Gjenerali Sefer Isufi: FSK është në nivelin më të lartë profesional

Intervista

Gjenerali Sefer Isufi: FSK është në nivelin më të lartë profesional

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 22:21
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, duke synuar që pas një faze tranzicioni prej 7-10 vjetësh, edhe Kosova të jetë pjesë e Aleancës Veri-atlantike. Ndërkaq në këtë përvjetor të pavarësisë së vendit, FSK në kuadër të komponentit njerëzor është në nivelin më të lartë profesional.

Kështu shprehet në një intervistë për Radio Kosovën gjeneral Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes.

Përvjetori i 15 i Pavarësisë së Kosovës si e gjen FSK-ën në aspektin profesional?

Gjeneral Sefer Isufi: Forca e Sigurisë së Kosovës disponon një personel të përgatitur në të gjitha nivelet, qoftë nga niveli i stafit të lartë komando shtabor, niveli i oficerëve planifikues, niveli i ushtarëve të cilët janë të përgatitur sipas standardeve më të larta profesionale. Kapaciteti njerëzor i FSK-ës është i gatshëm pa asnjë mëdyshje të angazhohet në secilin operacion për t’i kryer detyrat ligjore dhe kushtetuese. Janë të gatshëm t’i kryejnë të gjitha detyrat me efektivitet të plotë.

Krahas ngritjes se nivelit profesional të FSK-ës, si po shkon periudha gjithëpërfshirëse e tranzicionit?

Gjeneral Sefer Isufi: Forca e Sigurisë së Kosovës për një periudhë të shkurtër në kuadër të implementimit të planit gjithëpërfshirës vlerësojmë që planin e tillë, me dinamikën që jemi duke ecur, do të arrijmë që ta realizojmë në kohë më të shkurtër sesa e kemi planifikuar në vitit 2028.

Rritja e buxhetit për 23 milionë më shumë, si do të ndikojë  në zhvillimin dhe avancimin e FSK-ës?

Gjeneral Sefer Isufi: E kuptojmë se në këtë dinamik me të cilën jemi duke e menaxhuar këtë buxhet, na bënë të ndihemi komodë në realizimin e planifikimit tonë për blerjet dhe prokurimin. Planin tonë apo objektivat që kemi përcaktuar për periudhën 2023 mendojmë ta realizojmë mbi parashikimet, synimet dhe objektivat që i kemi përcaktuar. E para mirëmbajtja e kapaciteteve që kemi dhe ngritja e kapaciteteve të reja që planifikojmë. Fokusi është që ta kompletojmë edhe më tepër edhe më mirë komponentin e luftimeve, komponentin e mbështetjes me shërbime në luftime. Kjo nënkupton kompletimin e kapacitetit tonë luftarak që kryen detyrat e mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit.

Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në stërvitjen “Defender Europe 2023” me më shumë se 1300 pjesëtarë. Si është duke shkuar ky proces, duke pasur parasysh se Kosova do jetë një nga nikoqirët e stërvitjes, e cila organizohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë, me ndihmën e forcave aleate të 25 vendeve të NATO-s dhe partnerëve të tyre?

Gjeneral Sefer Isufi: Objektivi ynë qendror gjatë vitit 2023 është përgatitja maksimale dhe demonstrimi final i ekzekutimit të stërvitjes më të madhe të forcave amerikane ne Evropë “Defender Europe 2023”  meqë kjo është padyshim ngjarja më e madhe jo vetëm për FSK –ën por edhe konsideroj se është ngjarje historike edhe për vetë Republikën e Kosovës, sepse po konfirmohet besimi i plotë i aleatit tonë kryesor SHBA –së dhe aleatëve të tjerë të cilët kanë rrugëtuar që nga dita e parë bashkë me ne. Kjo po e dëshmon besimin e SHBA-ës në Republikën e Kosovës si shtet stabil, me perspektivë të qartë e cila me ushtrinë e saj po dëshmon se është e gatshme për të kryer detyra në mbrojtjen e vlerave më të larta euroatlantike në mbrojtjen e paqes, demokracisë jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Statusi i RKS dhe kontingjentit prej 1 mijë e 300 trupave, do të jetë ndër katër kontingjentet më të mëdha krahas kontingjentit amerikan.

Gjatë vitit që lamë, pas pati një trend të ikjes së pjesëtarëve nga FSK-ja. Çfarë mund të na thuash për këtë dukuri dhe si ndikon kjo në buxhetin e FSK-ës?

Gjeneral Sefer Isufi: Flas me përgjegjësi edhe profesionale edhe zyrtare se trendi i largimit të pjesëtarëve të FSK-ës, i përfolur tashmë një kohë të gjatë, është trend normal në secilën forcë edhe të shteteve më të avancuara dhe më të përparuara të Evropës edhe më gjerë. Ne normalisht që shprehim shqetësimin edhe për largimin e vetëm të një pjesëtari por kur themi se shprehim shqetësimin, nënkuptohet se në çdo pjesëtarë që e kemi rekrutuar FSK-ja ka investuar në potencialin e tij  në fazën e trajnimit e edhe në fazën e arsimimit të tij, dhe normalisht që kur një ekspert i një fushe largohet, patjetër që shkakton hendikep. Mirëpo, në aspektin e përgjithshëm, ky është trend normal në secilën forcë. Konsideroj se nuk ka vend për shqetësim sepse FSK-ja është në proces të zhvillimit dhe ngritjes së kapaciteteve të reja.

Si është duke shkuar procesi i rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të FSK-ës. A jeni të kënaqur me numrin e aplikantëve ?

Gjeneral Sefer Isufi: Jemi të kënaqur edhe me proceset e mëhershme rekrutuese e gjithashtu jemi të kënaqur edhe me procesin e fundit të aplikimit. Kemi mbi 2 mijë aplikantë dhe vlerësojmë se shumë shpejt do t’i publikojmë edhe listat dhe itinerarin e fazës së testimeve dhe zgjedhjes së më të mirëve nga më të mirët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat