Lama: Kurti e ka të pamundur zbatimin e reciprocitetit, Vuçiq mori përgjigjen e qartë nga NATO-ja

Intervista

Lama: Kurti e ka të pamundur zbatimin e reciprocitetit, Vuçiq mori përgjigjen e qartë nga NATO-ja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 25 gusht 2022 Në ora: 21:58
Alma Lama

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali Alma Lama, ka thënë se Qeveria e Kosovës, pavarësisht premtimeve, e ka të pamundur të zbatojë reciprocitetin me Serbinë për targat e veturave dhe dokumentet hyrje-dalje.

Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Lama ka vlerësuar situatën si të ndërlikuar, pasi Serbia po përpiqet të fitojë kohë. Por, sipas saj, Serbia e ka marrë përgjigjen e qartë nga NATO-ja për fjalorin “imagjinar” të dhunës në veri të Kosovës.

E pyetur se si duhet të veprohet që të shmanget skenari i tensioneve me barrika të 31 korrikut, Lama ka kërkuar koordinim të institucioneve të Kosovës me ndërkombëtarët për të gjetur zgjidhje me dialog.

“Kryeministri duhet të angazhohet që të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që përfundon me njohje reciproke, pasi çështja e targave, dokumenteve, simboleve etj, nuk zgjidhet asnjeherë nëse nuk bëhet brenda një kuadri më të gjërë politik e diplomatik, që do të ishte një marrëveshje”, ka deklaruar ish-ambasadorja.

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, është më e dobëta dhe më e pa eksperienca që ka pasur Kosova deri tani.

këtë intervistë, Alma Lama ka kritikuar ministren e Jashtme Donika Gërvallën për sjelljet me stafin diplomatik, emërimet e ambasadorëve dhe për largime arbitrare të diplomatëve nga misionet e deklarata të pamatura.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Znj. Lama, Kosova, sikurse vendet tjera të botës, po përballet me kriza të shumta politike, ekonomike, energjetike, shëndetësore. Si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme të Kurtit, a po arrin t’i përmbush pritjet e votuesve të saj?

Alma Lama: Padyshim që ka një krizë ekonomike në shkallë globale që ka shkaktuar inflacion dhe rritje çmimesh edhe në Kosovë, shoqëruar edhe me rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve, dhe këtu nuk mund të fajësohet Qeveria e Kosovës. Po kështu kjo krizë që u shkaktua si pasojë e agresionit rus mbi Ukrainën, erdhi menjëherë pasi krizës globale të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, që gjunjëzoi një pjesë të mirë të ekonomisë edhe në Kosovë. Por problem i qeverisjes së Kurtit deri tani është paaftësia për të reaguar në përballje me këto kriza, paaftësi për ndërhyrë me anë të masave adekuate siç kanë bërë plot vende të tjera, për uljen apo përmbajtjen e inflacionit, të çmimeve. Kjo qeveri është treguar e paaaftë në fushën e investimeve, dhe si duket kjo lidhet drejtpërdrejtë me drejtuesit e ministrive që nuk kanë asnjë lloj eksperience në qeverisje. Deri tani kjo qeveri ka shpërndarë buxhetin në formë ndihmash për ata që punojnë me nga 100 euro, gjë që dëshmon se nuk ka asnjë plan apo strategji se si të adresojë problemet madhore të ekonomisë. Edhe në fusha të tjera si shëndetësi, arsmim, drejtësi etj, gjendja mbetet e njëjtë, mungojnë reformat esenciale dhe investimet. Kjo qeveri ka pasur sukses deri diku vetëm me propogandë, për të menaxhuar opinionin publik në lidhje me premtimet e bëra, por në esencë, mendoj se është qeveria më e dobët dhe më e pa eksperiencë që ka pasur Kosova deri tani.

“Bota sot”: Nga kampi i LDK-së kanë paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti 2, në vjeshtë. A mundet opozita ta rrëzojë Kurtin, a mund t’i sigurojë numrat? Marrë parasysh edhe tensionet dhe përplasjet aktuale me Serbinë, a do të ishte e duhur shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Alma Lama: Qeveria Kurti ndihet shumë komod përsa i përket presionit opozitar dhe ka disa arsye. Arsyeja kryesore është se asnjë nga partitë opozitare nuk është e interesuar për zgjedhje aktualisht, pasi sondazhet tregojnë se do të dalin sërish humbëse, pavarësisht se rezultati mund të mos jetë ai i 14 shkurtit 2021. Që nuk janë të interesuar për zgjedhje e tregon edhe aksioni i dobët opozitar, ku thuajse nuk dëgjohen fare, rrinë nën hijen e qeverisë për temat madhore, ndërkohë bëjnë sikur debatojnë në parlament, sa për të sy e faqe në raport me votuesit e tyre. Besoj se në këtë mosinteresim për zgjedhje ka disa strategji. Së pari LDK dhe PDK, që kanë liderë të rinj të zgjedhur pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, më shumë janë të interesuar të forcojnë pozitat e tyre brenda partive respektive sesa për të shkuar në zgjedhje. Pastaj unë shoh se ka një taktikë për ta lënë qeverinë Kurti të vazhdojë të dëshmojë paaftësi në qeverisje, dhe në këtë mënyrë të zhgënjejë votuesit që i dhanë fitoren e madhe, duke e cilësuar si qeveri e shpresës, dhe për hir të së vërtetës kjo po ndodh. Një arsye tjetër besoj që partitë kryesore opozitare nuk duan zgjedhje tani, është dialogu me Serbinë. Ata presin që të shohin se çfarë do të bëjë Kurti si kundërshtar i madh i dialogut në të shkuarën, dhe tani për tani nuk janë të interesuar ta marrin në dorë pataten e nxehtë. Kryeministri i di këto, prandaj ndihet komod dhe i lejon vetes edhe të tallet me opozitën here pas here, dhe t’i shpërfillë dhe injorojë sa herë të dojë.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti po këmbëngul në vazhdimësi se ekziston mundësia për një luftë nga Serbia në Kosovë, si e komentoni ju këtë?

Alma Lama: Ky është një fjalor i papërgjegjshëm dhe i pabazë që shkon në favor të palës kundërshtare. Askush nuk e mohon qasjen destruktive të Serbisë në Kosovë dhe kjo nuk është një risi, por t’iu biesh daulleve të luftës, ndërkohë që Kosova është një vend që mbrohet nga NATO, është injorim i realitetit dhe fyerje për NATO-n. Ky fjalor e ekspozoi Kosovën në mediat ndërkombëtare si një vend i pasigurtë, që shihet me skepticizëm nga çdo investitor potencial. Kosova gjatë këtyre 20 viteve është angazhuar shumë që të largojë imazhin e luftës, por të perceptohet si një vend i sigurtë dhe normal. Përse duhet të bëjmë hapa pas? Çfarëdo shqetësimi apo provokimi nga ana e Serbisë, duhet të diskutohet hapur me partnerët ndërkombëtarë, por mënyra sesi shprehet Kryeministri apo Ministria e Jashtme në mediat ndëkombëtare duhet të jetë shumë e kujdeshme, në mënyrë që akuzat për Serbinë të mos dëmtojnë vetë Kosovën.

“Bota sot”: Po akuzat e opozitës drejtuar Kurtit se po nxitë luftë në veri të Kosovës, si i shihni?

Alma Lama: Mendoj se as opozita nuk ka të drejtë të thotë se kryeministri po nxit luftë, pasi kjo është një fjalë shumë e madhe. Në veri ka tensione si pasojë e prishjes së status quo-së, përsa i përket targave dhe dokumenteve të udhëtimit, pasi serbët ka 11 vite që nuk e respektojnë marrëveshjen. Natyrisht Kurti është i vetëdijshëm se çdo veprim për të vendosur reciprocitetin në veri mund të shkaktojë reagimin e serbëve lokalë, pas të cilëve qëndron Beogradi zyrtar. Prishja e status quo-së mund të bëhet fare lehtë në atë pjesë të Kosovës, puna është se cilat janë hapat e ardhshëm, pas një tensionimi dhe sa mund ta implementojë qeveria reciprocitetin. Deri tani të gjitha përpjekjet e të gjitha qeverive të Kosovës kanë dështuar, sepse në veri kemi një popullsi që kundërshton fuqishëm autoritetetin e saj.

“Bota sot”: Çka parashihni se do të ndodhë me 1 shtator, ditën kur Qeveria e Kosovës do të nis zbatimin e dy vendimeve të reciprocitetit me Serbinë, targat e veturave dhe dokumentet hyrje-dalje? A mund të ketë sërish tensione?

Alma Lama: Siç e thashë më lart, qeveria e Kosovës, pavarësisht premtimeve, e ka të pamundur të zbatojë reciprocitetin me Serbinë për targat e veturave dhe dokumentet hyrje-dalje, edhe pse për këtë ekziston një marrëveshje e arritur në Bruksel ndërmjet të dyja vendeve.

Jo më kot zgjidhja kërkohet në bisedimeve me përfaqësuesin e Serbisë dhe ajo do varet nga presioni që vendet e BE-së dhe SHBA-së do t’i bëjnë Vuçiqiit. Situata është mjaft e komplikuar pasi edhe qëndrimet e Rusisë në raport me Serbinë janë radikalizuar, përsa i përket Kosovës. Realisht Serbia ndodhet në senduiç dhe duke u kuptuar të lexoj lëvizjet e saj, mendoj se po përpiqet të fitojë kohë. Kjo e shpjegon edhe ashpërsimin e fjalorit nga ana e Vuçiqit, që flet për skenarë imagjinarë të dhunës ndaj serbëve në Kosovë. Besoj se e ka marrë përgjigjen e qartë nga NATO, në lidhje me këtë fjalor.

“Bota sot”: Si duhet të veprojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, për të shmangur skenarin me vënien e barrikadave nga serbët, siç ndodhi me 31 korrik?

Alma Lama: Duhet koordinim me ndërkombëtarët për të gjetur zgjidhje me dialog. Të veprohet në interesa afatgjatë për Kosovën, jo të shikohen interesat partiake. Zbatimi i marrëveshjes për targat ka 11 vite që rri pezull, dhe nuk përbën ndonjë urgjencë. Kryeministri duhet të angazhohet që të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që përfundon me njohje reciproke, pasi çështja e targave, dokumenteve, simboleve etj, nuk zgjidhet asnjeherë nëse nuk bëhet brenda një kuadri më të gjërë politik e diplomatik, që do të ishte një marrëveshje. Prej 11 vitesh Kosova është në dialog me Serbinë, por gjendja mbetet e njëjtë në terren. Serbia nuk e ka probem të vazhdojë edhe 11 të tjera kështu, sepse nuk ka çfarë humb, kurse Kosova vazhdon të mbetet shtet i panjohur plotësisht në arenën ndërkombëtare, ndërsa ka problem me ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin.

“Bota sot”: Serbia prezantoi armët e reja pak ditë para takimit të Vuçiqit me Kurtin në Bruksel. A është ky një sinjal se Vuçiq mund të nisë një konflikt të armatosur në veri të Kosovës, përkundër thirrjeve të tij për vendosje të qetësisë? A po luan ai me dy “karta”?

Alma Lama: Këto janë sjellje sharlataneske të Vuçiqit, që kërkon të bindë votuesit e tij në Serbi se po bën gjithçka për Kosovën, pasi ai e di mirë se ka përballë ushtrinë e NATO-s që e mbron Kosovën. Por ai me këto shfaqje që bën, po arrin të krijojë tensione te politikanët e Kosovës dhe më gjërë.

“Bota sot”: Sa është i mundshëm traktati për mbrojtje të ndërsjellë Kosovë-Shqipëri, të cilin ia kërkoi presidentja Osmani, presidentit Begaj?

Alma Lama: Nuk është i mundur, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk ka të drejtë të lidhë traktate ushtarake me vende të tjera jashtë ombrellës së organizatës veriatlantike, siç është e përcaktuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut, neni 8. Nga ana tjetër, Kosova mbrohet nga NATO, pra Shqipëria si anëtare merr pjesë në mbrojtjen e Kosovës, edhe pse jo direkt me trupa, por është në tryezën e vendimmarrjes. Propozimi për një traktat mbrojtjeje duket se është i pastudiuar mirë nga ana e presidencës, por ajo çfarë realisht ka nevojë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ësstë shtensionimi i raporteve ndërmjet drejtuesve të te dy shteteve, pasi janë në pikën më të ulët. Sot kemi presidenten që nuk flet me kryeministrin shqiptar, apo kryeministrin e Kosovës që mesi flet me kryeministrin e Shqipërisë. Nuk po hyj të shtjelloj se kush e ka fajin për këto raporte, por është mirë që në këtë drejtim të mendohet vërtetë për ndonjë “traktat miqësie”, meqë raportet vëllazërore nuk po funksionojnë.

“Bota sot”: Sa janë të rrezikuara Kosova dhe Shqipëria nga ndikimi rus, a ka dyshime konkrete për agjentë rusë ose persona të infiltruar në Kosovë dhe Shqipëri, sidomos pas arrestimit të gazetares ruse dhe dy francezëve me automjete ruse në Leposaviq? Shto këtu edhe incidentin e fundit në uzinën ushtarake në Gramsh?

Alma Lama: Shërbimet ruse kanë qenë aktive në rajon prej kohësh. Kosova ka qenë tërësisht e ekspozuar ndaj këtyre shërbimeve, që herë janë kamufluar si punonjës të organizatave ndërkombëtare, herë të infiltruar në administratën e UNMIK-ut. Në veri të Kosovës sidomos, ata janë shumë më të lirë dhe raportime ka pasur disa herë, ndërkohë që Qendra e ashtuquajtur Humanitare në Nish të Serbisë, është stacioni rus i spiunazhit për rajonin. Përsa i përket incidenteve të fundit në Shqipëri, unë shoh se më shumë ka ekspozuar mungesën e vigjilencës dhe të sigurisë së shtetit shqiptar, në fushën e mbrojtjes. Shërbimet sekrete ruse janë të pranishme edhe atje, por gjithsesi Shqipëria është vend i NATO-s dhe bashkëpunimi me aleatët e bën më të mbrojtur ndaj çdo përpjekeje për diversion dhe destabilizim, një metodë që shteti rus po e përdor në tërë botën për të arritur qëllimet politike.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deritanishme të ministres Gërvalla? Pse ende nuk u bind asnjë nga pesë shtete anëtare të BE-së për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur?

Lama: Nuk do ta akuzoja ministren e Jashtme të Kosovës përsa i përket njohjeve të pesë vendeve të BE-së pasi kjo nuk është në dorën e saj, ashtu sikurse nuk ka qenë në dorën e paraardhësve të saj. Unë besoj se qëndrimi i këtyre pesë vendeve tashmë është i betonuar; presin një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, që do të kurorëzohej me njohje, në mënyrë që të lëvizin nga pozicionet e tyre të mosnjohjes. Të gjitha këto vende mbështesin dialogun, dhe nuk kanë bërë pengesa asnjëherë në rrugën e Kosovës drejt integrimeve, dhe qasja e tyre do të vazhdojë të mbetet e njëjtë deri në pikën e kthesës së madhe. Këtyre vendeve nuk u ka mjaftuar as arsyetimi i vendimit të GJND-së për njohjen. Por, puna e ministres mund të kritikohet për çështje të tjera, për paraqitjet e saj ndërkombëtare, për sjelljet me stafin diplomatik, për emërimet e ambasadorëve, disa prej të cilëve janë poshtë çdo niveli, për largime arbitrare të diplomatëve nga misionet e deklarata të pamatura.

“Bota sot”: A mendoni se u veprua në mënyrë të duhur me mos shkarkimin e Martin Berishajt nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, pas skandalit 600 mijë eurosh?

Alma Lama: Këtu ka dy proleme madhore, së parti kryeministri, ministrja dhe presidentja mbajnë në detyrë një ambasador që është diskretituar në afera me kompanitë serbe të energjisë, e për të cilin kanë shkruar mediat në tërë rajonin, duke dëmtuar pozitën e Kosovës në shtetin ku ai na përfaqëson, pasi pozita e ambasadorit është tepër delikate. Problemi i dytë po kaq madhor është logjika e mbrojtjes së “njeriut të tyre” me çdo kusht, pavarësisht nga skandali dhe pavarësisht se ndaj tij kanë nisur hetime në Kosovë pasi ka gënjyer në deklarimin e pasurisë. Kjo mbrojtje i ka nxjerrë plotësisht zbuluar në raport me respektin që kanë për shtetin ligjor, për sundimin e ligjit, pra gjithçka kanë thënë ka qenë retorikë boshe. Ndërkohë të njëjtët, në të shkuarën kanë bërë zhurmë të jashtëzakonshme me motive të hakmarrjes politike për emërime të ligjshme, e për ambasadorë që e kanë bërë punën në mënyrë të shkëlqyer. Po kështu këta kanë larguar 12 ambasadorë në një ditë, që është një marrëzi e llojit të vet, pa asnjë arsye, por vetëm hakmarrje politike.

“Bota sot”: E keni quajtur të “pakuptimtë” refuzimin e LDK-së për ta takuar në Kuvend presidentin e ri shqiptar Bajram Begaj. Pse mendoni se ndodhi një gjë e tillë?

Alma Lama: Nuk e kam të qartë se çfarë i ka shtyrë krerët e LDK-së në një qëndrim të tillë, por prapë si një vëzhguese nga jashtë, po them se nuk kishte asnjë kuptim. Ftesa e presidentit shqiptar ishte vetëm shprehje e një vullneti pozitiv për të komunikuar edhe me krerët e partive opozitare, një lloj simbolizmi i qasjes unifikuese dhe mbipartiake dhe nuk kishte asgjë të keqe që kjo të bëhej në Kuvendin e Kosovës, ku realisht i ftuari ishte presidenti, pasi partite kanë zyrat aty. Kjo ësstë një praktikë që ka ndodhur shpesh në të kaluarën me shumë përfaqësues ndërkombëtarë. Si duket protokolli nuk ka funksionuar si duhet, ose më saktë interpretimi për protokollin. Presidenti ka mundur të mos takohet fare me partitë opozitare, pasi ka qenë me ftesë të presidentes. Mua më vjen keq që ka ndodhur, ashtu sikurse më vjen keq që disa individë në LDK prej vitesh promovojnë kosovocentrizmin, që është një qasje e gabuar përsa i përket raporteve me Shqipërinë, që do të duhej ta korigjonin, pasi edhe ky koncept nuk ka kuptim. Po kështu, ky koncept nuk është as rugovizëm, pasi presidenti Rugova pavarësinë e Kosovës e shihte si një kompromis në raport me të drejtën historike për bashkim me gjysmën tjetër të trungut, pra Shqipërinë.

“Bota sot”: Çfarë mendimi keni për kërkesën e ndryshimit të udhëzimit administrativ për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, pse gjithë ky debat në “vlugun” e tensioneve me Serbinë?

Alma Lama: Mendoj njëjtë siç kam menduar edhe para dhjetë vitesh kur bëhej zhurmë për këtë çështje, që qeveria duhet të respektojë Kushtetutën që e përcakton Kosovën si shtet laik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat