Ragmi Mustafa: Serbia nuk ka kapacitet të sulmojë një vend për kufijt e të cilit përkujdeset NATO

Intervista

Ragmi Mustafa: Serbia nuk ka kapacitet të sulmojë një vend për kufijt e të cilit përkujdeset NATO

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 3 shkurt 2022 Në ora: 07:59
Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia nuk ka nuk e ka as kapacitetit për të sulmuar një vend, për kufijtë e të cilit përkujdeset NATO, siç është Kosova. 

Ai ka thënë se nuk mund të pretendohet paqe e qëndrueshme nëse në marrëveshje nuk do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës. 

Gjithashtu, Mustafa ka folur edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Kosovën lindore, duke thënë se kjo po bëhet për shkak të kontekstit që ka Serbia me Kosovën. 

Mustafa është pyetur nga “Bota sot”, edhe për idenë e shkëmbimit të territorve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për përfshirjen e çështjes së  Kosovës Lindore në dialog.  

“Republika e Kosovës dhe e Serbisë kanë hyrë në një faze të bisedimeve që synon një marrëveshje përfundimtare të obligueshme ndërkombëtarisht, që duhet të përmbajë njohjen reciproke. Nuk mund të pretendohet paqe e qëndrueshme nëse në marrëveshje nuk do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës”, ka thënë ai. 

Intervista e plotë: 

“Bota sot” - Si e shihi gjendjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore? 

Ragmi Mustafa: Këshilli Kombëtar Shqiptar ka adresuar të gjitha shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Padyshim qasja jo fleksibile në trajtimin e numrit të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar; Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve; Mungesën e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në institucionet shtetërore; Mos përfshirja e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore; Mungesa e teksteve mësimore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe; Mos njohja e diplomave të shqiptarëve të përfituara jashtë vendit (KOS, ALB, NMK); Pamundësinë për të siguruar funksionimin e mediave nga shteti; Pamundësinë për të siguruar fonde të mjaftueshme në mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit e kulturës; 

Në veçanti çështjet e arsimit e të bizneseve veprimtaria e të cilëve është prekur drejtpërdrejtë nga masat kundër përhapjes së infeksionit me koronavirus. Ekonomia e shqiptarëve të Luginës së Preshevës varet nga dy faktorë: Tregtia dhe diaspora të cilat janë goditur rëndë nga pandemia me Covid-19, për shkak të mbylljes së kufijve dhe pasigurisë me emergjencën shëndetësore. Por, mbi të gjitha centralizimi i sistemit shtetëror dhe diskriminimi sistemik.   

“Bota sot” - Sa ka ndryshuar viteve të fundit gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore? 

Ragmi Mustafa: Për dallim nga e kaluara edhe Kosova, por edhe Shqipëria, kanë hapur shtigje të reja politike të mbështetjes së shqiptarëve të Luginës përmes një diplomacie shumë proaktive. 

Kosova për herë të parë ka buxhetuar mbështetjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e ky është një hap i madh e shumë i rëndësishëm. Por që duhet strukturuar në një strategji të përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës për një qasje të unifikuar ndaj Luginës së Preshevës .  

“Bota sot” - Si e komentoni pasivizimin e adresave të shqiptarëve? Cili është numri i tyre? 

Ragmi Mustafa: Procesi i “pasivizimit të adresave” ndaj pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë , sa është masiv dhe sa edhe selektive në bazë të diferencimit etnik. Ky proces i pengon shqiptarët të disponojnë të drejtat e tyre themelore civile. Madje disa NGO kanë vlerësuar se është rreth 6 mijë numri i shqiptarëve të pasivizuar. Kjo ndodhë për të ndryshuar në mënyrë artificiale numrin e përbërjes etnike për shkak të mundësisë e të bërit temë në dialogun Kosovë-Serbi. Pra veprimet e Serbisë në këtë drejtim janë për shkak të kontekstit që ka me Kosovën. 

“Bota sot” - Çfarë duhet të bëjë Kosova dhe Shqipëria për këtë çështje? 

Ragmi Mustafa: Në radhë të parë ndërkombëtarizimi, krijimi i një strategjie e më pas një plan veprimi, i cili pengon ndryshimet demografike artificiale me masat e ndërmarra nga Serbia. Shqipëria e dhe Kosova duhet t`i japin përgjigje sfidave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.   

“Bota sot” - A duhet të diskutohet çështja e shqiptarëve të Kosovës lindore në dialogun Kosovë- Serbi? 

Ragmi Mustafa: Ka shumë zëra që thonë se në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet biseduar për çështjet përtej kufijve të tanishëm të Republikës së Kosovës. Kjo qasje që ka për synim të “ndërhyhet” vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, përjashton mundësinë të “ndërhyhet”  në çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë, pra edhe me Luginën e Preshevës. 

Sigurisht se janë palët e përfshira në dialog që i përcaktojnë përkufizimet, kornizën, parimet dhe kriteret e dialogut. Por, nëse duam dialog midis të barabartëve dhe paqe të qëndrueshme, atëherë kjo nënkupton se çfarëdo teme eventuale që mund të jetë subjekt negociatash (kufijtë e jashtëm, rendi kushtetues, rregullimi i brendshëm administrativo-territorial, burimet natyrore dhe asetet ekonomike, të drejtat e minoriteteve, krimet e luftës dhe zbardhja e fatit të të pagjeturve, etj) duhet të trajtohet për të dy vendet, të cilat janë palë në dialog. 

Republika e Kosovës dhe e Serbisë kanë hyrë në një faze të bisedimeve që synon një marrëveshje përfundimtare të obligueshme ndërkombëtarisht, që duhet të përmbajë njohjen reciproke. Nuk mund të pretendohet paqe e qëndrueshme nëse në marrëveshje nuk do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës. Kujtojmë që Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës, si organi më i lartë politik në Luginë më 14 korrik të vitit 2018 ka nxjerrë Deklaratën Politike përmes së cilës kërkon të respektohet vullneti i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992. 

“Bota sot” - Sërish është hapur tema e shkëmbimit të territoreve, cili është mendimi i juaj për këtë çështje? 

Ragmi Mustafa: Në fillimet e shkatërrimit të Republikës Socialiste Federative Jugosllave, shqiptarët e Luginës së Preshevës arritën të organizoheshin politikisht dhe me anë të Referendumit të deklarohen  për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Ky referendum ishte njëri ndër hapat më të rëndësishëm politik të shqiptarëve të Luginës.  Është ky momenti ku banorët shqiptarë të këtyre komunave thanë qarët vullnetin e tyre. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si tërësi gjeografike të kishin autonomi politike territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. 

Ndërsa vendimet tjera i takojnë Qeverisë së Kosovë me atë të Serbisë për të gjetur zgjidhje fleksibile e kreative edhe në këtë drejtim. 

“Bota sot” - A duhet Presheva, Bujanovaci dhe Medvegja t’i bashkohet Kosovës? 

Ragmi Mustafa: Pas mungesës së çështjes së Luginës së Preshevës në Rambuje, në Vjenë dhe në dialogun “teknik”  të Brukselit, nuk ka dyshim se Lugina duhet të jetë temë e trajtuar në dialogun për marrëveshjen e mundshme përmbyllëse midis Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me vullnetin politik të shprehur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe me kërkesat e të zgjedhurve të tyre të shprehura në platformat e deklaratat e tyre politike, që nga Referendumi i vitit 1992 e deri në Deklaratën Politike të vitit 2018. Përfshirja e Luginës së Preshevës është garanci në marrëveshjen përfundimtare është garanci për paqe mes dy popujve. 

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes tuaj, Qeveria e Republikës së Serbisë nuk tregon realisht gatishmëri dhe vullnet politik për integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe për ta reformuar kuadrin kushtetues dhe ligjor, që do ta përmirësonte pozitën e minoriteteve në Serbi dhe shqiptarëve në veçanti. 

Qeveria e Republikës së Serbisë nuk i ka jetësuar tri marrëveshjet që i ka firmosur me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës më vitet 2001, 2009 dhe 2013 me prani ndërkombëtare, ne shpresojmë që procesi i integrimeve evropiane do ta nxisë Serbinë që t’i plotësojë të gjitha standardet evropiane sa i përket të drejtave individuale dhe kolektive dhe se para çfarëdo pozite në kuadër të Qeverisë re të Serbisë duhet të vihet jetësimi i këtyre marrëveshjeve. 

“Bota sot” - Si e komentoni masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, shqiptarët nga Kosova lindore nuk kanë të drejtë të hynë në Kosovë pa i pasur 3 vaksina ose pa testin RT-PCR? A është bërë padrejtësi në këtë rast? 

Ragmi Mustafa: Qeveria e Kosovës në vazhdimësi duhet t`i kushtojë vëmendje të veçantë kur merr vendime të tilla, nga se në këtë mënyrë paralizon jetën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët janë të lidhur jo vetëm familjarisht, tradicionalisht e historikisht- por ekonomikisht e kulturalisht. Andaj, nëse nuk e shfuqizon vendimin, atëherë duhet të ofrojë teste të PCR falas në kufijtë përkatës për shqiptarët e Luginës së Preshevës që nuk kanë arritur ende të marrin edhe vaksinën e tretë. Ndryshe izolohet dhe po getoizohet Lugina e Preshevës. 

“Bota sot” -  Si mund të reagoni ndaj një shfrytëzimi nga Serbia të  krizës në Ukrainë për të sulmuar veriun e Kosovës? 

Ragmi Mustafa: Shqiptarët e Luginës së Preshevës si pak komunitete kanë besuar në demokraci dhe garancat e ndërkombëtarëve për të realizuar të drejtat individuale dhe kolektive në vitin 2001. Unë besoj se zgjidhja për çështjen e Luginës së Preshevës është në kontekstin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Atëherë kur të vendosen standarde unike në Ballkan në trajtimin e komuniteteve sepse si konflikt latent rrezikon të mbetet në të ardhmen. Serbia nuk e ka as kapacitetin e as seriozitetin për të sulmuar një vend në të cilin për kufijtë e tij përkujdeset NATO. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat