BE-ja nuk duhet më të tolerojë një Serbi destabilizuese

Intervista

BE-ja nuk duhet më të tolerojë një Serbi destabilizuese

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 mars 2022 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Deputeti i VV-së, Visar Korenica, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur rreth aktualitetit politik dhe ngjarjeve të fundit.

Korenica së pari tregoi disa nga arsyet se pse ai është pikërisht deputet i LVV-së, me ç’rast theksoi se pse përmes programit të LVV-së mund të sjellim ndryshime në sundimin e ligjit, dhe si arsye e dytë, janë pritshmëritë në rritjen e punësimit.

Ai është anëtar i komisionit të përhershëm për Buxhet, Punë dhe Transfere, në të cilin raportohen të gjitha financat e organizatave buxhetore publike, dhe se ai personalisht thotë se e ka prioritet ngritjen e çështjeve në Kuvend, në veçanti në aftësimin e rinisë në tregun e punës.

Përveç kësaj, Korenica ka folur edhe për emërimin e tij si koordinator në qendrën e Rahovecit, me ç’rast tregoi se së fundmi kanë vendosur të themelojnë dy forume të reja, që më herët nuk kanë qenë në organizatë, atë të Gruas në Vetëvendosje dhe Rinia në Vetëvendosje, gjithashtu ai tregoi se është proces që do të zgjasë 6 muaj.

I pyetur se me Kurtin në krye a do të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë, Korenica deklaroi se deri më sot Qeveria ka treguar përfaqësim dinjitoz në të gjitha takimet shtetërore, në të cilat e ka shtruar kërkesën për të pagjeturit, dhe obligimet e tjera që duhet t’i përmbush Serbia, madje duke refuzuar krijimin e asociacionit.

Gjithashtu, ai ka potencuar se Kosova tani i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, gjë që është parë së fundmi edhe në ngritjen për 17 vende në luftën kundër korrupsionit, e cila tregon për progresin e madh në këtë fushë, por sipas Korenicës, arritja e liberalizimit mbetet në dorë të BE-së.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Pse pikërisht në LVV?

Visar Korenica: Sepse përmes Lëvizjes dhe programit të saj mund të sjellim ndryshim rrënjësor në sundimin e ligjit, pra një shtet ku funksionon drejtësia për të gjithë, ku po bëhen përpjekje për të bërë të pavarur gjyqësorin, përmes të cilit do të luftohet në mënyrë shumë efikase krimi dhe korrupsioni, dhe në anën tjetër janë pritshmëri të mëdha në rritjen e punësimit duke u bazuar tashmë dhe në efikasitetin e Qeverise Kurti 1 dhe tani në Qeverinë Kurti 2, tek kur po i shohim rezultatet e prekshme për mirëqenien e popullit tonë, duke i realizuar premtimet një nga një dhe përtej saj, edhe pse të goditur që nga fillimi nga pandemia dhe tashmë edhe nga rritja e energjisë që e ka shkaktuar drejtpërdrejtë (pandemia), dhe rritjen e çmimeve në pothuajse të gjithë artikujt duke rënduar shportën e konsumatorit. E, përballë kësaj, me vendimet konkrete Qeveria Kurti po i del zot vendit të vet. Në Lëvizje për shtetin që duam!

Image
Visar Korenica

“Bota sot”: Si e komentoni punën e Qeverisë Kurti deri më tani?

Visar Korenica: Është viti i parë i mandatit të dytë ku po merren e janë marrë vendime të rëndësishme për shtetin tonë. Me vendime të ndryshme të ministrave është parandaluar humbja e miliona eurove nga buxheti i shtetit që mbushet nga taksat tona. Vetëm në ministri të bujqësisë janë parandaluar miliona euro hajni, ku janë ngritur aktakuza nga prokurorë të vendit për zyrtarë publik për marrje ryshfeti. Edhe pse të sfiduar nga pandemia, e cila e ka konsumuar një energji të madhe të qeverisë, Qeveria nuk është ndalur në punët e saja. Është raportuar si qeveri shembull në Ballkanin Perëndimor sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe luftës kundër korrupsionit. Është hera e parë që flasim në shifra mbi një ton në ndalimin e kontrabandës me narkotikë brenda 1 viti, derisa më herët është folur me 1 -2 kg kapje. Themelimi i Gjykatës Komerciale, anulimi i kontratës për homologim, themelimi i Fondit Sovran, Byroja për konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme, rritja e fondit për rezervat shtetërore, janë disa nga vendimet dhe hapat që kjo Qeveri i ka ndërmarrë, ku për herë të parë në histori kemi rritje të GPD-së në 9.9%, dhe kjo nënkupton që optimizmi dhe shpresa e qytetarëve për qeverinë e re dhe reformat që janë duke u zbatuar, formalizimi gradual i ekonomisë, por edhe intervenimet e Qeverisë në ekonomi përmes pakos financiare janë faktorët kryesor.

“Bota sot”: Cili është roli i juaj në Kuvend, dhe cilat janë qëllimet e juaja?

Visar Korenica: Jam anëtar i Komisionit të përhershëm për Buxhet, Punë dhe Transfere në të cilin raportohen të gjitha financat e organizatave buxhetore publike, dhe përmes të cilit mundohem të jap kontributin tim në luftimin dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike, dhe detyrave zyrtare të po këtyre institucioneve. Arritja e parandalimit të keqpërdorimit të parasë publike, angazhimi në zbatimin e rekomandimeve për performancë më të mirë nga institucionet publike, dhe në anën tjetër duke raportuar dhe ngritur çështje të ndryshme në Kuvend, veçmas në fushën e ndërmarrësisë, bujqësisë dhe aftësimin e rinisë në tregun e punës, janë dhe do të jenë prioritetet e mia në këtë legjislaturë.

“Bota sot”: Së fundmi jeni emëruar koordinator në qendrën e Rahovecit, çfarë do të thotë kjo për ju?

Visar Korenica: Do të thotë që kemi vit zgjedhor në subjektin tonë në të gjitha qendrat dhe për këtë nevojitet angazhim edhe më i madh për të siguruar përfaqësim të denjë dhe angazhim konkret në rritjen organizatës dhe njëkohësisht dhe në përfaqësimin dinjitoz për qytetarët tanë. Në takimin e fundit të këshillit drejtues kemi vendosur të themelojmë dy forume të reja që më herët nuk kanë qenë në organizatë, atë të Gruas në Vetëvendosje dhe Rinia në Vetëvendosje, pra është proces që do të zgjasë për 6 muaj, ku do të dalin organet drejtuese për secilën qendër dhe në nivel qendror. Pra, një përgjegjësi për të çuar përpara me sukses procesin zgjedhor.

“Bota sot”: Së fundmi ajo që bëri bujë ishte shtrenjtimi i energjisë elektrike, me ç’rast fajtor i gjithë kësaj mbeti Qeveria, a mendoni se Qeveria duhet fajësuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike?

Visar Korenica: Ashtu siç jeni në dijeni, shtrenjtimi i energjisë ka ndodhur në shumicën e shteteve të cilat janë të varura nga importi. Kosova nuk ka kapacitete të plota për prodhimin e energjisë për arsye se qeveritë e kaluara kanë dështuar të bëjnë një gjë të tillë edhe pse vendi ynë ka burime të mëdha energjetike, me ç’rast detyrohemi të importojmë energji për të mbuluar mungesën dhe ku çmimi i importit determinohet në bursën ndërkombëtare. Pra, s’ka të bëjë me shtrenjtimin vullnetar, por të detyrueshëm ku Qeveria ka marr rolin e saj duke mbuluar pjesën më të madhe të kostos dhe varësisht nga tarifat edhe do të faturohen qytetarët, qoftë me rritje nëse tejkalohet pragu prej 800 këh, qoftë pa rritje e, ku edhe kjo mos rritje po ndodh shkaku që Qeveria po e mbulon rritjen tarifore deri në atë shkallë, duke ndikuar kështu edhe në kursimin e energjisë për ekonomitë familjare. Në mars të këtij viti do të nxjerrim koncept dokumentin për strategjinë energjetike 2022-2030, përmes të cilit do ta sigurojmë vendin me kapacitete të plota vetanake.

“Bota sot”: Mendoni se ligji i iniciuar nga Qeveria për nivelizimin e pagave do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve të Kosovës?

Visar Korenica: Ligji i pagave që tashmë është në fazën finale, do të vijë në Kuvend në muajin mars, përmes të cilit do të evitohen problemet e mëhershme të dalura nga Gjykata Kushtetuese, dhe njëkohësisht do të trajtohen në mënyre detaje propozimet për nivelizim, dhe ndarje të drejtë të pagave në mënyrë që të arrijmë pritjet nga ky ligj. Shqetësim për mua mbetet sektori privat, ku punëtorët nuk i gëzojnë të drejtat e tyre dhe ku të njëjtit shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë në mungesë të zbatimit të ligjit, në mungesë të inspektorëve dhe në mungesë të sigurisë publike.

“Bota sot”: Sa pritet të jetë paga minimale?

Visar Korenica: Sipas premtimeve nga kjo Qeveri, paga minimale pritet të arrijë në shumën prej 250 euro. Edhe pse e ulët, besoj nuk do të mbetet aq deri në përfundim të mandatit, pra do të kemi rritje shtesë.

“Bota sot”: A mendoni se me Kurtin në krye do të arrihet ndonjë marrëveshje me Serbinë?

Visar Korenica: Dialogu, i cili nis me njohjen në qendër, do të sjellë ndryshime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar. Qeveria Kurti deri më sot ka treguar përfaqësim dinjitoz në takimet të niveleve ta larta shtetërore, përmes ndërmjetësimit nga BE-ja, teksa në çdo takim ka kërkesat parimore për kthimin e regjistrave civilë për të pagjeturit, dhe obligimet tjera qe duhet t’i përmbush Serbia karshi nesh, e njëkohësisht duke mos lejuar në asnjë rrethanë krijimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe një etnik. Pavarësisht numrit, marrëveshjet që do arrihen do të jenë të zbatueshme.

“Bota sot”: Sa mund të kenë ndikim në dialogun Kosovë-Serbi zhvillimet aktuale ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës?

Visar Korenica: Ashtu dhe siç keni mundur të lexoni, ministri Mehaj ka kërkuar angazhim më të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE, duke ditur rrezikun potencial që mund ta paraqet Serbia si pasojë e kërkesave të saja të vazhdueshme drejtuar BE-së për Kosovën, dhe në anën tjetër një Rusi, e cila e ka mbështetur në vazhdimësi Serbinë për kërkesat ndaj Kosovës. Së fundi Serbia nuk e ka kundërshtuar Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës, dhe ky është një sinjal i fortë që BE-ja nuk duhet më të tolerojë një Serbi destabilizuese nga e cila mund të vuajë i tërë Ballkani Perëndimor.

“Bota sot”: A mendoni se këtë vit do të ketë liberalizim të vizave?

Visar Korenica: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ngritja për 17 vende në luftën kundër korrupsionit tregon për progresin e madh në këtë fushë, e sa për liberalizim është në dorë të BE-së të vendos në dobi të qytetarëve tanë. Kosova është më shumë se meritore dhe e gatshme ta kalojë dhe këtë fazë.

“Bota sot”: Si e komentoni menaxhimin e situatës pandemike?

Visar Korenica: Kur u kthyem në qeverisje nuk gjetëm asnjë vaksinë, kishim mbi 700 raste në ditë me të infektuar, dhe 17 vdekje në ditë, kurse sot pas gati një viti në qeverisje situata është krejtësisht ndryshe. Pandemia është menaxhuar në mënyrë shumë efikase. Vaksinat janë siguruar në kohë rekorde pas marrjes së pushtetit dhe me këtë kemi përmbushur premtimin bazë për qytetarët, e që është shëndeti mbi të gjitha. Ky është sukses që duhet t’i gëzohemi të gjithë sepse sot jemi më të sigurt, tashmë dhe janë hequr shumica e masave anti COVID-19 dhe mund ta takojmë njëri-tjetrin pa mbajtur maska në vendet publike, ekonomia është hapur duke lehtësuar kështu edhe peshën e rëndë që ky izolim kishte mbi ndërmarrësit që me vetëmohim e mbajtën gjallë aktivitetin e tyre, kështu duke u kujdesur që në përgjithësi të kemi më pak frikë e më shumë besim në institucionet tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat