Flet kryetari i komunës së Vushtrisë/ Tregon arsyet e fitores së tij – përmend edhe koaliconet

Intervista

Flet kryetari i komunës së Vushtrisë/ Tregon arsyet e fitores së tij – përmend edhe koaliconet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 dhjetor 2021 Në ora: 17:23
Ferit Idrizi, kryetar i ri i Vushtrrisë

Nga balotazhi i 17 nëntorit në garën për komunën e Vushtrrisë fitues doli kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi, në ballafaqim me kryetarin në largim Xhafer Tahirin, nga i cili të hënën do ta marrë edhe zyrtarisht detyrën.

Krytari tashmë i komunës së Vushtrisë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për rezultatin dhe qëllimet që ka për qytetin që do ta përfaqësojë.

Ai tregon që ky rezultat ishte i pritshëm pasi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, kishte fituar në raundin e parë, mirëpo koalicioni që kanë bërë subjektet politike kanë arritur ta mposhtin në raundin e dytë.

Idrizi thotë që prioritet do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2022 dhe furnizimi me ujë, ndërtimi i ujësjellësve në të gjitha fshatrat që nuk kanë.

Ndërsa, në lidhje me koalicionet që mund të formojë, kryetari u shpreh i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë vetëm në të mirë të qytetarëve.

Gjithashtu, Idrizi thotë që do të mbetet gjithmonë i hapur për qytetarët në lidhje me çdo ankesë dhe kërkesë që kanë ata.

Lexoni në vijim intervistën e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni fitoren tuaj në balotazhin e 14 nëntorit? Sa ka qenë e pritshme nga ju?

Ferit Idrizi: Është shprehje e vullnetit të qytetarëve të Vushtrrisë, me votën e tyre të lirë dhe demokratike. Kjo fitore për mua ishte plotësisht e pritshme dhe e natyrshme, për vetë faktin që edhe në vitin 2017 unë kam dal i pari në raundin e parë me numrin më të madh të votave nga të gjithë kandidatët për kryetar komune.

“Bota sot”: Cilat mendoni që kanë qenë arsyet për të cilat qytetarët e Vushtrrisë ju votuan juve?

Ferit Idrizi: Qytetarët e Vushtrrisë i besuan konceptit tim politik se unë do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim. Ata besuan në personalitetin dhe eksperiencën time të gjatë në institucione vendore dhe ndërkombëtare si dhe në programin tim elektoral ku prioritet kam rininë dhe avancimin e gruas në shoqëri,

“Bota sot”: A mund të na tregoni se si e gjeni Komunën e Vushtrrisë pas qeverisjes së LDK-së?

Ferit Idrizi: Tani për tani nuk mund të them asgjë lidhur me këtë pasi që ende nuk e kam pranuar detyrën dhe ende nuk e kam një pasqyrë të qartë. Detyrën do ta pranojë të hënën me 06.12.21 ku do ta kem një pasqyrë të qartë rreth qeverisjes së LDK-së.

“Bota sot”: Cilat janë ndryshimet e para që pretendoni t’i filloni në qytet?

Ferit Idrizi: Në bazë të planit qeverisës për 100 ditët e ardhshme, prioritet do të jetë miratimi i buxhetit për vitin 2022, furnizimi me ujë të pijshëm, eleminimi i kabllove elektrike në sheshin Adem Jashari, vendosja e sinjalizuesve (semaforëve), si dhe projektet e tjera që dalin nga plani i punës për vitin 2022.

“Bota sot”: Gjatë fushatës keni pasur mundësi që të keni shumë takime me qytetarë. Cilat ishin kërkesat më të shpeshta që keni marrë nga ata?

Ferit Idrizi: Kërkesat më të shpeshta gjatë fushatës elektorale ishin furnizimi me ujë të pijshëm, krijimi i hapësirave të gjelbërta, rregullimi i parkingjeve, vendosja e semaforëve në udhëkryqe, rregullimi i fushave të sportit për të rinjtë etj.

“Bota sot”: Z. Idrizi a mund të kemi koalicion paszgjedhor? A keni biseduar me ndonjë nga partitë politike, nëse po, me cilën?

Ferit Idrizi: Ne iu kemi ofruar mundësi koalicioni të gjitha partive politike, me disa veç kemi arritur koalicion dhe tani jemi në fazën e konsolidimit të qeverisë.

“Bota sot”: Cilat do të jenë raportet apo marrëdhëniet e juaja me partitë që humbën? A mund të vazhdoni bashkëpunimin pavarësisht se ju jeni në qeverisje?

Ferit Idrizi: Bashkëpunimi ynë do të zgjerohet me të gjitha subjektet politike me qëllim të ofrimit të shërbimeve të mira për qytetarët.

“Bota sot”: Cili është plani juaj që të qëndroni më afër qytetarëve? A do të keni takime të shpeshta apo si mund t’iu adresohen ata për ankesat që kanë?

Ferit Idrizi: Bashkëpunimi me qytetarët dhe të gjitha grupet e interesit është prioritet i qeverisë sime me qëllim që vendimmarrja të gjejë një mbështetje më të gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat