“AAK do të marrë goditjen e fuqishme”

Intervista

“AAK do të marrë goditjen e fuqishme”

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 12 nëntor 2021 Në ora: 21:29
Visar Korenica

Të dielën në Rahovec do të votohet për kryetarin e kësaj komune.

Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja, garojnë mes vete për të parin e këtij qyteti.

Visar Korenica gjendet përballë Smajl Latifit të AAK-së.

Korenica në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth këtij balotazhi dhe aktualiteti politik në vend.

Ai ka deklaruar se shtabi i LVV përbëhet nga të rinjët profesionistë dhe se gjithçka deri tani ka shkuar sipas planit, gjithashtu Korenica iu bënë thirrje edhe diasporës që të votojnë për ndryshim.

I pyetur për koalicion, Korenica ka potencuar se janë të vetmit që kanë koalicion me qytetarët, sepse i bashkon qëllimi për të ndalë korrupsionin.

Në rast se do të dal fitues, Korenica theksoi se i pret një mal i madh i punëve për ta kthyer komunën në kahjen e zhvillimit.

Më tej ka folur edhe për rritjen e VV në Rahovec, me ç’rast ai deklaroi se nevoja për ndryshim dhe për qeverisje me duar të pastra dhe njerëz të pakorruptuar, janë disa nga arsyet se pse është rritur LVV-ja në Rahovec, dhe se sipas tij, pasrtërtia e LVV përputhet me pastërtinë dhe sinqeritetin e qytetarëve, andaj tha se së bashku do të vazhdojmë dhe do të shënojmë fitore.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Sa jeni përgatitur për fushatën kur kanë mbetur edhe pak ditë nga procesi i balotazhit?

Visar Korenica: Shtabi i Lëvizjes Vetëvendosje përbëhet nga të rinj e të reja profesionistë ku gjithçka deri tash ka shkuar sipas planit dhe sipas përgatitjeve që i kemi bërë. I jam falënderues shtabit të Lëvizjes Vetëvendosje në Rahovec për punën e palodhshme që kanë bërë për të arritur ndryshimin e shumëkërkuar nga qytetarët e komunës së Rahovecit.

“Bota sot”: Çfarë rezultate prisni në këto zgjedhje? A mendoni se do të dilni fitues?

Image
Visar Korenica

Visar Korenica: Nuk kam dyshime se do të dalim fitues bashkë me qytetarët e komunës së Rahovecit, shumica e cila votoi për ndryshim në raundin e parë dhe që sërish do ta konfirmojë vullnetin për ndryshim në komunën e Rahovecit. Gjithsesi mendoj se diferenca do të jetë e ngushtë dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të komunës së Rahovecit, banorëve të Rahovecit që punojnë në qytete tjera dhe ata që mund të vijnë nga diaspora – që më 14 nëntor të votojnë për ndryshim, të votojnë për të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, dhe t’i besojnë programit të Lëvizjes Vetëvendosje që konsiston nga vlerat e pastra demokratike për një Bashkë Qeverisje me Qeverinë dhe kryeministrin Kurti në krah.

“Bota sot”: A do të bëni koalicion me ndonjërën nga partitë?

Visar Korenica: Kam dëgjuar AAK-në teksa thotë se ka koalicion me qytetarët, teksa në anën tjetër vazhdimisht ka flirtuar e shantazhuar eksponentë të PDK-së dhe partive tjera.

Subjekti i vetëm që ka koalicion me qytetarët jemi ne. Me qytetarë të të gjitha partive pa dallim, sepse na bashkon qëllimi i pastër për të ndalur diskriminimin, për të ndalur korrupsionin dhe për t’i dhënë kahje të zhvillimit komunës së Rahovecit, një prej komunave më të lëna pas dore në Kosovë. Pra, pres përkrahje nga qytetarët e të gjitha partive politike, nga antarë të gjitha subjekteve politike që punuan për ndryshim gjithë këto vitet e fundit. Ne jemi bashkë në këtë dhe zgjedhja është e qartë e fuqishëm besoj në përkrahjen e tëë gjithë qytetarëve të komunës së Rahovecit pa dallim.

Koalicionet nuk i shohim si ndarje të tallit. Edhe pse tani nuk kemi koalicione zyrtarisht, përpos koalicionit me qytetarët për kauzën e përbashkët për ndryshim, jam i vendosur që të bashkëqeveris me të gjitha partitë politike dhe t’i jap fund qeverisjes autokratike që ka ndjekur Smajl Latifi duke vënë gjjithë pushtetin në shërbim të militantëve të partisë, miqve dhe pasurimit të xhepave të shefave të tij.

“Bota sot”: A ka qenë i pritshëm rezultati i zgjedhjeve të 17 nëntorit?

Visar Korenica: Rezultati flet për një dëshirë për ndryshimi nga shumica e qytetarëve të komunës së Rahovecit. Kemi përkrahje të fuqishmë në rrethin e dytë dhe jam i bindur se do të triumfojnë qytetarët e ndershëm e puntorë që duan t’i japin kahje të zhvillimit komunës së Rahovecit duke i besuar bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti.

“Bota sot”: Në rast se zgjedheni fitues, cila është pika e parë në të cilën do të fokusoheni për ndryshim?

Visar Korenica: Na pret një mal i madh i punëve për t’u ngjitur në mënyrë që të kthejmë komunën e Rahovecit në kahjen e zhvillimit. Fillimisht do të ndërtojmë qeverisjen me partitë tjera, ku do ta kenë mundësinë e përfaqësimit. Dua të ndërtoj qeverisje gjithëpërfshirëse. Ndër hapat e parë do të jetë pa dyshim subvencionimi i bizneseve të prekura nga pandemia, për të cilat askush nuk është interesuar pasi pikërisht këto biznese punësojnë qytetarët e komunës së Rahovecit. U jam mirënjohëse të gjitha ndërmarrjeve dhe subjekteve biznesore që përkundër pandemisë nuk larguan nga puna puntorët të cilët mbajnë familjet e tyre. Dhe ndër hapat e parë do të jetë ky, për të vazhduar me hapat tjerë të mëdhenj sipas programit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bota sot”: Po prioritetet e tjera tuajat si VV cilat janë?

Visar Korenica: Në programin tonë i kemi 10 projektet kapitale për komunën e Rahovecit, ku në krye të listës është Sheshi Qëndror i Qytetit të cilit do t’i japim prioritet të lartë dhe nuk do të lejojmë që më të shfrytëzohet populli me këtë ide për fushatë. Pra, ne do ta kryejmë sheshin, e ndër projektet kapitale janë edhe kryqëzimi dhe shkolla në Xërxë, stadiumi bashkë me investime tjera në Krushën e Madhe, si dhe sistemi i ujitjes së tokave bujqësore për të gjitha fshatrat. Për të gjitha detajet qytetarët mund të informohen në VjeshtaRahoveciane.com

“Bota sot”: Çka mendoni se ndikoi në rritjen e VV-së në Rahovec?

Visar Korenica: Banorët e komunës së Rahovecit janë të ndershëm e puntorë. Me djersën e tyre është luajtur tash e dy dekada. E sidomos nga Smajl Latifi në 7 vjet qeverisje. Nevoja për ndryshim, nevoja për qeverisje me duar të pastra, me njerëz të pakorruptueshëm që mendojnë për bugjetin e komunës më shumë se për xhepat e shefave të partisë, janë ndër arsyet pse është rritur Lëvizja Vetëvendosje.

E sinqeriteti dhe pastërtia e Lëvizjes dhe aktivistëve të saj, përputhet shumë me sinqeritetin e pastërtinë e qytetarëve të komunës së Rahovecit, andaj bashkë do të vazhdojmë përpara për të shënuar këtë fitore për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo fitore, ky ndryshim është për ta.

“Bota sot”: Si e komentoni qeverisjen deri tani në këtë komunë?

Visar Korenica: Ka qenë qeverisja që historikisht do të mbahet mend për diskriminim, shantazhet dhe shkelje të dinjitetit të qytetarëve të komunë së Rahovecit.

Profesionistët janë shkelur vetëm pse nuk janë përkrahës të AAK-së.

Bugjeti është keqmenaxhuar, vetëm 200 mijë euro janë për investime kapitale në vitin 2022, kurse komuna ka borgje prej rreth 10 milionë eurove. Është punuar pa mend, pa vend dhe vetëm si të pasurohen për vete dhe për shefat e tyre.

Nuk do t’i besojnë më qytetarët Smajl Latifit, sepse atë që nuk bëri për 7 vite, sigurisht se nuk do ta bëjë as 4 vite të ardhshme e 11 vjet për Rahovecin janë shumë që t’i humbë me një njeri të tillë, me një subjekt politik të tillë si AAK që në thelbin e ekzistencës së vet politike e ka hajninë. 

“Bota sot”: Sa nga komunat mendoni se do i fitoni në këto zgjedhje?

Visar Korenica: E kam thënë edhe më parë. Dallimi mes neve dhe atyre është se ne duam t’i shpëtojmë komunat, kurse ata duan ta shpëtojnë partinë e tyre nga shuarja.

Andaj besoj që AAK do të marrë goditjen e fuqishme dhe këtë subjekt nuk do ta shohim më as pragun duke e kaluar dhe ky do të jetë rezultat i korur prej vet tyre nga hajnia, keq-qeverisja dhe pasurimi i jashtligjshëm i personave të lidhur me këtë subjekt.

Kështu, mendoj se Lëvizja Vetëvendosje do të shënojë fitore të madhe në Prishtinë me Arben Vitinë, do të triumfojë në Gjakovë me Mimozën, padyshim se do të vazhdojë qeverisjen Mytaher Haskuka në Prizren, teksa fitore e madhe pritet edhe në Gjilan nga Alban Hyseni.

Garë më të ngushtë pres në Podujevë dhe disa komuna tjera më të vogla.

Sidoqoftë besoj se nga 12 komuna sa janë në balotazh, në shumicën, mos të them të gjitha, do të fitojë Lëzivja Vetëvendosje dhe do të rikonfirmohet si partia më e madhe në vend që ka besimin e plotfuqishëm të qytetarëve qysh prej 14 shkurtit e që do të rikonfirmohet edhe më 14 nëntor.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat