Ekskluzive/ Tërmkolli: Ndikimi serbo-rus, turko-arab dhe i Sorosit, po e gërryejnë Kosovën, ja pse duhet të jap dorëheqje qeveria Kurti 

Intervista

Ekskluzive/ Tërmkolli: Ndikimi serbo-rus, turko-arab dhe i Sorosit, po e gërryejnë Kosovën, ja pse duhet të jap dorëheqje qeveria Kurti 

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 gusht 2022 Në ora: 19:57
Melihate Tërmkolli

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, flet rreth situatës aktuale politike e shoqërore në vend.

Ajo thotë se situata aktuale politike në Kosovë është e rëndë, me shumë të panjohura, me pasiguri të lartë të qytetarëve për jetesën e tyre dhe me mjegullnajë politike e të sigurisë të shkaktuar nga mosveprimet e qeverisë.

Sipas Tërmkollit, logjika e politikës së kësaj qeverie është për një shtet e një popull të varfër dhe një lloj barazie të qytetarëve në varfëri.

“Jotransparenca po e përcjell edhe këtë qeveri, ndërsa krejt ata që kishte kritikuar Albini opozitar po i bën tani si pushtetar, pa fije turpi, pa një kërkim falje ndaj qytetarëve me një pretendim se kanë ndryshuar rrethanat”, ka thënë mes tjerash ajo.

Për këtë arsye ajo ka thënë se qeveria duhet të dorëhiqet. 

Ish deputetja ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj çështjeje, ndikimin ruso-serb në Ballkan e tjerë. 

 Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zonja Tërmkolli, si e komentoni situatën aktuale politike në vend? 

Melihate Tërmkolli: Situatë e rëndë, me shumë të panjohura, me pasiguri të lartë të qytetarëve për jetesën e tyre, me një mjegullnajë politike e të sigurisë e shkaktuar në masë të madhe nga veprimet dhe më shumë nga mosveprimet e Qeverisë. Sipas FMN-së, Kosova është vendi më i varfër në rajon e rrjedhimisht edhe në Evropë. Në këtë pozitë kemi qenë edhe në kohën e okupimit dhe sundimit serb e jugosllav. Zbrazja e vendit nga qytetarët është me shumë pasoja. Në anën tjetër janë kërcënimet e pandalshme të Serbisë ndaj Kosovës, me deklarime ogurzeza edhe për vrasje të serbëve që Serbia edhe i bën vetë, përfshirë rastin “Panda” në luftën e fundit në Kosovë, për të përligjur masakra, krime e gjenocid kundër shqiptarëve dhe një reagim i papjekur i Qeverisë ndaj këtyre kërcënimeve. Rritja enorme e çmimeve të produkteve më elementare me kërkesë dhe nxitje edhe nga Qeveria, paralajmërimet për greva etj, e bën situatën gati para një kolapsi. Në krejt këtë situatë, Qeveria është jashtë realitetit, në një botë imagjinare të saj, sikur krejt kjo situatë po ndodhë në një planet tjetër. 

“Bota sot”: Si po qeveriset aktualisht me Kosovën? 

Tërmkolli: Në Kosovë nuk po bëhet as politikë, as qeverisje, e shumta janë disa veprime teknike të Qeverisë që nuk do të thonë asgjë. Aq më pak të flitet e të punohet me një vizion të qartë politik e kombëtar për vendin. 

Ashtu siç bëri lojë me popullin si opozitar, Albin Kurti po luan me këtë popull edhe më keq si pushtetar. Logjika e politikës së kësaj qeverie është për një shtet e një popull të varfër dhe një lloj barazie të qytetarëve në varfëri. Askund nuk ka një plan zhvillimor të vendit. As zhvillim ekonomik, as punësim, pothuaj asgjë. Një qeveri që për gati dy vite nuk arrin të realizojë asnjë investim kapital është dështim i madh për vendin dhe si e tillë, e pakta, qeveria do të duhej të dorëhiqej. Tendenca për diktat dhe veprime jokushtetuese është me pasoja, por edhe ofendim i madh për qytetarët. Jotransparenca po e përcjell edhe këtë qeveri, ndërsa krejt ato gjëra që i ka kritikuar Albini opozitar po i bën tani si pushtetar, pa fije turpi, pa një kërkim falje ndaj qytetarëve me një pretendim se kanë ndryshuar rrethanat. Në fakt, e vetmja rrethanë që ka ndryshuar është se ai tani është në pushtet. Asgjë tjetër! Ikja e qytetarëve dhe zbrazja e vendit është bërë model me të cilin kryeministri Kurti, në vend se të turpërohet, po krenohet. Nxitja e përçarjeve politike, por edhe fetare e të natyrave tjera është mënyrë e “zgjidhjes” së problemeve reale të qytetarëve. Do të duhej të ishte e kundërta. Duhet dije, pjekuri e maturi e madhe politike, gjë që kësaj qeverie po i mungon. Ka mungesë të madhe të kapaciteteve, të potencialit, dijes, përvojës e kulturës politike shtetërore. Ka vetëm demagogji e fraza boshe që po quhen “popullizëm”. 

Kryeministri, më tepër del të jetë i preokupuar me veten e tij, ku e si do të mbetet në histori, se sa me Kosovën dhe interesat e saj. Politikanë të tillë janë rrezik për vendin. Tendenca për kthim të Kosovës në pikën “zero”, është në këtë funksion. Jo pak politikanëve shqiptarë, ambicia e madhështisë së rrejshme dhe protagonizmit, ua ka humbë jo veç karrierën, por edhe fytyrën e ndonjëherë edhe atdheun e shtetin.

“Bota sot”: Ditëve të fundit temë kryesore e diskutimit është bërë kërkesa për ndryshimin e udhëzimit  administrativ për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, çfarë mendimi keni ju për këtë, a duhet të ndryshohet ky udhëzim? Po ashtu, kjo temë po diskutohet vetëm pak ditë para mbajtjes së takimit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Kurtit dhe presidentit të Serbisë, mendoni se mund të kenë lidhje këto njëra me tjetrën? 

Tërmkolli: Është temë e kahershme, ndërsa tani edhe mund të jetë e stisur nga vetë Qeveria për arsye të ndonjë kompromisi me deputetët e vet siç po flitet. Përtej kësaj hamendjeje, kjo është çështje serioze e funksionimit të shtetit mbi parime kushtetuese e civilizuese. Natyrisht se e shtruar tani, kjo temë është veç në funksion të interesave të Serbisë e Rusisë, jo pse shtrohet si temë, por për faktin sepse ekziston si problem. Nuk reduktohet kjo temë vetëm te “shamia”, por te islami politik ose politizimi i islamit, islami radikal etj. Është çështje e rëndë dhe e rrezikshme për interesat e vendit. Për më se njëqind vite Serbia ka propaganduar kudo në Evropë kundër shqiptarëve pikërisht në këtë pikë, duke na paraqitur si islamistë radikalë dhe rrezik për Evropën, gjë që nuk është se nuk kanë pas sukses, dhe për po aq kohë ne shqiptarët u jemi kundërvënë kësaj propagande. Tani Serbia dhe as Rusia nuk po kanë nevojë të propagandojnë sepse ne vetë, “vullnetarisht” po i realizojmë interesat e tyre. 

Temat kombëtare janë zëvendësuar me temën fetare. Ku ka shërbim më të mirë për Serbinë?!

Por, kjo temë, duhet të zgjidhet njëherë e mirë, nga shteti, nga Qeveria, por me sa po shihet jo nga kjo Qeveri dhe as nga partitë që janë në opozitë. 

Janë bashkë të gjithë në këtë pikë. 

Të flasë e të deklarojë një “hoxhë” për shamitë ashtu siç deklaroi Kryeministri i Kosovës edhe mund të kuptohet, por të flasë ashtu Kryeministri nuk do koment! Me këtë mendësi, mund të jetë veç një “hoxhë”, por jo Kryeministër i Kosovës. Një puro komunist me “shami të kuqe” dhe një hoxhë me “shami të zezë”, është kombinimi më fatal për një popull, një shoqëri e shtet. 

Natyrisht, jo rastësisht kjo temë hapet edhe me peticione madje, në kohën kur Serbia është në kulmin e agresionit kundër Kosovës dhe kur bota po bën përpjekje t’i ulë tensionet mes Kosovës e Serbisë dhe në rajon. Kjo temë është agjendë e përhershme e Serbisë dhe Rusisë, ndërsa në këtë kohë del të jetë edhe agjendë e Albin Kurtit pa përjashtuar “opozitarët”. 

“Bota sot”: Çfarë prisni të ndodhë në takimin e 18 gushtit në Bruksel? 

Melihate Tërmkolli: Albin Kurti ka hyrë ose e ka pranuar “kurthin” e bisedimeve “teknike” nga mungesa e guximit politik e kombëtar dhe pafuqia për të hyrë në thelbin e bisedimeve dhe marrëveshjes. Natyrisht, Serbia po bën të pamundurën për të mbetur në këto nivele të bisedimeve sepse është interes i saj të bëhet sikur po bisedon duke pritur një situatë dhe rrethana që mund t’i hedhin në erë krejt marrëveshjet e bisedimet.  

Në këtë kuptim nuk pritet ndonjë gjë e veçantë nga takimi i 18 gushtit. Sigurisht, sipas logjikës së ngjarjeve e situatës, mund të bisedohet për çështje të sigurisë në Kosovë e në veçanti në veri të vendit dhe eventualisht për ndonjë temë “teknike”. Mund të përmendet edhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.   

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti kohëve të fundit ka përsëritur në vazhdimësi retorikën rreth mundësisë për një luftë nga Serbia në Kosovë, si e komentoni ju këtë? 

Tërmkolli: Mundësia për një luftë të Serbisë në Kosovë nuk është hequr asnjëherë. Serbia në vazhdimësi udhëhiqet nga politika prej agresori ndaj Kosovës, herë më hapur e herë më fshehtas. Por, retorika e luftës nuk mund të jetë qasje e politikës shtetërore të Kosovës.

Retorika e luftës dhe frazat boshe pa asnjë veprim, më shumë se produktive janë kundërproduktive. Edhe SHBA-ja edhe BE-ja po i shohin lëvizjet e Serbisë dhe përsëritja e vazhdueshme se mund të ketë luftë në Kosovë sikur ndjell dhe provokon një lëvizje të tillë. Është krejt normale që në këto sulme të pandërprera të Serbisë, të reagojnë edhe Kryeministri edhe Presidentja, por kjo nuk mund të bëhet mënyrë e sjelljes politike sikur ka ndodhë lufta në Kosovë, ndërsa ata gjenden nëpër koncerte!

Duhet punë e madhe me institucionet e vendit, me KFOR-in dhe me të gjithë aleatët tanë. 

“Bota sot”: Nga ana tjetër, edhe Serbia nuk po i ndal kërcënimet ndaj Kosovës, rreth vendosjes së reciprocitetit në targa e dokumente personale, a mendoni se këto kërcënime mund të prodhojnë dhunë, trazira apo edhe luftë, e cila po përmendet nga kryeministri Kurti? 

Tërmkolli: Një gjë duhet sqaruar dhe duhet ditur gjithnjë se Kosova është në të drejtën e saj të plotë në zbatimin e masave të reciprocitetit, në veçanti për një marrëveshje, e cila është pranuar edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Ajo që Qeveria nuk po e kupton ose nuk don ta kuptojë është se zbatimi i reciprocitetit në kushtet aktuale don kujdes dhe mjete të përshtatshme ashtu si edhe një bashkërendim të plotë me aleatët. Është e papranueshme t’i dërgosh njësitet elite të policisë së Kosovës e të “poshtërohen” nga një grusht banditësh serbë në veri të vendit. Kryeministri Kurti e bëri të njëjtin gabim dy herë brenda një viti! 

“Bota sot”: Bazuar në gjithë këto zhvillime si mendoni se do të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? 

Tërmkolli: Është vështirë të thuhet se do të ketë apo jo marrëveshje finale. Kosova ka interes ta heqë këtë gur që po rëndon në qafën e saj me dekada duke penguar proceset politike e zhvillimore të vendit si dhe proceset integruese evropiane dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. 

Kryeministri Kurti nuk po e tregon seriozitetin që duhet për një marrëveshje të tillë. Me sa po shihet nuk e ka guximin politik as kombëtar për një veprim të tillë, sado që “shitet” për shumë patriot!

Në anën tjetër, miqtë e aleatët tanë, kanë emëruar jo vetëm përfaqësues për këtë çështje, por edhe i kanë bërë të qarta madje edhe “vijat e kuqe” të një marrëveshjeje finale me Serbinë duke përsëritur gjithnjë se marrëveshja duhet të jetë me njohje reciproke. Te Kryeministri Kurti mund të ndodhë edhe një “çudi”, që nga një person, i cili ka refuzuar gjithçka për Kosovën, përfshirë edhe pavarësinë, tani për pushtet të pranojë gjithçka. 

Përndryshe, në gjendjen në të cilën është Kosova, me mungesë enorme të kapaciteteve qeverisëse e edhe më tepër kapacitetet për bisedime me Serbinë, Kryeministri serioz do të mblidhte “kokat” intelektuale, kombëtare e profesionale dhe të jepte një zgjidhje për marrëveshje finale. Ai po bën të kundërtën, ndërsa institucionet, përfshirë edhe diplomacinë janë “mbushë” me UDB-ash ose fëmijë të tyre dhe me neojugosllavë! Është e qartë se pa kyçjen direkte të SHBA-ve në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk ka marrëveshje finale. BE-ja, me sa është parë nuk ka as vullnet dhe as kapacitete të mjaftueshme dhe po ashtu nuk ka një harmonizim të politikave rreth Kosovës dhe për Ballkanin Perëndimor. Për marrëveshje nevojitet veç detyrim i Serbisë.

“Bota sot”: Sa është e rrezikuar Kosova nga ndikimi rus në Ballkan nëpërmjet Serbisë dhe si mund të luftohet ky ndikim? 

Tërmkolli: Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor është në rrezik permanent nga ndikimi rus edhe përmes Serbisë. Ky ndikim mund të luftohet me politika të mençura kombëtare dhe me bashkëpunim të ngushtë me miq e aleatë. Kosova ka mekanizma për t’ia prerë rrënjët këtyre ndikimeve edhe ruse edhe turko-arabe po të ketë politikanë që e shohin Kosovën para numrave, biznesit e pushtetit të vet.

Për të qenë më të qartë, janë tre faktorë ndikues që në vazhdimësi po e gërryejnë Kosovën: ndikimi serbo-rus, turko-arab dhe Sorosi, të cilët pavarësisht interesave, qëllimeve e motiveve që kanë çojnë në një pikë: rrënimin e shtetit të Kosovës dhe vrasjen e nervit kombëtar, pra cenimin e identitetit kombëtar, për ta bërë një popull e një shoqëri amorfe e të pandjeshme ndaj çdo sulmi në këto vlera. Një popull pa identitet kombëtar në emër të “shoqërisë së hapur” ose zëvendësimi i identitetit kombëtar shqiptar me atë fetar dhe një shtet islamik, në emër të të drejtave e lirive evropiane! Ndërsa, kryefaktori në këtë mes është klasa politike e Kosovës, e cila me preokupimin e vetëm për pushtet, për para e numra, në pakt edhe me “djallin”  jo veç i ka pranuar, por u është nënshtruar këtyre agjendave duke dëmtuar shtetin e kombin deri në palcë.

“Bota sot”: Është përmendur kohët e fundit edhe mundësia për rrëzimin e Qeverisë Kurti deri në vjeshtë, mendoni se mund të ndodhë kjo dhe cila mund të jetë arsyeja? 

Tërmkolli: Qeverinë Kurti, e kam thënë edhe kohë më përpara, mund ta rrëzojë më së shpejti vetëm Albin Kurti. Faktori kryesor mund të jenë bisedimet me Serbinë ose marrëveshja finale me Serbinë. Nuk përjashtohen edhe faktorë tjerë.

“Bota sot”: Si është gjendja aktuale brenda LDK-së, a është partia më unike se sa që ishte më parë?

Tërmkolli: S’ka mbetë çfarë të ndahet më shumë në LDK, apo ka ende?! 

Ajo që është e rëndësishme është se as LDK-ja dhe as partitë tjera “opozitare”, nuk kanë një plan as projekt politik për çështje thelbësore esenciale për shtetin e kombin. Janë kozmetikë e pushtetit, madje edhe imitatorë, me deklarata për çështje periferike pa hyrë asnjëherë në esencë të problemeve dhe zgjidhjes së tyre. Mbase nuk dinë ndryshe!  Përndryshe LDK-ja, pas Presidentit Rugova e në veçanti që kur sorosianët janë në krye të saj, kanë larguar pothuaj të gjithë përfaqësuesit më eminentë të politikës rugoviane, ndërsa përditë thirren në Rugovën.

Megjithatë, në LDK dhe në këtë vend ka ende potencial politik e kombëtar, me bazament rugovian që mund të udhëheqin politika të mirëfillta shtetërore kombëtare.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat