A është pandemia në fund? Kështu përgjigjet infektologu Ilir Tolaj

Intervista

A është pandemia në fund? Kështu përgjigjet infektologu Ilir Tolaj

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 nëntor 2021 Në ora: 20:09
Prof.Dr.Ilir Tolaj

Kosova është në fazën më të ulët të përhapjes së koronavirusit. Por, kjo nuk do të thotë se është fundi i pandemisë. Infektologu Prof.Dr.Ilir Tolaj në një intervistë ekskluzive për gaztën “Bota sot”, ka ritheksuar se pandemia do të përfundojë atëherë kur shumica e popullatës në botë do ta kalojë infeksionin në mënyrë të natyrshme duke krijuar imunitet natyror, ose këtë imunitet do ta krijojë në mënyrë artificiale përmes vaksinave.

Gjithashtu, infektologu Tolaj ka folur edhe për gjendjen aktuale të koronavirusit në Kosovë, duke theksuar se vendi është në një fazë të qetësisë së plotë të aktivitetit të përhapjes së virusit SARS-CoV-2 dhe se kjo është e natyrshme pas çdo vale të madhe që e përjeton një rajon.

Më tej, Tolaj  ka treguar rekomandimet e tij që të mos ketë rritje të të numrit të infektuarve siç pati në verën e kaluar.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale me Koronavirus në Kosovë?

Infektologu Tolaj: Gjendja epidemiologjike lidhur me COVID-19 në Kosovë është shumë e volitshme. Ne jemi në një fazë të qetësisë së plotë të aktivitetit të përhapjes së virusit SARS-CoV-2, shkaktar të COVID-19, gjë që është e natyrshme pas çdo vale të madhe që e përjeton një vend ose një regjion.

“Bota sot”: Për momentin, Kosova ka numrin më të ulët të personave të infektuar. Cilat mendoni se janë shkaqet?  Çka ndikoi në rënie?

Infektologu Ilir Tolaj: Për dallim prej vendeve të rajonit dhe shumicës së vendeve të Europës dhe në përgjithësi hemisferës veriore të globit, Kosova u ballafaqua me valën e pestë, më të ashprën nga të gjitha valët e pandemisë gjatë muajve të verës. Kjo ndodhi për shkak të lirimit të plotë të masave antikovid, duke u lejuar organizimi i dasmave, puna e klubeve të natës dhe kafiterive me muzikë deri në orët e vona të natës, pa respektuar asnjë masë parandaluese. Kjo bëri që një numër i madh i njerëzve në Kosovë të infektohen me COVID-19, duke shkaktuar ngritjen e nivelit të imunitetit të popullatës, siç ndodhë pas çdo vale të përjetuar të pandemisë. Gjithashtu, për shkak të numrit të madh të rasteve të hospitalizuara dhe atyre që përfunduan me vdekje, e që ishin gati të gjithë të pavaksinuar ose që nuk e kishin kaluar në mënyrë të natyrshme infeksionin, kjo bëri që interesimi për vaksinimin të jetë më i madh, gjë që gjithashtu i ka kontribuar ngritjes së imunitetit kolektiv hibrid, siç po quhet tash kombinimi i imunitetit kolektiv nga infeksioni i natyrshëm dhe ai i fituar nga vaksina. Këto janë arsyet e rënies së numrit të rasteve të reja në Kosovë.

“Bota sot”: A është dobësuar Koronavirusi?

Infektologu Tolaj: Jo, koronavirusi nuk është dobësuar. Madje varianti Delta ishte me aftësi edhe më të mira për të siguruar përhapje më të lehtë mes njerëzve që nuk e kanë kaluar infeksionin ose nuk janë vaksinuar. E njëjta është edhe me variantin Delta plus. Por, lajmi i mirë është se vaksinat po mbrojnë edhe kundër këtyre varianteve të koronavirusit.

“Bota sot”: OBSH ka njoftuar se epiqendra e pandemisë tani është Evropa. Cili është dallimi në përhapjen e virusit mes Kosovës dhe vendeve evropiane duke ditur edhe nivelin shëndetësor në këto vende?

Infektologu Tolaj: Nuk ka asnjë dallim, por timingu. Ajo që po ndodhë në Europë tash, te ne ka ndodhur disa muaj më herët.

“Bota sot”: A duhet të përgatitet Kosova për një valë tjetër infektimesh?

Infektologu Tolaj: Nëse do të këtë vale të re, ajo do të jetë vala e gjashtë e pandemisë, edhe pse fare nuk është e rëndësishme më se cila valë është. Në fakt e gjithë pandemia COVID-19 mund të konsiderohet një valë e vetme, me ngritjet dhe uljet e saja, në vende të ndryshme të botës në kohë të ndryshme. Ajo që Kosova duhet të bëjë, duhet që të vazhdojë me vaksinimin edhe të grup moshave që deri tash nuk janë vaksinuar, sa më shpejtë të lejohet vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës për ata që duan të vaksinohen, të pengohen aktivitetet që mund të shkaktojnë përhapje të shpejtë të virusit, të llojit që e përmenda më herët.

“Bota sot”: Po maskat?

Infektologu Tolaj: Ata që janë vaksinuar me dy doza të vaksinës, apo që e kanë të dokumentuar se e kanë kaluar infeksionin natyror, s`duhet të mbajnë maska. Duhet lejuar që qarkullimi i kontrolluar i virusit në mesin e popullatës së imunizuar të shërbejë si përforcues i imunitetit të këtyre personave, atë që e bën edhe doza e tretë e vaksinës.

“Bota sot”: Cilat janë rekomandimet tuaja që në vend mos të përsëritet rritja e infektimeve dhe vdekjeve si ndodhi gjatë verës?

Infektologu Tolaj: Ndalimi i mëtejmë i dasmave, punës së klubeve të natës, kafiterive që punojnë vonë natën, me muzikë e pa asnjë kufizim e masë antikovid. Këtyre veprimtarive autoritetet duhet t’iu dalin në ndihmën e domosdoshme në aspekte të ndryshme.

“Bota sot”: Me rënien e rasteve pozitive në vend, ka rënë edhe marrja e vaksinave anti-covid, si e shihni këtë?

Infektologu Tolaj: Është e natyrshme, është në natyrën njerëzore që kur rreziku është i vogël, masat parandaluese nuk respektohen. Por, kjo i obligon edhe më shumë Institutin e Shëndetit Publik dhe autoritetet shëndetësorë të vendit që të gjejnë mënyra për ta promovuar vaksinimin. Masat e caktuara sado të mira kur janë të vonuara janë të paefektshme. Në vend që ekipet mobile të vaksinimit ose lejimi i njerëzve që të vaksinohen kudo, pa termin, të ishte bërë në kohën kur ka qenë interesimi i madh, autoritetet vendimin e morën me vonesë prej më shumë se dy muajsh, duke ja humbur kuptimin kësaj mase që në kohë të duhur do të rezultonte me sukses të padiskutuar në vaksinimin e popullatës. Dhe kjo padyshim është përgjegjësi dhe dështim i atyre që është dashur ta vlerësojnë situatën si duhet.

“Bota sot”: Qytetarët a kanë ende skepticizëm në marrjen e vaksinës?

Infektologu Tolaj: Po kanë, por siç po shihet shumë më pak sesa në vendet tjera.

 “Bota sot”: Në Shtete e Bashkuara të Amerikës, tashmë ka filluar dhënia e vaksinës te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç. Si e komentoni dhënien e vaksinave te fëmijët?

Infektologu Tolaj: Edhe tek ne, sa më parë, duhet filluar vaksinimi i këtyre grup moshave. Duhet punuar me prindërit, që ata të informohen në mënyrë të saktë për efektin e vaksinave dhe nivelin e lartë të këtyre vaksinave kur është fjala edhe për fëmijët. Fëmijët tash janë grupi i popullatës që më së paku e ka kaluar infeksionin dhe për këtë është edhe grupi më i rrezikuar i popullatës. Nëse do të ketë valë të re, ajo lirisht mund të jetë valë në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Bota sot”: Si shumë shpesh është thënë se pandemisë po i vjen fundit, por realisht a ka fund kjo pandemi?

Infektologu Tolaj: Po ka pasur "ekspert" që në fillim të pandemisë thoshin se jemi në bishtin e pandemisë, disa duke i caktuar dy javët e fundit të saj diku në prill, maj, të vitit 2020, e të tjerët në qershorin e po atij viti, duke treguar padije maksimale e injorancë ekstreme. Unë edhe atëherë e kam thënë se pandemia do të përfundojë atëherë kur shumica e popullatës në botë do ta kalojë infeksionin në mënyrë të natyrshme duke krijuar imunitet natyror, ose këtë imunitet do ta krijojë në mënyrë artificiale përmes vaksinave. Tjetër rrugë nuk ka. Masat e kufizimeve ekstreme, për të cilat kam qenë kundër që në fillim të pandemisë janë treguar të dështuara. Edhe vendet si Zelanda e Re, Korea e Jugut ose Australia, më në fund e panë se një politikë e tillë me masa ekstreme kufizuese, në kohën e globalizimit, është e pamundur. Në këto vende tash po ballafaqohen me probleme serioze lidhur me pandeminë. Vendet si Suedia që kishin një qasje më racionale, edhepse nga shumë u kritikua, madje edhe nga "ekspert" vendor të institutit e të QKUK, nga pandemia dolën me pasoja shumë më të vogla sesa vendet tjera. Në fillim e kam thënë se pasojat nga pandemia nuk do të varen nga masat që autoritetet i merrnin në panik dhe të këshilluar nga të paditurit, por do të varen nga struktura e moshës e popullatës dhe nga kapacitetet e sistemit shëndetësor. Ne kemi popullatë të re dhe kjo na ka ndihmuar, sikur të kishim sistem shëndetësor më funksional dhe më të organizuar, me siguri që edhe pasojat në njerëz do të ishin më të pakta.

“Bota sot”: Si i komentoni teoritë konspirative kundër vaksinës anti-Covid?

Infektologu Tolaj: Nuk i besoj as kësaj teorie, e asnjë teorie konspirative. Logjika e të menduarit dhe të vepruarit të një profesionisti mjekësor dhe një shkencëtari duhet të jetë e bazuar në fakte shkencore, dhe faktet shkencore flasin kundër teorisë konspirative, si për vet infeksionin ashtu edhe për vaksinat kundër COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat