiveteve fizike që nga moshat e hershme është diçka që e kam përzemër. Pa harruar dhe përfundimin e projektit të Stadiumit të qytetit.

“Bota sot”: Si do të duket Gjilani në qeverisjen tuaj?

Alban Hyseni: Do të jetë Gjilani i funksionalizimit lokal përmes rregullimeve infrastrukturore e vëmendjes ndaj problematikeve në zonat e ndryshme në fshatra e lagje, do jetë Gjilani i zonës ekonomike dhe ndërlidhjes së ekonomisë me arsimin e rininë, do jetë Gjilani si laborator idesh të reja, Gjilani i inovacionit, Gjilani i kulturës se transparencës, Gjilani i një modeli të ri qeverisës.

“Bota sot”: A do të mund ta përshpejtoni ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan?

Alban Hyseni: Ne kemi bërë një skanim paraprak të gjendjes e kemi shtruar alternativa që mund të ndërmerren për të çuar drejt përfundimit këtë projekt tejet të rëndësishëm për Gjilanin. Me ardhjen tonë në krye të komunës, do kemi skanime të tjera të vazhdueshme, e bashkëpunim me nivelin qendror, me Ministrinë e Infrastrukturës, për të përfunduar autostradën.

“Bota sot”: Cili është mesazhi kyç për gjilanasit për të dielën, ditën e votimit?

Alban Hyseni: Bëhuni pjesë e ndryshimit. Le të marrim së bashku kontrollin e fateve të së ardhmes të qytetit të Gjilanit. Të dalim fitues e të ecim bindshëm përpara, për një të ardhme më të mirë. Gjilani ka nevojë për lidership të ri, zë të ri e udhëheqje të re. E lëmë pas të vjetrën e përqafojmë të renë, duke bashkëqeverisur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat