Ishte vendi i parë arab që njohu Kosovën, flet Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe

Intervistë

Ishte vendi i parë arab që njohu Kosovën, flet Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe

Nga: Ejup Ramadani Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 20:42
Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Nabila Alshamsin, në vizitë te presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani

Këto ditë po festohet 52 vjetori i Bashkimit të Emiratave Arabe, tani Emaratet e Bashkuara Arabe, dhe ku po pritet me interesim qëndrimi i presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani në këtë shtet mik me rastin e COP-28.

Me këtë rast, ambasadorja e këtij shteti mik me seli në Podgoricë dhe ambasadore joresidente për Republiën e Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinën, i dha këtë intervistë gazetës së njohur arabe, "Zahrat e Khalixh", nga e cila ne i morëm disa fragmente:

Pyetje: Ju kishit pozita të ndryshme në diplomaci, cilat ishin parimet kryesore në të cilat u përqendruat ?

Përgjigje: Punova në SHBA, Kanada, Gjermani dhe Belgjikë. Të gjitha këto ishin vende të mbushura me përvoja të ndryshme dhe të mëdha. Tani u nderova me përzgjedhjen time të jem ambasadore në shtetin e Malit të Zi, njëri nga vendet e Ballkanit perëndimor. Ndërsa për mua ishte një ndryshim në karrierën time në shërbim të vendit tim të dashur.

Pyetje: Çfarë e bën të veçantë EBA-n në rrafshin diplomatik ?

Përgjigje: Emiratet e Bashkuara Arabe karakterizohen me lidhje të ngushta me të gjitha vendet, parim ky që forcon dhe reflekton bazat thelbësore mbi të cilat është ndërtuar, e që janë hapja, bashkëpunimi dhe ndërtimi i urave të miqësisë. Angazhimi i vazhdueshëm për promovimin e paqes, interesave të përbashkëta të popujve dhe vendeve duke kontribuar në promovimin e sigurisë dhe paqes botërore.

Politika e Emirateve të Bashkuara Arabe karakterizohet me maturi, dinamikë të lartë dhe transparente të zhvillimit, si dhe respektim të ligjeve ndërkombëtare dhe sovranitetin e çdo shteti. E gjithë kjo e ngre pozitën e saj në mesin e shteteve të botës, duke e përmendur edhe pozitën e saj gjeografike e cila detyrimisht e ka bërë pjesëmarrëse në rrjedhat politike dhe ekonomike si vend të besueshëm.

Raportet e forta

Pyetje: Cili është roli juaj në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të EBA-s me Republikën e Malit të Zi ?

Përgjigje: Marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Malit të Zi janë të forta dhe kanë rrënjë të thella edhe në të kaluarën historike. Ai është vendi i parë nga shtetet e Gjirit i cili ka hapë ambasadën e saj në Mal të Zi, nga ku filloi shtrirja dhe forcimi i raporteve me vendet e Ballkanit perëndimor. Ambasada jonë është e interesuar për zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive me këto vende.

Pyetje: Si do t'i përshkruanit marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Kosovës, gjegjësisht me Bosnjën ?

Përgjigje: Marrëdhëniet në mes të Emirateve dhe Kosovës, si dhe me Bosnje e Hercegovinën konsiderohen si të veçanta dhe të forta, që nga koha e të ndjerit, Sheijh Zayed bin Sultan Al Nahyan, kryetari i parë dhe themeluesi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Sa herë më ofrohet rasti kontaktoj me qytetarët kosovarë, për të cilët kam dëgjuar fjalët më të mira dhe për respektin e tyre të madh që kanë për Emiratet e Bashkuara Arabe, ngase ishte vendi i parë arab që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu siç kishin ofruar Emiratet edhe ndihma të pakursyera humanitare për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Emiratet gëzojnë respekt të veçantë te popujt e Ballkanit.

Pyetje: Gjatë udhëtimeve tuaja, cilat janë qëndrimet më të dalluara njerëzore të cilat i keni hasur ?

Përgjigje: Emiratet parim kryesor kanë solidaritetin dhe bashkëpunimin njerëzor. Lidhur me këtë shteti ynë ka qëndrim të përhershëm, meqë ka një përvojë unike, do të thoja, në fushën e ofrimit të ndihmave humanitare me ndikim të vazhdueshëm, duke ndryshuar atë formën tradicionale të ndihmave me artikuj ushqimorë, me projekte zhvillimore që reflektohen në interes të popujve përfitues si; ndërtimi i objekteve banesore dhe spitaleve, ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i prodhuesve të rrymës elektrike, hapja e puseve, etj., që të gjitha këto projekte me dobi të përhershme për burimet njerëzore, duke kontribuar kështu në përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet përfituese të këtyre projekteve. Ashtu siç e ndjek vendi ynë këtë parim të qartë, asnjëherë nuk i ndërlidhë projektet e ndihmave humanitare me orientimet politike të vendeve përfituese, duke e vënë në rend të parë aspektin human të shprehur për nevojat e popullit. Kjo i banë Emiratet të ecin dhe të gëzojnë respekt dhe vlerësim kudo që ato veprojnë. Është një moment të cilin e kujtoj gjatë një vizite në njërën nga fshatrat e Kosovës, me ç ‘rast takova një të moshuar, i cili kur mori vesh se isha nga Emiratet, filloi të lutej për Shejh Zajedin, ndjesë pastë, dhe për gjithë vendin që t'i shtoi të mirat e tij, në shenj mirënjohje për ndihmat humanitare të cilat i ofronte shteti i Emirateve vendit dhe familjes së tij.

Angazhime botërore

Pyetje: Cili është roli i juaj në angazhimet botërore që kanë të bëjnë me klimën, e sidomos me rastin e takimit “COP-28” ?

Përgjigje: Ne organizuam takime me palët e interesuara, duke hedhur dritë mbi faktin, se Emiratet do jenë nikoqir të një konference ndërkombëtare për vendet e interesuara, për të arritur një marrëveshje në kuadër të Kombeve të Bashkuara, lidhur me ndryshimet klimatike (COP-28) dhe rolin e saj qendror brenda përpjekjeve botërore, e që kanë për synim kufizimin e shkaktarëve kryesor të ndryshimeve klimatike në botë, duke i obliguar organizatat ndërkombëtare që të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, si dhe duke përkrahur sigurimin e energjisë. Emiratet janë të përqendruara që COP-28 ta bëjnë platformë të zbatimeve, e jo vetëm të premtimeve. Kongresi duhet të jetë një pikë kthesë në arritjen e një përparimi të prekshëm dhe substancial në angazhimin botëror në çështjen e ngrohjes globale, duke vënë afate kohore në realizimin dhe zhvillimin ekonomik të vazhdueshëm. Për këtë qëllim janë parashtruar katër shtylla e që janë: përshpejtimi në realizimin e transformimit të organizuar mirë dhe me korrektësi në sektorin e energjisë, duke zhvilluar instrumente në përkrahje të projekteve ambientaliste, si dhe përmirësimin e kushteve jetësore. Të përkrahen orientimet e kaluara duke përfshirë  të gjitha punimet e kongresit.

Pyetje: Bazuar në përvojën tuaj të gjatë, cilat do të ishin këshillat tuaja për brezin e ri në diplomaci?

Përgjigje: Përvoja më mësoi gjatë punës, që tek diplomati duhet të jenë të pranishme dy gjëra; pasioni dhe leximi, njohja dhe dëshira për të lexuar sa më shumë dhe kultura duke mos e lënë anash zemërgjerësinë dhe mirësjelljen për ta pranuar tjetrin, respektimin e mendimit ndryshe. Puna në diplomaci është e stërmbushur me sfida dhe ndryshime. Fleksibiliteti dhe aftësia për t'u akomoduar, janë pothuajse veçori të domosdoshme në diplomaci.

Pyetje: Si grua, bartët një pozitë të lartë në përfaqësimin e vendit. Çfarë do tu thoshit vajzave të reja të cilat synojnë fushën e diplomacisë?

Përgjigje: U them, shteti i Emirateve ka siguruar rrugë të mjaftueshme në përkrahjen dhe formësimin e gruas në të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe diplomacinë. Gruaja emiratiane sot është me fat që ka në udhëheqje të ndritur shtetërore në përkrahjen e saj. Një gjendje e tillë është edhe në MPJ-me, ku gruaja ka rol aktiv në përparimin e diplomacisë së Emirateve. Si pasojë, ne të gjithë duhet të shfrytëzojmë mundësitë e ofruara dhe të vazhdojmë sukseset e arritura të gruas emiratiane deri më sot.

Pyetje: Me rastin e festës së përvjetorit të 52-të të Emirateve çfarë do të thoshit?

Përgjigje: Me rastin e kësaj feste madhështore të vendit, i shpreh urimet më të larta për udhëheqësin, shkelqësinë e tij Shejh Muhamed bin Zajid Al Nehjan, kryetar i shtetit dhe vëllain e tij, Shejh Muhamed bin Rashid Al Maktum, zëvendës i kryetarit të shtetit dhe kryeministër, kryetar i Dubait, si dhe shkëlqesinë e tij, kryeministër dhe kryetar i Divanit të kryesisë, si dhe vëllezërit e tyre, anëtarë të Kuvendit të lartë të Unionit të sunduesve të Emirateve, popullit dhe gjithë atyre që jetojnë në atë vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat