Bajqinovci ka një mesazh për Serbinë - përmend edhe opozitën për “sulmet” ndaj Qeverisë!

Intervista

Bajqinovci ka një mesazh për Serbinë - përmend edhe opozitën për “sulmet” ndaj Qeverisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 prill 2023 Në ora: 17:40
Mefail Bajqinovci

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputeti nga radhët e LVV, Mefail Bajqinovci thotë se Qeveria Kurti 2 po punon për mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe se ka angazhim, përkushtim maksimal në këtë drejtim.

I pyetur për marrëveshjen e Ohrit, Bajqinovci thotë që duhet zbatim nga të dy palët, ani pse Serbia njihet për mosrespektim të marrëveshjeve.

Ndërsa, për deklaratat e vazhdueshme të opozitës, deputeti thotë që kjo metodë e opozitarozmit është shterpe dhe nuk mund t'iu sjellë asnjë rezultat në elektorat.

Për sa i përket gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ai shpreson që do të del në përfundim që lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Mefail Bajqinovci: Situata politike në vendin tonë është stabile dhe Qeveria po e vazhdon dinamikën e saj të punës sipas planit të paraparë dhe gjithashtu edhe Kuvendi është në vazhdën e përmbushjes së agjendës legjislative. Ka angazhim e përkushtim maksimal për t'i ndihmuar në të gjitha mënyrat qytetarët tanë dhe për t'i plotësuar obligimet e zotimet që janë marr karshi tyre.

“Bota sot”: Më 18 mars është mbajtur takimi në Ohër, si e keni parë ju ato zhvillime?

Bajqinovci: Takimi i Ohrit më 18 mars ka qenë në kontekstin e konkretizimit të takimit të 27 shkurtit në Bruksel kur është arritur Marrëveshja Bazë për normalizim të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Dakordimi i arritur si më 27 shkurt, ashtu edhe më 18 mars është konfirmim i njohjes de-fakto nga pala serbe dhe gjithashtu është përafrim në rrugën tonë evropiane, sipas garancioneve nga krerët e institucioneve të BE-së dhe nga mbështetja e përshëndetja që ka dhënë Këshilltari i Lartë për Siguri i Presidentit Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, z. Blinken.

Bota sot”: A do të ketë zbatim të kësaj marrëveshjeje së shpejti?

Bajqinovci: Të dyja shtetet kanë dhënë zotime se brenda afateve të caktuara e të cilat edhe do të mbikëqyren, do të procedojnë me hapa përpara drejt implementimit të Marrëveshjes si dhe Aneksit. Republika e Kosovës është shtet serioz dhe i përmbahet ujdive që i arrin, mirëpo të gjithë ne e dimë se njëjtë nuk vepron edhe Serbia. Andaj, është në fushëveprimin e fasilituesve që të mundësojnë zbatim efektiv të Marrëveshjes dhe potencialisht të shqiptojnë sanksione përkatëse për palën e papërgjegjshme, siç rëndom ka qenë Serbia.

“Bota sot”: Serbia në vazhdimësi po vazhdon deklaratat e saj, a mendoni që do të përgatis ndonjë skenar për t’i ikur marrëveshjes me Kosovën?

Bajqinovci: Është e pritshme nga ana e Serbisë që të ndërmarrë veprime destruktive, sepse është mënyrë e operimit të saj në vazhdimësi. Mirëpo, besoj se ata nuk mund t'ia hedhin edhe më tej të shtiren e të bëjnë sikur duan marrëveshje, ndërkaq në të njëjtën kohë të stimulojnë strukturat ilegale të bëjnë veprime që e minojnë paqen dhe sigurinë. Ne jemi të vëmendshëm si shtet dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë do të përkujdesemi për të gjitha çështjet që na takojnë për ta mbrojtur sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial e për të cilat obligohet edhe Serbia që të na i respektojë, siç kanë pranuar më 27 shkurt në Bruksel.

Bota sot”: Padyshim që “sulmet” e opozitës janë vazhdimisht pjesë e çdo seance të Kuvendit, a mendoni që vetëm po kërkojnë vëmendje?

Bajqinovci: Opozita është pa kauzë dhe nuk ka as kreativitet për opozitë-bërje. Prandaj i shohim që në vazhdimësi të bëjnë sulme e në shumë raste të plasojnë edhe shpifje. Mirëpo, kjo metodë e opozitarozmit është shterpe dhe nuk mund t'iu sjellë asnjë rezultat në elektorat, prandaj i shohim që kanë panik dhe janë pa zgjidhje. Këto janë pasoja kur ke një Qeveri solide që nuk bën gabime dhe është e përkushtuar 100% për të mirën e qytetarëve.

“Bota sot”: Të hënën në Hagë filloi gjykimi për ish-krerët e UÇK-së. Atje ata akuzohen për krime lufte së bashku me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Bajqinovci: Republika e Kosovës do t'i përcjellë me vëmendje zhvillimet në Hagë, e kemi thënë edhe me herët se kjo është gjykatë ku gjykohen ata që e kanë mbrojtur vendin tonë, pra është e dëmshme, ndërsa nuk gjykohen urdhërdhënësit serb, që kryen ma qindra masakra ndaj popullit tonë.

Sipas ekspertëve juridikë dhe projeksioneve të tyre na pret një proces i gjatë dhe ne besojmë në një përfundim që e vërteton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër, e drejtë dhe e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat