Flet ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës, Sefer Pasha: Ja si ndodhi tragjedia e Gramoz Pashkos dhe e pilotëve

Intervista

Flet ish-Shefi i Gatishmërisë së Republikës, Sefer Pasha: Ja si ndodhi tragjedia e Gramoz Pashkos dhe e pilotëve

Nga: Albert Z. Zholi Më: 28 korrik 2022 Në ora: 16:28
Sefer Pasha

Vitet rrjedhin si lumenjtë. Shumë ndodhi të kësaj jete i shuan cikloni, që bën pluhur kujtesën. Por ka dhe ngjarje që rezistojnë, si lisat në mal. Nuk shkulen nga asnjë lloj stuhije. Ndërrohen pushtetet. Ikin qeveritë. Në Parlament shikon fytyra të reja. Aty ku dikur ka qenë helodromi i Gardës po ndërtohet një vepër arti. U hapën negociatat dhe lajmet gjëmojnë për’’Open Ballkanin’’. Ka shpërthyer lufta në Ukrainë. Tani në Shqipëri ka një President që quhet Bajram Begaj. Ilir Meta ka krijuar parti të re me emrin ’’Partia e Lirisë’’. E në përditshmëri ka bëma të shumta. Por një ngjarje nuk harrohet. E kemi fjalën në këtë shkrim për tragjedinë e profesor Gramoz Pashkos dhe të pilotëve Vangjel Çondi, Demush Heba dhe Qemal Koni.

Si e keni përjetuar këtë ngjarje?

Unë kam shkruar dhe herë të tjera për tragjedinë, por jo me detaje, jo me kaq specifika. Kam shkruar në përgjithësi. Por kjo situatë ka shumë veçori. Dhe deri në grahmën e fundit sa të jem gjallë assesi prapë do të shkruaj për çdo copë e grimë të ndodhisë së llahtarëshme të patrajtëshme. Vazhdoj të muroj një ëndërr të keqe. Çdo fjalë është një plagë e nuk pranon asnjë presje të tepërt. Si shef i Gadishmërisë së Gardës së Repubikës e kam hequr në kurriz tmerrin e asaj nate. I drithëruar në drejtimin e Sallës Operative të Gardës më terreshin sytë tek ndiqja marrëmënthi fije për pe tragjedinë dikund e askund. Jam i pari që disa familjarëve ju kam përcjellë lajmin e kobshëm të zhdukjes së helikopterit dhe të vdekjes së njerëzve të tyre të dashur. I llahtarshëm ka qenë lajmi për humbjen e djalit të profesor Pashkos.

-Kanë kaluar 16 vjet. Po çfarë ndodhi që në hasjen e parë?

Tragjeditë nuk kanë naze. S’ kuptohet mitologjia e tyre. Nuk i bëjnë të njohura lajmet e makthet kobësisht të egra. Vijnë dikah si vetë vdekja. Pas gjëmës jehona nuk shuhet.

16 korrik 2022. Jam në këtë ditë të korrikut përvëlues përpara ish godinës, ku ka qenë Salla Operative e Gardës. E si në tragjeditë e Shekspirit në vesh më gjëmojnë thirrjet e ububushme: - Alo! - Kolonel Çondi përgjigju! Përgjigju o Uliks i rrokaqiellit të Shqipërisë! Demosh Heba përse e ke mbyllur celularin!. Qemal Koni më dil në radio! - Alo! - Alo! Ministria e Mbrojtjes! Kulla e kontrollit ajror të fluturimeve të Rinasit na jepni informacion për kordinatat ku ndodhet helikopteri “Bell 222”? Përgjigju Kulla e Barit, e Malit të Zi, e Maqedonisë, Serbisë, Greqisë....Përpjekje të dëshpëruara. Heshtje varri. Të gjitha gardistët me kufjet në vesh japin e marrin, por s’ka asnjë sinjal. Oficeri i talentuar major Yzeir Sadikaj ishte aq i përqëndruar sa mua më dukej sikur ai do merrte ndonjë informacion nga UFO - t. Kushtrim! Bëhet llogarija matematikore e kohës. Helikopteri “Bell 222” duhet të kishte mbërritur në Bari të Italisë. Në orën 02.17 të datës 17 korrik 2006 helikopteri pati kontaktin e fundit me radio me Kullën e kontrollit ajror të Rinasit. Fluturimi ishte pa problem dhe Vangjel Çondi si pilot i parë raportoi kordinatat e fundit të ndodhjes së mjetit. Helikopteri ndodhej rreth 27 milje detare, 45 kilometra në perëndim të Durrësit në lartësinë rreth 1000 metra. Menjehrë pas këtij raportimi helikopteri është zhdukur nga radari.

Të gjithë në Gardë janë në ankth. Informacion kërkon Presidenti, Kryeministri, ministrat, ambasadori amerikan e të tjerë. Në sallën Operative të Gardës për pak minuta mbërrjnë nga Prokuroria, Shërbimi Informativ Kombëtar, SH.K.B – ja, ose më saktë nga të katër anët. Kontrollohen proces - verbalet, mbërritja e helikopterit në Helodromin e Gardës prej Korçës, e çdo lloj dokumenti e detaj që lidhej me zhdukjen e helikopterit që po transoprtonte për kurim në Itali Gramoz Pashkon. Më kërkon informacion një nga të afërmit e pilotëve të zhdukur dhe unë i përgjigjem me ato që di. Folësi që ishte nje emër i njohur i aviacionit shqiptar më thotë në fund të bisedës togfjalëshin, të cilin nuk do ta harroj kurrë: - “Familjet të hapin dyert e mortit”- tha ai. Nuk dua ta besoj. S’gabon Vangjel Çondi u them punonjësvet. Vangjel Çondi ka një jetë që është pilot i parë për tre presidentë e kryemistra. Ai ka çarë nëpër shtrëngata në dhjetra situata shumë herë më të vështira. Ka bërë fluturime në Gjermani, Itali, Francë, Greqi, Maqedoni, e në Mal të zi. Në nëntëdhjetë e shtatën ka shpëtuar jetë njerëzish të gjymtuar nga plumbat, të cilët i çonte nga Vlora për në Janinë. Emri i Vangjel Çondit nderohet në spitalin “Haxhi Kosta” të Janinës. Është e pabesueshme që në këtë kohë normale ai Vangjel Çondi, Demush Heba e Qemal Koni të bëjnë aksident ajror me helikopter. Ata janë mjeshtra e dinë ku të fluturojnë e ku të bëjnë ulje të detyruar. E kanë shkelur Shqipërinë në çdo pëllëmbë. Po kështu njohin edhe Italinë. Vangjel Çondi për të shpëtuar jetën e një turisti në alpe e ka futur helikopterin në një shteg ku kalojnë vetëm skifterët. Nuk ka asnjë dështim. Vetëm triumfe të njëpasnjëshme. Një nga kolonelët e shtabit të Gardës Qemal Pepiu më jep kurajo. Vetëm Vangjel Çondi nuk gabon. Ai tek shqiponjat dhe retë e ka shpirtin.

Në atmosferën dramtike kur edhe një çerek informacioni të jepte shpresë i ngarkuar emocionalisht e sillja në imagjinatën time në ato raste kur Vangjel Çondi vinte në Sallën Operative të Gardës për t’u njohur sidomos për gjendjen e motit. “Dhe pastaj moti u prish” i kujtoja Vangjelit një fjali nga një tregim i Heminguejt. Në çastet tragjike kur po e kërkonim Vangjel Çondi më shfaqej i plotë e s’më shqitej nga mendja.

-Kur e ke takuar për herë të parë Vangjel Çondin?

E pata takuar për herë të parë në sekretarinë e Shtabit të Gardës tek sekretarja, Moza. Vangjel Çondi po shtypte një material për një fluturim që do të bënte për në Kosovë. Sa më pa u çua në këmbë. Ishte i gjatë si lisat rrotull Syrit të Kaltër në Sarandë ku ai kaloi fëmininë. Më bëri përshtypje se qe i qeshur. Në pjerrësinë e ballit rrudhat m’u dukën si lule manushaqe si ato që rriten anës Bistricës. Fliste një gjuhë të qëruar e megjithatë merrej vesh se ishte nga viset e jugut. Është piloti Vangjel Çondi tha sekretarja, Moza. E njoha nga zëri iu përgjigja. Komunikojmë në radio kur ka fluturime. Jemi takuar ma ktheu Vangjel Çondi në pranverën e vitit 1999 në Fushën e Gjasë në Valbonë. Sollën ambasadorin amerikan. Qe fluturim i vështirë. Sa kishte mbaruar lufta e Kosovës dhe serbët ishin nëpër këmbë. Që nga maja e Kollatës mund të qëllohej mbi helikopterin. Vangjel Çondi dha dhe disa detaje të tjera, por unë nuk e mbaja mend. Kisha në atë kohë detyrë tjetër. U çudita me pamjen dhe me sjelljen e pilotit Vangjel Çondit. Po ky nuk ngjan fare me pilotët belbëzova me vete. Pilotët janë hije rëndë e në takimet me njerëzit janë disi të shkujdesur. Vangjel Çondi nuk kishte asnjë nga këto tipare. Mua ai më ngjau më tepër me një mjek psikiatër.

Çdo minutë që kalonte i shtonte dramës një gur tjetër të rëndë mbi qafë. Nga ato që thuhen në sallë askush nuk e beson që pilotët Vangjel Çondi, Demush Heba dhe Qemal Koni të bënin aksident ajror. Një nga këshilltarët e Kryeministrit, i cili erdhi për të vjelë ndonjë informacion thotë se s’ka përse të shpresojmë më që pilotët, Gramoz Pashko dhe të tjerët të jenë më gjallë. Arsye për aksident ajror s’ka. Vetëm në i kanë rrëmbyer jashtëtokësorët. Lajmi i sekondës së fundit është dhe më i çmendur.

-Pse? Kishte më çmenduri se kaq?

Bashkë me Gramoz Pashkon në helikopter ka qenë dhe djali i tij i vetëm, Rubeni, drita e syve. Oficerëve të shërbimit u jap kurajo. Të shpresojmë dhe tek mrekullitë e kësaj jete. Pilotët e sprovuar në beteja s’kishin sesi ta shkaktonin këtë tragjedi. Qielli me yje të ziliqeps. Yzeir Sadikaj që drejton shërbimin më thotë se më kërkojnë në telefon nga Malësia e Madhe. Me siguri që do të jetë i vëllai i Demush Hebës. Nuk e afroi gjëmën. Vëllait të Demush Hebës i jap shpresë. Demush Hebën gjithshtu e kisha mik. Ishim të një ditëlindjeje. Nuk kishte shumë kohë që Demushi më kërkoi për ta shoqëruar për në Institutin Gjeografik të ushtrisë. I duheshin disa harta. Vëllai im, Myslim Pasha, që ishte drejtor i dha çdo hartë që ja kërkoi miku im pilot. Demushi me Myslimin folën gjatë. Demushi kishte një pasion magjepsës për hartat. I lexonte hartat si të ishin tregime. Ai e vuri gishtin tregues në rudinat e Lumit të Gashit në Tropojë. Demush Heba ishte ulur me helikopterin mes minave surprizë dhe kishte shpëtuar jetën e një bariu, i cili qe gjymtuar nga minat e serbëve. Bariun e Çeremit e kishin mbështjellë me një lëkurë të madhe arushe. Demushi pasi e kishte lënë të plagosurin në Spitalin Ushtarak lëkurën e arushës e kishte marrë në zyrë dhe e ruante si kujtim nga Lumi i Gashit. E lexonte hartën me vëmendje dhe rrëfente për vendet, ku ishte ulur edhe kur binte borë e kish ciklon. Që nga Saranda e deri tek Ura e Mitrovicës. Në udhëtimin tragjik drejt Barit të Italisë piloti Demush Heba ka pasur me vete dhe një hartë me kordinatat mbi Adriatik. Ishte hera e parë që hartën e lexoi së prapthi. Ishte leximi më i keq. Situata u bë aq e mynxyrëshme sa midis gardistëve të shërbimit fillojë të mungojë etika në të folur. Trazohej fjalori ushtarak me klithmat e një katastrofe. Ububu e ububu! Atje në jug në fshatin tim kur kishte gjëma të mëdha sidomos me vdekje të djemeve të vetëm dikur gratë prisnin flokët, priteshin vreshtat e burrat qanin me guna të zeza mbi kokë. Klithma e vajit të grave përfundonte me vargun uluritës: “Korba odo! Korba porto!” Kyçej oda e mbyllej porta. Gramoz Pashkos i ishte mbyllur dera.

Në atë mjegull që të verbonte nga lajmet kontraditore më në fund u përpilua lista e plotë e personave të zhdukur në helikopterin, “Bell 222”.

-Dhe kush ishin ata sipas listës?

Ata ishin Vangjel Çondi piloti i parë, Demush Heba, pilot, Qemal Koni, inxhinier fluturimi. Aleksandër Baloi, mjek reanimator, Gramoz Pashko dhe Ruben Pashko, i biri i Gramoz Pashkos. Listën e vara në pjesën ballore të sallës operative për ta parë të gjithë ata që lypnin informacion e hynin e delnin njëri pas tjetrit. Salla Operative e Gardës u kthye në një “odë” morti. Një nga ministrat që kishte lidhje me Gramoz Pashkon preku me gisht emrin e Ruben Pashkos. Ministri filloi të lotojë. Ai më pyeti se çfarë dinim për aksidentin e Gramozit në Palasë pranë fshatit Dhërmi, dhe ne iu përgjigjëm me ato që dinim.

-Vërtet lind pyetja si u aksidentua në fillim Gramoz Pashko dhe ku?

Gramoz Pashko ishte rrëzur nga shkëmbinjtë dhe kishte përfunduar në det. Megjithëse mjeku i fshatit Dhërmi, Kosta Çipa, i kishte dhënë ndihmën e parë gjendja e tij ishte e rëndë. Në orën 15 një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë e solli urgjentisht në Tiranë në qëndrën spitalore “Nënë Tereza”. Helikopteri për transportimin e Gramoz Pashkos për në Bari të Italisë u nis rreth orës 21.50 të datës 16 korrik 2006. Ministri nuk dëgjoj më gjatë. Iku i alarmuar. Sytë nuk i ndaj nga lista e personave të zhdukur. Fiksohem tek Qemal Koni. Me inxhinjerin e talentuar të fluturimeve Qemal Konin isha takur tre - katër herë. Mjeshtri i mirëmbajtjes dhe i gjendjes teknike të helikopterit, “Bell 222”, ishte ai që firmoste nisjen e helikopterit për fluturim. Edhe për fluturimin për në Bari të Italisë doemos që do të merrej dhe mendimi i tij, prandaj dhe u përfshi në treshen e pilotëve. “Ekon” e helikopterit “Bell 222” e bënte vetëm Qemal Koni. Rrahjet e “zemrës” së helikopterit i dallonte inxhinjeri i magjishëm. Nuk kishte shumë kohë dhe me Qemal Konin kisha ngrënë drekë në Maminas të Durrësit. Në restorant të gjithë e përshëndetën me respekt Qemal Konin sikur të ishte deputet i zonës. “Ti je kryebashkiaku i yjeve”, i tha pronari i restorantit me të qeshur. Mua më pëlqeu krahasimi. Pronari pagoi dhe drekën. E sjell ndërmend atë ditë. Qemal Koni më kishte porositur t’i gjëja librin “Flutrim natën”, të Sent - Ekzyperit, i cili kishte qenë pilot dhe shkrimtar dhe që e kishte humbur jetën në një tragjedi ajrore. Unë librin e kisha me vete. Dhe ja dhurova librin “Fluturim natën”. Atë ditë në Maminas folëm për pilotin dhe shkrimtarin francez Sent - Ekzyperin. Dua t’i bëj një lidhje pasionit të Qemal Konit me atë të pilotit francez, por krahasimi nuk shkon. Tragjeditë nuk ngjajnë kurrë.

Situata rëndohet dhe në momentet dramatike shikoj se brenda gjëmës nuk ka asnjë shteg për fjalën e mirë. Lajmit të mirë i mbyllen portat. E ndërsa jap udhëzime belbëzoj atë vargun epik –

“Ç’ janë këto gjama që po i sjell era?”.

Erë nuk fryn, por telefonatat dhe radiot më ngjajnë më keq se stuhitë. Ndihem ngushtë kur kërkojnë lajme të reja familjarët. Le të dalin që të gjithë në telefon them me vete. Gratë e pilotëve Martha, Afrora e Razia, por vetëm nëna e Ruben Pashkos të mos i dëgjohet zëri. Kush mund t’i përgjigjet asaj. Tragjedia në familjen Pashko nuk ka kufi. Herë pas here mes ushtarakëve të Gardës radistë e specialistë ka dhe ndonjë debat. Kapiteneria e Portit të Barit ka thënë se forca e detit është rreth katër ballë. Ustallarët e aviacionit thonë gjithashtu se tragjedia ajrore mund të ketë ardhur nga vorbullat ajrorë. Vorbullat ajrore nuk i japin mundësi pilotit të rikap kuotën e fluturimit. Nuk mungojnë as hamendjet se tragjedia ajrore mbase ka ardhur nga një gabim njerëzor. Pilotët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk e morën përgjegjësinë për transportin e Gramoz Pashkos për në Bari të Italisë. Ata nuk ishin të specializuar për fluturime natën. Këtë mision e morën pilotët e klasit të parë Vangjel Çondi, Demush Heba e Qemal Koni. Vangjel Çondi kishte 15 vjet që mposhte çdo shtrëngatë. Atij i besohej fluturimi me helikopter i Presidentit, Kryeministrit, ambasadorit amerikan dhe përsonaliteteve të larta nga Evropa e Amerika. Ai nuk kishte njohur asnjë gërvishtje. Helikopteri që drejtonte ai nuk kishte marrë asnjë “gjemb”. Ka kaluar ora 3 e natës. Gjithçka rreth meje rrotullohet si në kaos. Në palcën e këtij kaosi radistët hamendësojnë e me fantazinë e tyre çfarë nuk thonë. Pilotët mundet ta kenë ulur helikopterin në fund të ndonjë honi. Ku s’ka asnjë fije vale. Po sikur ta kenë rrëmbyer piratët e ajrit? Ta kenë izoluar mijëra shpend të egër që ngatërrojnë drejtimet. Një mjegull e mistershme se lejon të ulet. Avari e paparë në ndërlidhje. Mbase i ka ngulur kthetrat në ndonjë ishull shkëmbor e kështu fillin e gjalmit e bëjnë triko, e shqepin, dhe e fillojnë sërish trikon. Broçkullitje i them vetes. Katastrofa ka ndodhur. Pas pak zgjas kokën në dritare. Yjet mbi Dajt të “hanë” me sy. Nuk ka asnjë shpresë i them vetes. Atje tek Ylli i Mbrëmjes është Vangjel Çondi, Demush Heba e Qemal Koni.

Më datën 16 korrik 2022 mbushen plot 16 vjet që tre yjet e aviacionit shqiptar në Gardën e Republikës Vangjel Çondi, Demush Heba dhe Qemal Koni nuk janë më mes nesh. Është e zorëshme që kësaj tragjedie t’i mbyllen plagët. Sa herë që dëgjoj zhurmë avionësh në imagjinatën time vjen imazhi i tre pilotëve të zhdukur më 16 korrik të vitit 2006. Më ngjan sikur kolonel Vangjel Çondi do t’më thotë: - “Jam Vangjel Çondi. Të flas nga Thethi, Mitrovica, Korabi, Shishtaveci, Tomorri, Këndërvica, Llogoraja…Dhe telefonata e fundit: “Salla Operative e Gardës! Fiksoheni orën 21. 50 minuta të datës 16 korrik 2006. U nisëm për në Bari të Italisë për të mjekuar doktor Pashkon. Jemi sërish të tre. Me mua janë Demush Heba dhe Qemal Koni”. Aparatura e Sallës Operative të Gardës në “trurin” e saj mban të regjistruara të gjitha bisedat. Po kjo bisedë e fundit e Vangjel Çondit a është ruajtur? Do të ishte fat sikur zëri melodioz i kolonel Çondit të ishte e të shumfishohej në disqe e të përdorej për në ndonjë këngë për tre pilotët e dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Në mbyllje të kësaj eseje po rendisë dhe katër vargje nga një poemë e botuar për tre pilotët: - /Vangjel Çondi quhet një mal/ /Dhe tjetri quhet Qemal Koni/ /Demush Heba o mik më fal/ /Alpet e veriut i dalloje nga Joni/.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat