Cilët ishin kuadrot shqiptarë të UDB-së që SHIK-u i kishte në besë?

Intervista

Cilët ishin kuadrot shqiptarë të UDB-së që SHIK-u i kishte në besë?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 korrik 2022 Në ora: 17:42
Kadri Veseli, foto ilustrim "Bota sot"

Publicisti Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ flet për krizën ekonomike në vend dhe menaxhimin e saj nga Qeveria Kurti. Po ashtu, ai ka folur edhe për qëllimet e Edi Ramës ndaj Kosovës, dhe bashkëpunimin e tij me Vuçiqin. Zeqiraj ka përmendur edhe përpjekjet për të penguar punën e Gjykatës Speciale e po ashtu edhe të vrasjeve politike. Publicisti në këtë intervistë ka përmendur edhe deklaratat e një agjenti të njohur që thotë se ka punuar për UDB-në, Fatmir Shehollin, i cili deklaroi se ka punuar për SHIK-un, se e ka pasur shef Kadri Veselin dhe se ka bashkëpunuar ngushtë me udhëheqësit e tjerë aty.

Image
Idriz Zeqiraj

“Bota sot”: Edhe Kosova, sikurse shumë shtete tjera, është përfshirë në krizë ekonomike. Kush është fajtor për këtë krizë?

Idriz Zeqiraj: Realisht, kriza ekonomike aktuale, në Kosovë, është pjesë e krizës botërore. Pandemia ishte e përbotshme, e cila ndikoi në punën efikase dhe kushtoi shumë financiarisht, në shkallë botërore. Sapo nismoi rimëkëmbja, shpërtheu lufta bandikteske e Rusisë, kundër Ukrainës sovrane! Edhe pse Kosova nuk kishte vartësi direkte, nga ekonomia e Ukrainës, shtrenjtimi zinxhiror i çmimeve preku edhe Kosovën. Disa nisma sociale të Qeverisë, për ta zbutur varfërinë e familjeve skamnore, kanë qenë të mirëpritura. Edhe vendimi i fundit i Qeverisë, për punësim nga një anëtar për familje, është i qëlluar, qoftë edhe 6-mujor, me shpresë të punësimit të përhershëm. Ligji për ngritjen e pagës minimale, përtej 100 mijë personave, (familjeve), prej 264 euro, edhe pse i vonuar, ishte një zgjidhje e pranueshme.

Por, opozita destruktive PAN, me keqardhje, edhe LDK-ja, e cila po luhatet, duke e bërë "argatin e djallit", po e politizon me qëllim të zgjimit të pakënaqësisë në popull, duke shantazhuar e kërcënuar, me protesta e domonstrime rrugaçërore. Kushtëzimi me përfshirjen e ngritjes të pagës minimale, për 13 mijë veteranët e mirëfilltë, por, edhe për 52 mijë veteranët e rrejshëm, është, thellësisht, armiqësor dhe super-kriminal. Përveç përfitimit material të komandantëve, nga shitja masive e "dëshmive të veteranit", qëllimi ka qenë edhe krijimi i klientelës elektorale partiake. Dhe, kjo i penalizon kriminelët sabotatorë ekonomikë të shtetit të Kosovës. Qeveria Kurti ka vetëm një përgjegjësi faktike: Vonesa e sigurimit të energjisë elektrike, me çmime më të volitshme.

“Bota sot”: Cilat janë qëllimet e Edi Ramës ndaj Kosovës, pse ai po bashkëpunon me Vuçiqin, apo e fuqizon bashkëpunimin e tyre edhe droga?

Zeqiraj: Kryeministri shqiptar vuan nga deliri i madhështisë. Ai don të hyjë dhunshëm në histori, qoftë edhe duke shkelur interesat shqiptare, në veçanti, të Kosovës. Bashkëpunimi, përafrimi i Ramës me Vuçiqin, i tejkalon edhe caqet e dy shteteve, në marrëdhënie normale bilaterale fqinjësore, që ka sot Serbia ndaj Kosovës. Është fatkeqësi që shteti amë ka një kryeministër, i cili organizoi kultivimin e bimëve narkotike, nga Jugu në Veri të vendit. Pothuajse, zyrtarisht, vazhdojnë të funksionojnë laboratorët e përpunimit të drogës, duke krijuar edhe lehtësira transportimi e tregtimi në Evropë dhe botë. Droga lidhi edhe më shumë miqësinë me Vuçiqin. Njëherësh i dha edhe mundësinë e riciklimit në postin e kryeministrit, për të tretën herë, duke organizuar blerjen industriale të votave, nëpërmjet të sistemit të shpikur të "patronazhistëve", ku vetëm në Tiranë e Durrës u përdorën 200 milionë euro në zgjedhjet e fundit parlamentare! Bëhet fjalë për 3 miliardë euro përfitim vjetor nga droga në Shqipëri!

“Bota sot”: Është rritur dyshimi se po tentohet të pengohet Gjykata Speciale, kujt i konvenon kjo gjë, nëse mbesin pa u ndriçuar vrasjet politike?

Zeqiraj: Disa muaj më parë, në të gjitha sondazhet e bëra, rezultonte se tej 85 % e shqiptarëve kërkonin dënimin e krimit dhe ndëshkimin e kriminelëve. SHIK-u, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ka mobilizuar shumë qindra agjentë të tij, që nga Kosova, Shqipëria, e deri në Amerikën e largët, për ta ndryshuar këtë opinion, gati, gjithëshqiptar. Dhe, vërtet, paraja po shpërndahet bollshëm, për ta penguar funksionin normal të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Në mënyrën më të poshtër e kriminale, jo vetëm se anashkalohen e mohohen vrasjet politike, por, edhe po sulmohen dhe denigrohen edhe familjet e viktimave, se, kinse, "po shpifin kundër komandantëve, për të siguruar azil evropian dhe përfitime tjera"!

Së fundi, është zgjuar "lugati" Edvin Rama, i cili, në vend që të merret me hetimin dhe zbulimin e disa dhjetëra vrasjeve të ushtarakëve dhe të veprimtarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, brenda territorit shqiptar, gjithnjë, në koordinim me "komandantët" e Kosovës, që nga viti 1997 e deri në verën e vitit 1999, ai është angazhuar në pengimin, deri në zhbërje të Gjykatës Speciale! Rama, hipokrizisht e dëshpërimisht, paralajmëroi përgatitjen e një rezolute kundër senatorit zviceran, Dick Marty. Mërsin Katuçin dhe katuçët tjerë, personalisht, i njoh qysh gjysmë-shekulli më parë.

Dhe, janë njerëz të mirë. Por, "komandantët" pa ushtarë të LPK-së, kishin një ushtrimore ushtarake në Fullqet të Klosit, në Mat. Atyre u duhej një shtëpi e izoluar, si ajo e Katuçëve, kryesisht, për burg të improvizuar, në atë zonë, për sakatosjen e kundërshtarëve politikë. Ishte gabimi fillestar i Katuçëve, sigurisht me urdhër të "komandantëve", kur një komision hetimi, u prit me refuzim kontrolli, lëshuan edhe qentë dhe sulmuan e përzunë, me mjete rrethanore, komisionin në fjalë. Kështu ngjallën një dyshim, krejt të panevojshëm!

Të gjithë maskarenjtë e kriminelët, e përsëris, që nga Kosova, Shqipëria, e deri në SHBA, janë bashkuar, për ta penguar hetimin dhe zbulimin e vrasjeve politike, të cilat, tashmë, janë faktike. Së fundi, vetëm Fatmir Limaj, e ka pranuar se "vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Dhe, këto vrasje janë kundra-kombëtare e anti-shtet". Përveç PAN-it, me SHIK-un e tij, që janë të akuzuarit e drejtpërdrejtë, tashmë janë bashkuar edhe horrakë nga LDK-ja dhe LVV, duke u bërë pjesë e krimit, në përpjekjen për t`i rehabilituar dhe amnistuar kriminelët.

Raporti i Dick Matry-së, për transplantim dhe trafikim organesh, nuk është fare objekt akuze, aktualisht, në Gjykatën Speciale në Hagë, kundër të akuzuarve atje, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Realisht, Carla del Ponte, më parë, dhe Dick Marty, më vonë, kanë botuar librat e tyre, për krimet vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë, pikërisht, nga disa komandantë. Dhe, ato, tashmë, janë faktuar nga vetë shqiptarët, të cilat vazhdojnë të denoncohen, përtej dy dekadave me radhë, në mediat e shkruara, vizive, digjitale, në të gjithë botën shqiptare. Prokurori amerikan, Clint Williamson thotë se, "jo Rezoluta e Dick Marty-së, POR KA DIÇKA TJETËR".

Dhe, "këto janë vrasjet politike të kundërshtarëve politikë". Disa komandantë badintër, me bandat e tyre, kanë vrarë ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e LDK-së dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, thjesht, për të gëzuar pushtetin e pamerituar dhe, rrjedhimisht, për para, pasuri! Hoshtapleri, mashtruesi, Edvin Rama, po bënë një mjegullnajë, duke futur në "lojë", një rezolutë, që, tashmë, vet Gjykata Speciale e ka hequr nga tavolina.

Sepse, ka fakte të tjera të bollshme, për krime makabre, me dëshmitarë, kryesisht, shqiptarë. Mosndriçimi i vrasjeve politike, u konvenon, së pari, kryerësve të këtyre krimeve, me bandat dhe subjektet e tyre politike, përfitues nga krimet e bëra. Në sytë e botës, shqiptarët do të konsiderohen si mbrojtës të krimeve dhe të kriminelëve, sepse shumësia e vrasjeve politike, ka vazhduar edhe pas luftës dhe varret masive të këtij kontigjenti, shtrihen anekënd Kosovës. Të ekzekutuarit politikë, nuk janë as 100 dhe as 200, por janë disa qindra.

Disa syresh që kërkohen jashtë Kosovës, ata janë, me varr ilegal, në tokën dhe ujërat e Kosovës! Gjykata Speciale shihet si e vetmja shpresë e mundësi, për të dëshmuar se shqiptarët nuk janë cuba malesh e kriminelë masiv. Hetimi dhe ndriçimi i vrasjeve politike, është provë e shans i shqiptarëve, për të dëshmuar se "krimi ka emër" dhe nuk mund të përgjithësohet as me UÇK-në dhe as me popullin e Kosovës.

"Nuk digjet jorgani për një plesht"! Kanë kaluar tre çerek-shekulli nga Lufta e Dytë Botërore, kur partizanët e filosllavit Enver Hoxha, i vrisnin atdhetarët shqiptarë prapa shpine, për ta marrë pushtetin me dhunë. Pas luftës, organizonin gjyqe farsë, ekzekutonin, burgosnin, internonin, përjetshëm, kundërshtarët politikë, për ta mbajtur, dhunshëm, pushtetin e pamerituar. Pra, ishte një fashizëm tipik, që sundoi e shkretoi për afro gjysmë shekulli radhazi. Partizanët shqiptarë luftën çlirimtare, e konvertuan në luftë civile.

Prandaj, edhe pse ishin, të paktë, teorikisht, në anën e Aleancës fituese, nuk gëzuan reparacionet luftës! Pikërisht, këtë model instruktimi e praktikuan Sigurimsat e Enverit, tek "komandantët" e Kosovës. Skema e gatshme funksionoi gjatë dhe pas luftës, me eliminimet fizike të qindra kundërshtarëve politikë dhe do të vazhdonte me fashizmin e Enverit, nëse nuk do të ishin ndërkombëtarët brenda Kosovës. Tashmë, Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, pranohet nga vendorët dhe ndërkombëtarët, si e vetmja mundësi, për t`i prangosur kriminelët vrastarë e korruptivë. Kjo meritë u është njohur edhe Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Këlyshëria e tyre, me krime nëpër këmbë, vazhdojnë të bredhin të lirë.

Aktivizimi i tyre i skajshëm, për pengimin, deri në zhbërjen të Gjykatës Speciale, nuk është halli për shefat e tyre të prangosur, por, mbrojtja e vetvetes, sepse "e kanë mizën pas veshit"! Procedurat burokratike, të kësaj Gjykate, janë zhgënjyese. Lukunia e avokatëve zhvatës e kriminelë të pangopur ekonomikë, për ta zgjatur mandatin e tyre kriminal, kërkojnë të pamundurën: identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, duke i ekspozuar ndaj rrezikut hakmarrës me jetë të tyre. Pelegrinazhi, si në "Haxh", i vizitorëve, në burgun e Schweningenit, është një marrëzi shtesë dhe mungesë serioziteti, që rivret viktimat e krimit politik, lëndon familjarët e tyre dhe shqiptarët njerëzor, të kudondodhur.

“Bota sot”: Si i vlerësoni qëndrimet dhe akuzat e opozitës ndaj Qeverisë dhe Albin Kurtit si kryeministër?

Zeqiraj: Përpjekja për ta minimizuar rolin e Albin Kurtit, në ndryshimet pozitive në Kosovë, është e dështuar. Për të qenë ndryshimi sa më lëndorë, ndihmuan shumë, madje, i paraprinë binomi Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Partitë-banda të koalicionuara në PAN, gjithsesi, me logjistikë besnike klanin brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së. Qysh në krijimin e Qeverisë Kurti, Albin kryeministri solli risinë e parë.

Partia, me tej 400 mijë votues, huazoi ministra profesionalë jashtë VV-së, përkundër kryeministrat e partive tjera shantazhohen dhe u imponohen, dhunshëm, ministra mediokër, vetëm pse janë anëtarë të partisë fituese! Opozita e mësuar, ndër vite, me pushtetin, po e përjeton rëndë humbjen e saj. Andaj, nuk po arrin, assesi, të pajtohet me pozicionin pritës. PAN-i zotëron organizatën ilegale, SHIK, të gatshme për destabilizim, pavarësisht, rrjedhojave për vendin.

Të ashtuquajturat "Shoqatat e dala nga lufta", me kallauzin e tyre Shoqatën e OVL të UÇK-së, krerët e së cilës, zbatuan projektin serb të organizimit të protestave vandale, të mars-prillit 2004, duke realizuar decentralizimin, deri ke "Zajednica", e mbetur në tentativë dhe nuk u penalizuan kurrë, por, qëndron si "Shpatë e Demokleut"! Bëra këtë parantezë, për të kuptuar pengesat, qoftë edhe fizike, që has Albin Kurti, në detyrën me shumë përgjegjësi të kryeministrit të Kosovës. Kreu aktual i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, i njohur si kryerrugaç në azilin gjerman në Schwabischhall, me katalogun e të gjitha poshtërsive, bllokon zyrën e Kryeministrit! Mjafton vetëm ky fakt, për të parë katandisjen e opozitës, të kapur nga SHIK-u dhe halabakët e tij.

Qeveria Kurti ka një ekip qeverisës të kompletuar intelektualisht. Në mesin e tyre ka edhe kuadro të rinj, jo me shumë përvojë. Por, nga ajo shumësi anëtarësie, ka specialistë të bollshëm, në të gjitha fushat. Të gjitha nismat që ndërmerrë Qeveria, opozita ia faturon qëllimit elektoral dhe i bllokon me bojkot e mosvotim! Problemi i trashëguar, me mbylljen e disa shkollave në komunën e Kamenicës, nuk ishte zgjidhje e duhur e Qeverisë Kurti. Çështja e shkollave, nuk duhet të jetë barrë e komunave. Ato, ashtu siç paguhen, duhet të jenë kompetencë e Ministrisë të Arsimit.

Me pakësimin e nxënësve, në zonat rurale, klasët janë përgjysmuar. Rrugët janë të mira, të shfrytëzohen autobusët ose minibusët enkas, për bartjen e nxënësve në shkollat më të afërta. Opozita akuzon kryeministrin Kurti si është vetjak në marrjen e vendimeve. Dibranët kanë një urtësi: "Në mendje-asnjë mendje; dy-mendje, gjysmë mendje; tri mendje-një mendje". Por, nga opozita e demantojnë pozitën, duke thënë se vendimet merren me konsensues të strukturave të partisë, rrjedhimisht, të Qeverisë. Pra, opozita është, kryesisht, destruktive dhe bllokuese, pothuajse, e të gjitha nismave të Qeverisë Kurti, sepse i konsideron të rrezikshme reformat, qoftë në drejtësi, qoftë në hetimin e pasurive të pa mbulesë reale, në raport me të ardhurat nga puna apo bizneset tjera. Të gjitha sondazhet flasin në favor të një qeverisje të mirë, madje me diferencë të madhe në përqindje./ Vijon

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat