Vjen një paralajmërim për Kosovën pas liberalizimit të vizave – Voca përmend kërkesën e vazhdueshme të Serbisë!

Intervista

Vjen një paralajmërim për Kosovën pas liberalizimit të vizave – Voca përmend kërkesën e vazhdueshme të Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 maj 2023 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Situata në vend po vazhdon të jetë e mbushur me zhvillime të mëdha politike.

E në lidhje me këto ngjarje në një intervistë për “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Voca u shpreh që situata në Kosovë po vazhdon të jetë dramatike më ngjarjet e fundit, duke përfshirë këtu në veçanti raportin me Serbinë.

Ndër të tjera ai shton që Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet asnjëherë në kohë paqeje, sepse historia e tregon se kjo politikë serbe, është dorë e zgjatur e asaj të viteve të 90-ta.

Ndërsa i pyetur për liberalizimin e vizave u shpreh që edhe pse është bërë tashmë po rrezikohet Kosova për t’u zbrazur nga rinia e vendit mirëpo që MPJD, duhet të tregoj më shumë proaktivitet në politikën e jashtme, të jetë më e pranishme në arenën ndërkombëtare.

I pyetur për njohjen e pesëshës evropiane për Kosovën, Voca shprehet pak skeptik pasiqë gjasat që të gjithë ato vende ta njohin Kosovën shpejt, janë të vogla.

Image
Mirsad Voca

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale politike?

Mirsad Voca: Situata politike aktuale në nivel të Shtetit të Kosovës, ani pse nganjëherë të jep pështypjen të jetë më e qetë, mbetet gjithnjë dramatike sidomos për arsye të apetiteveve territoriale të Politikës së Shtetit serb që ka për synim sidomos resurset natyrore të Shtetit të Kosovës.

Ndërsa lidhur me politikat e brendshme në Kosovë, kemi më shumë se dy vite një Qeveri të re që orvatet të ndryshoj diçka por nuk shohim ende ndonjë gjë substanciale dhe konkrete. Megjithatë, besoj se duhet dhënë edhe më shumë kohë që kjo Qeverisje të bindë konkretisht sovranin për ndryshim të cilin e kishte edhe si premtim parësor. Kjo gjendje që do ta quaja neutrale sepse ende në pritje për ndryshim, ka gjasë të pasohet me t’kurrje të fuqisë punëtore të Kosovës edhe më shumë, gjë që mund të thellojë edhe më tutje inflacionin dhe si pasojë të krijohet situatë krize më e madhe politiko-ekonomike.

“Bota sot”: Takimet mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë, si i keni parë ju qëndrimet e palëve. A do të ketë zbatim të marrëveshjes?

Voca: Kosova ka bërë lëshime të mëdha tashmë që ka vazhduar bisedimet me një Shtet që nuk e njeh fare, gjoja për normalizim të marrëdhënieve mes fqinjësh, një paradoks që nuk do të sjellë rezultat të favorshëm as për Serbinë dhe as për Kosovën.

Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet asnjëherë në kohë paqeje sepse historia na e tregon se kjo politikë serbe, dorë e zgjaturë e asaj të viteve të 90-ta e që rrenjët i ka shumë më thellë, njeh si duket vetëm gjuhën e forcës. Është një dëm i madh për tërë rajonin e Ballkanit perëndimor ku vetëm Shteti serb nuk po arrin të shkëputet nga e kaluara e saj mjaft e zymtë.

“Bota sot”: Serbia po këmbëngul për Asociacion gjithashtu presioni nga ndërkombëtarët është i pranishëm. Si duhet të veprojë Kosova?

Voca: Po, Serbia do të këmbngulë vetëm në Asociacion dhe nuk i ka dilemë të drejtat e komuniteteve në Kosovë por futjen e veriut të Kosovës edhe formalisht nën kontroll të Shtetit serb. Edhe po tu jepen serbëve në veri të Kosovës të drejta të papara ndokund, Serbia do të insistojë që të institucionalizoj dhe formalizoj hap pas hapi atë pjesë si serbe dhe jo si Kosovë, natyrisht me një intencë të qartë për ta shkëputur atë në një momentum të caktuar. Dhe kjo nuk do dilemë apo mëdyshje, duke parë atë që po ndodh në Bosnjë.

Kosova nuk mund të veproj e vetme në këtë çështje kaq ndërlikuese por vetëm në bashkëpunim të thellë dhe miqësor të stilit të viteve të 90-ta me shtetet që kanë kontribuar shumë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duhet qartësuar se me një qasje të tillë të Serbisë, gjasat që të ketë zgjidhje afatgjate janë zero.

Është e padrejtë që t’i kërkohet Kosovës të rrezikoj integritetin, duke formalizuar entitete terriotoriale brenda saj sidomos pasi që resurset e vetme dhe më të mëdha natyrore Kosova i ka në pjesën veriore. Mendoj se kjo është e kundërta e një zgjidhjeje afatgjate dhe paqësore, sepse natyrisht siç vepron në Bosnjë, Republika e serbëve atje, do të bëjnë dhe në Kosovë dhe ndoshta do u del dhe më mirë sepse mund të kenë mësuar nga përvoja në Bosnjë.

“Bota sot”: Parlamenti Evropian miratoi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, a ishte ky një hap i rëndësishëm për qytetarët e vendit?

Voca: Liberalizimi i vizave i ka kushtuar Kosovës shumë sepse është përdorur shumë herë si mjet politik ndaj qeverieve të ndryshme në Kosovë nganjëherë edhe për lëshime politike. Tani që më në fund u bë liberalizimi i vizave, ka dhe një rrezik që Kosova të zbrazet dhe sidomos nga fuqia punëtore e saj sepse u bë shumë vonë dhe nuk u bë shumë për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë. Dhe barrën për këtë e kanë të gjitha qeverisjet, përfshirë dhe këtë të tanishmen.

Ndërsa, është një hap i rëndësishëm sepse qytetarët e Kosovës nuk do të jenë të vetmit të izoluar në Ballkan, ndonëse kam frikën se do të jetë edhe një trishtim sepse do të ndikoj negativisht në ekonominë e vendit.

“Bota sot”: Temë e rëndësishme këto ditë është edhe hapja e Urës së Ibrit, a është koha të hapet Ura?

Voca: Ura do të duhej të ishte hapur shumë më herët sepse qarkullimi i lirë, të cilin Kosova nuk e pengon por e promovon, është e drejtë themelore njerëzore dhe Kosova nuk mund të anashkaloj këtë element shumë të rëndësishëm meqë është thjesht çështje e të drejtave të njeriut. Nëse Serbia e pengon këtë përmes futjes së agjentëve të saj, atëherë duhet gjykuar kjo e fundit dhe jo Kosova për pengim të qarkullimit brenda territorit të Kosovës. Serbët nuk kanë qenë dhe nuk janë të rrezikuar në Kosovë ani pse Serbia përpiqet ta shfaq këtë ide në opinion ndërkombëtar. Përkundrazi, Serbët janë të lirë dhe kanë të drejta shtesë krahas komuniteteve tjera në çfarëdo vendi evropian.

Mendoj se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në koordinim me aleatët e ngushtë perëndimor sa i përket çdo lëvizje në pjesën veriore për shkak të bisedimeve aktuale dhe të mos ndërmirren hapa të njëanshëm që do të jepnin shkas që Kosova të jetë fajtore në ngecjen e bisedimeve. Prandaj, mendoj se ura natyrisht duhet hapur por në koordinim të plotë me aleatët e ngushtë të saj dhe jo në forma vetanake siç u veprua edhe më herët në disa çështje të vogla që shkaktuan pothuaj impakte të mëdha.

“Bota sot”: Kurti ditë më parë u shpreh që Serbia ka shkelur marrëveshjet dhe për këto po pret reagime nga ndërkombëtarët. A do të ketë masa për Serbinë?

Voca: Varet krejtësisht nga faktori ndërkombëtar i cili është fokusuar aktualisht në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, se a do të këtë masa ndaj Serbisë. Po ashtu mendoj se do të duhej të kishte masa ndaj Serbisë jo vetëm tani por shumë më herët që kjo e fundit të zbrapset me apetitet e saj territoriale ndaj shteteve fqinje.

Serbia asnjëherë nuk do të respektoj marrëveshjet me Kosovën nëse nuk ka presion të duhur ndërkombëtar. Dhe ky është një mësim nga e kaluara e freskët. Politika serbe nuk ka ndryshuar, dhe bën lojën e njejtë sikur ajo e viteve të 90-ta, ndërsa rajoni vuan nga zgjidhje gjysmake, ambivalente, afatshkurta, që sjellin gjithnjë situata të reja dhe nevojë për zgjidhje të reja. Ky cikël i arnimeve të çështjeve politike duhet marrë fund, dhe si rrjedhojë me këtë do të merrte fund edhe loja politike serbe me përmasa hegjemoniste.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga masat që Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë duhet të ndërmerr në mënyrë që të ketē më shumë suksese Kosova në arenën ndërkombëtare?

Voca: MPJD, duhet të tregoj më shumë proaktivitet në politikën e jashtme, të jetë më e pranishme në arenën ndërkombëtare, qoftë edhe me gjëra të vogla, si ligjerime e debate në kryeqytete e qytete evropiane, që të ndjehet prezenca e politikës së jashtme të Kosovës sado pak jashtë vendit.

MPJD duhet të punoj më shumë në drejtime të ndryshme e jo vetëm në një apo dy çështje sado të mëdha qofshin ato. Lobimi duhet të vazhdoj intensivisht për njohje të reja, pastaj do të ishte mirë që të ketë edhe një diplomaci ekonomike e kulturore aktive. Dhe për këtë duhet të ketë agjendë të qartë e pastaj të organizohen misione efektive për realizimin e saj.

Mund të gaboj mirëpo ka një kohë të gjatë që nuk shoh ndonjë lëvizje interesante në politikën e jashtme të Kosovës. Natyrisht, Politika aktuale e jashtme e Kosovës ka mundësi të bëj më shumë mirëpo më specifikisht pse nuk ka diçka më konkrete nuk arrij ta kuptoj.

“Bota sot”: Sipas jush a do të ketë njohje të shpejt nga pesëshja evropiane për Kosovën?

Voca: Nuk pres njohje të shpejt nga pesëshja evropiane, për arsye të ndryshme që secili prej atyre vendeve ka ndaj çështjes së Kosovës. Ndoshta ndonjëri prej tyre mund dhe të njohë Kosovën këtë vit por gjasat që të gjithë ato vende ta njohin Kosovën shpejt, janë të vogla. Dhe kjo nuk varet vetëm nga lobimi apo Politika e jashtme e Kosovës por edhe nga faktori ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat