Dr. Sadri Ramabaja në një intervistë dhënë për gazetën ‘Bota sot’ ka folur rreth agjentëve të AKI-së që kishin dëshmuar kundër tij dhe qëllimet që kishin ndaj tij. Ai po ashtu ka folur edhe për shtyrjen e shpalljes së pavarësisë dhe thotë se kjo u bë qëllimisht nga Hashim Thaҫi. Ramabaja ka folur po ashtu edhe tentimet për ndarjen e territorit të Kosovës dhe humbjet që mund të pësonte Kosova në këtë rast. Ai ka folur edhe për përfshirjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në ndarjen e Kosovës, e po ashtu edhe përpjekjet ruse për të ndërhyrë në territorin e Kosovës.
“Bota sot”: Pak ditë më parë keni deklaruar se shpallja e pavarësisë është shtyrë për dy vite. Kush është fajtori për këtë?
Dr. Sadri Ramabaja: Më 23 mars 2005 ishte zgjedhë kryeministër i Kosovës Dr Bajram Kosumi. Atëbotë kryeparlamentar ishte Dr.NexhatDaci, tashmë është sekret publik, se mundësitë dhe përgatritjet ishin bërë që pavarësia të shpallej në pjesën e parë të vitit 2006. Ishin krerët e SHIK-ut, mbi të gjitha Hashim Thaçi, atëherë kryetar i Partisë Demokratike, ai që kishte ndikuar që ky proces të shtyhej për më vonë, duke sinjalizuar qartë se ishte i interesuar me çdo kusht që atë çast historik ta përvetësojë, ashtu si edhe bëri.
“Bota sot”: Cili ishte qëllimi kryesor i ‘dy agjentëve të AKI-së’ që dëshmuan kundër teje?
Dr Sadri Ramabaja: Ata, siç është bërë e ditur tashmë nga publikimi iPaparac-it, ishin marioneta në duar të shefit të tyre - Dritan Gashit, i cili, kishte arritur një akordancë për këtë abuzim edhe me prokurorin e çështjes dhe të vet kreut të shtetit – Sylë Hoxhën, që tok vepronin nën direktivat e kreut të shtetit - Hashim Thaçit. Në këtë rast kishim të bënim me një krim shtetëror të përmasave të mëdha. Rrjedhimisht, jo vetëm unë, por edhe opinioni, pse jo edhe vëzhguesit e sistemit tonë të drejtësisë, presin me të drejtë veprime të shpejta të Prokurorisë. Dy dëshmitarët e cilësuar si “anonim dhe të mbrojtur”, më rezulton se nuk ishin vetëm pjesëtarë të SHIK-ut, siç kam pohuar në fjalën time të mbrojtjes, por ata ishin edhe efektiv aktivë të AKI-së! Ata përplotësonin një pjesë të skenarit që më parë llogaritej se do t’ju hyjë në punë krerëve të SHIK-ut alias PDK-së për ta shpallur Lëvizjen Vetëvendosje si organizatë terroriste, rrjedhimisht antikushtetuese, duke ia pamundësuar të marrë pjesë pastaj në garat (zgjedhjet) për pushtet. Likuidimi im nga skena publike, akademike e politike ishte pjesë e skenarit për hakmarrje meqë kisha redaktuar librin e Murat Jasharit “Lufta e pambaruar” dhe kisha shkruar parathënien e saj. Të gjitha akuzat tjera ishin montim i pastër. Ky skenar, siç është dëshmuar tashmë, kishte për qëllim inkriminimin edhe të krerëve të Vetëvendosjes dhe në fund edhe ndalimin e saj me ligj. Për këta skenarë që ndërlidheshin me ndalimin e Vetëvendosjes, unë kisha informacion, por jo edhe për atë se do t’më implikonin drejtpërdrejt edhe mua. Tek më 4 tetor unë do të informohem se jam në rrezik jete. Kjo ishte arsyeja pse tentova të largohem për disa muaj, ashtu si më ishte sugjeruar nga vetë informatori, që edhe ai që thirrë se është pjesë e AKI-së!
“Bota sot”: A kishte rrezik për ndarjen e Kosovës, para zgjedhjeve të fundit nacionale, a ishte Hashim Thaçi një nga protagonistët e atij projekti?
Dr Sadri Ramabaja: Edhe ky fakt tashmë është notor. Më vonë historia do të dëshmojë saktësisht se cilët faktorë të brendshëm dhe të jashtëm ishin të implikuar në këtë projekt. Tashmë ka të dhëna për një pjesë të administratës së Donald Trump-it, ish kryeministrin anglez Toni Bler… Ndërkaq nga faktori i brendshëm duket se përveç krerëve të SHIK-ut kanë qenë të implikuar edhe një pjesë e mirë e drejtuesve të LDK-së.
“Bota sot”: Sa do të humbte territor Kosova, dhe a mund të merrte vërtetë ndonjë pjesë nga territori që e quajmë Kosovë Lindore?
Dr Sadri Ramabaja: Kosova, respektivisht gjeografia shqiptare, do të humbiste veriun e saj, përfshi pjesën tutje Ibrit. Kjo pjesë, siç pohojnë me të drejtë ekspertët e shkencave të mineralogjisë dhe ekonomisë, do të humbiste tmerrësisht shumë. T’ju kujtoj faktin se pasuritë minerare, përfshi edhe Ujmanin, janë të përmasave kolosale.
Studimi për resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali minerar i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë. Por, këto përllogaritje sot janë shumë herë më të larta. Sipas llogarive të Bankës Botërore pasuria nacionale e Shqipërisë politike llogaritet sot të jetë dhjetë herë më e vogël se vlera reale e Trepçës. Nga pjesa e Kosovës Lindore do të mund të përfshiheshin në atë shkëmbim territoresh Presheva dhe ca katunde të saj buzë kufirit me Kosovën, për të cilat ka folur herë pas herë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Kaq.
“Bota sot”: Në projektin e ndarjes së Kosovës është përfshirë edhe Edi Rama, cilat janë përfitimet e tij në këtë rast?
Dr Sadri Ramabaja: Këta zëra ai personalisht nuk i ka pohuar asnjëherë. Por, fakti që ai edhe sot e konsideron si njërin prej miqve të tij më të mirë Hashim Thaçin, sa shkoi në ekstrem duke i fyer të gjithë kundërshtarët e tij politik në Kosovë, vetëm e vetëm që ta mbrojë “sivëllain e tij”, lë shumë për të dyshuar.
“Bota sot”: Si i shihni përpjekjet ruse për të ndërhyrë në Kosovë, përkatësisht për të shkaktuar mbase një konflikt në anën veriore?
Dr Sadri Ramabaja: Gjithë strategjia ruse për ndërhyrje jo vetëm në Kosovë, por përgjithësisht në Ballkan, është pjesë e doktrinës Putin për Ballkanin. Shtetet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore, që dikur ishin pjesë e Bllokut Sovjetik, aderimin në BE, krahas atij të çlirimit nga tutela ruse, e shihnin si proces strategjik e në dobi të sigurisë afatgjatë nacionale. Si i tillë, ky proces mbetet për aq kohë sa merret si i mirëqenë mendimi i presidentit rus, Vladimir Putin (2005) lidhur me cilësimin e shembjes së Bashkimit Sovjetik si "katastrofa më e madhe gjeopolitike e shek. XX" dhe për aq kohë sa është në jetë "Doktrina Putin". Krijimi i ideologjisë së re ruse i paralajmëruar ndërkohë nga vet Putini nënkupton përballjen me doktrinën e presidentit J. Biden. Ndërsa për ndryshimin e modelit ekonomik, ai tashmë ka kohë që ka aplikuar me Kinën. Për Rusinë Serbia mbetet si sateliti kryesor në Ballkan. Tezën e parë po e provon me Republikën Serbska në Bosnjë, e ngritur mbi gjenocidin serb. Kishte tendenca që të provokojë edhe një “Bliz Krieg” edhe në Veriun e Kosovës. Reagimi i shpejtë dhe me kohë i Qeverisë sonë ia dogji në dorë këtë skenar Beogradit. Ka kohë që Rusia është orientuar në Ballkan dhe duket se vetëm parakalimi i ushtarakut rus në veri të Kosovës, buzë kufirit, dha sinjalin për aleatët tanë se Ballkani
tashmë kontrollohet fuqishëm nga Rusia. Shih për këtë diplomacia amerikane është vënë plotësisht në veprim. Vetëm ky veprim parandaloi kaosin politik në Maqedoni dhe fillimin e luftës në Bosnjë.
“Bota sot”: A mund të ketë pasoja të rënda apo të drejtpërdrejta një ndarje apo një konflikt në Bosnje edhe në Kosovë?
Dr Sadri Ramabaja: Efekti domino i “Anschluss-it” të Republikës Srbska – Serbisë, gjithsesi se do të bartej edhe në pjesë tjera të ish Jugosllavisë, para së gjithash në Maqedoni.