Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka folur për trajtimin që iu bëhet viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Ajo thotë se procesi i njohjes së tyre si viktima të luftës filloi shumë vonë vetëm në fillim të vitit 2018 dhe për fat të keq, edhe sot ekzistojnë sfida të mëdha për ata që vazhdojnë të përballen me stigmatizim, heshtje dhe frikë për të kërkuar të drejtat e tyre.
Rushiti thotë se shumë nga këta viktima kanë frikë të dalin publikisht dhe kjo frikë vjen nga stigma e fortë e lidhur me dhunën seksuale, mungesa e mbështetjes nga komuniteti, dhe ndonjëherë edhe nga familjarët më të afërt.
Ajo tutje thekson që kufizimet që detyrojnë të mbijetuarit të zgjedhin mes pensioneve janë padrejtësi e shumëfishtë. Përmirësimi ligjor që mundëson përfitimin e pensioneve të dyfishta është një hap drejt barazisë reale dhe trajtimit dinjitoz të të mbijetuarve.
“Bota sot”: Edhe kaq vite pas luftës, a ka bërë mjaftueshëm Kosova për të trajtuar personat që kanë qenë viktima të dhunës?
Feride Rushiti: Pavarësisht disa hapave të rëndësishëm institucional të ndërmarrë gjatë dekadës së fundit, Kosova ende nuk ka bërë mjaftueshëm për të trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Procesi i njohjes së tyre si viktima të luftës filloi shumë vonë vetëm në fillim të vitit 2018 dhe për fat të keq, edhe sot ekzistojnë sfida të mëdha për ata që vazhdojnë të përballen me stigmatizim, heshtje dhe frikë për të kërkuar të drejtat e tyre.
Përtej kompensimit financiar, mungon një qasje që ofron mbështetje psiko-sociale, mjekësore dhe ligjore në nivel shtetëror. Aktualisht, këto shërbime ofrohen kryesisht nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat shpesh përballen me mungesë të mbështetjes financiare, duke e bërë të vështirë ofrimin e ndihmës së vazhdueshme dhe të gjithanshme.
Gjithashtu, kur flasim për traumën ndërbrezore, besoj fuqishëm se duhet të punohet më shumë me familjet e te mbijetuarve. Trauma nuk ndalet vetëm te individi ajo përçohet te fëmijët, bashkëshortët dhe tek i gjithë rrethi familjar. Dinamika e kësaj traume është ende e pranishme në shumë familje që janë prekur nga ky krim i heshtur i luftës. Prandaj, është jetike që ndërhyrjet të jenë të thella, të qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj kompleksitetit të përjetimeve dhe realiteteve të tyre.
“Bota sot”: A po ju krijohet hapësirë atyre që të rrëfejnë përjetimet e tyre gjatë luftës?
Feride Rushiti: Hapësirat për rrëfim mbeten ende të kufizuara dhe shpesh të kushtëzuara nga paragjykimet shoqërore, stigma dhe frika nga përjashtimi. Shumë të mbijetuar hezitojnë të flasin, jo për shkak të mungesës së guximit, por për shkak të një ambienti që shpesh nuk është i gatshëm të dëgjojë me dhembshuri dhe pa paragjykim.
Megjithatë, përmes një qasjeje të ndjeshme dhe profesionale në Qendrën tonë për Rehabilitimin e Mbijetuarve të Torturës, kemi krijuar një ambient të sigurt, ku të mbijetuarit ndihen të dëgjuar, të mbështetur dhe të pranuar. Për ne, rrëfimi nuk është thjesht një akt personal, ai është edhe një akt politik dhe historik. Është një mënyrë për të rikthyer dinjitetin, për të dokumentuar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi në një shoqëri që ende po përballet me të kaluarën.
Rrëfimet publike të guximshme kanë luajtur një rol thelbësor në thyerjen e heshtjes rreth krimeve të luftës. Dëshmia e Vasfije Krasniqit, gruaja e parë që foli hapur për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës, shënoi një moment historik, duke hapur rrugën për zëra të tjerë të mbijetuarish. Në këtë frymë, edhe dëshmitë e Shyrete Tahirit dhe Ramadan Nishorit kanë ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës, duke sjellë në dritë plagët e thella të luftës. Përmes guximit dhe vendosmërisë së tyre, ata janë shndërruar në zëra të fuqishëm të së vërtetës, qëndresës dhe dinjitetit njerëzor.
Këto rrëfime janë thelbësore jo vetëm për shërimin personal të të mbijetuarve, por edhe për ndërtimin e një narrative kolektive që nuk e mohon të kaluarën, por e përballon atë me guxim dhe përkushtim ndaj drejtësisë.
“Bota sot”: A ka numër të madh të këtyre viktimave që kanë frikë të dalin publikisht?
Feride Rushiti: Po, për fat të keq, shumica e viktimave nuk ndihen të gatshme të dalin publikisht. Kjo frikë vjen nga stigma e fortë e lidhur me dhunën seksuale, mungesa e mbështetjes nga komuniteti, dhe ndonjëherë edhe nga familjarët më të afërt. Për këtë arsye, ruajtja e konfidencialitetit dhe krijimi i hapësirave të sigurta janë elemente kyçe në punën tonë. Ne si KRCT kujdesemi dhe respektojmë të drejtën e secilës te mbijetuar për të vendosur nëse, kur dhe si dëshiron të flasë. Pastaj nëse ata dëshirojnë të flasin ka një protokoll se si duhet të vij deri te dalja publike e një të mbijetuari!
“Bota sot”: Çfarë ndihma ju ofron qendra e juaj këtyre personave?
Feride Rushiti: Qendra jonë ofron një qasje të plotë multidisiplinare, e ndërtuar mbi parimin e trajtimit të ndjeshëm ndaj traumës. Mbështetja përfshin ndihmë psiko-sociale, psikoterapi për përballimin e traumës, ndihmë mjekësore, këshillim ligjor dhe asistencë të plotë në procesin e aplikimit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Për ata që shprehin gatishmëri për t’u qasur drejtësisë, ne i përgatisim rastet me profesionalizëm dhe kujdes të veçantë, duke i shoqëruar në çdo hap të rrugëtimit të tyre ligjor dhe emocional.
Përveç kësaj, organizojmë aktivitete për fuqizimin ekonomik dhe social të të mbijetuarve, me qëllim që ata të riintegrohen në komunitet me dinjitet dhe vetëbesim .. Mbështetja që ofrojmë është afatgjatë, e bazuar në besim, respekt dhe ndërtimin e një marrëdhënieje të sigurt që i vendos të mbijetuarit në qendër të procesit të shërimit të tyre.
“Bota sot”: Falë qendrës tuaj, viktimat e dhunës seksuale tani gëzojnë edhe pensionin e këtij statusi. A ka shumë nga këta viktima që marrin pensione të dyfishta?
Feride Rushiti: Pensioni personal për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës është një e drejtë themelore dhe e veçantë, e ndarë nga përfitimet e tjera sociale. Ky pension nuk është thjesht një ndihmë financiare – ai është një akt njohjeje institucionale, një simbol i rikthimit të dinjitetit për ata që kanë përjetuar një nga format më të rënda të dhunës seksuale.
Megjithatë, ligji aktual për skemat pensionale nuk lejon përfitimin e dy pensioneve njëkohësisht. Kjo do të thotë se një i mbijetuar detyrohet të zgjedhë midis pensionit të pleqërisë apo atij kontribut dhënës, dhe pensionit si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës. Ky kufizim i vendos të mbijetuarit përballë një zgjedhjeje të padrejtë dhe të dhimbshme – midis njohjes së statusit të tyre si viktima dhe përfitimeve që ju takohen për dhimbjen dhe tmerrin që kanë përjetuar gjatë luftës.
Në QKRMT, ne nuk e kemi pranuar këtë realitet si të pandryshueshëm. Me përkushtim dhe kujdes, kemi këshilluar të mbijetuarit dhe, në rastet kur ata kanë shprehur gatishmëri, i kemi ndjekur çështjet e tyre deri në instancat gjyqësore. Vetëm në muajt e fundit, kemi fituar tre raste në gjykatë që kanë njohur të drejtën për përfitimin e dy pensioneve – dhe aktualisht jemi në proces me disa raste të tjera. Këto nuk janë vetëm fitore juridike, por fitore morale dhe shoqërore që dëshmojnë se e drejta është e mundur kur kërkohet me këmbëngulje dhe drejtësi.
Sepse për të mbijetuarit, ky trajtim i pabarabartë është një formë tjetër e përjashtimit dhe heshtjes. Dhe për ne, çdo rast i tillë është një thirrje për të vazhduar më tej – deri në miratimin e politikave shtetërore gjithëpërfshirëse, që do t’u japin fund pritjeve të gjata dhe rrugëve të vështira gjyqësore për të mbijetuarit.
“Bota sot”: Së fundi, ju jeni nominuar për çmimin "European of the Year". Çfarë domethënie ka ky çmim për ju dhe Kosovën në përgjithësi?
Feride Rushiti: Ky nominim është një nder i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua personalisht, por mbi të gjitha për të gjitha gratë e mbijetuara të dhunës seksuale në Kosovë. Është një dëshmi se kauza që ne mbrojmë – e drejtësisë, dinjitetit dhe të drejtave të njeriut po vlerësohet dhe promovohet në nivel ndërkombëtar si një pjesë e pandashme e vlerave evropiane.
“Bota sot”: Çfarë përmirësime prisni që të ndodhin në të ardhmen për viktimat e dhunës në Kosovë?
Feride Rushiti: E ardhmja që presim dhe për të cilën angazhohemi çdo ditë është një e ardhme me më shumë drejtësi, barazi dhe dinjitet për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo nënkupton një sërë përmirësimesh konkrete, të domosdoshme dhe të vonuara.
Së pari, presim ndërtimin e një mekanizmi të palimituar dhe afatgjatë shtetëror, që njeh ligjërisht të mbijetuarit pa barriera.
Po ashtu të këtë edhe mbështet me shërbime shëndetësore dhe psiko-sociale të vazhdueshme, falas dhe me ndjeshmëri të thellë ndaj traumës.
Së dyti, presim që shteti të ndërtojë politika për integrim real social dhe ekonomik, përmes mbështetjes për punësim, edukim të ri profesional dhe përfshirje të të mbijetuarve në jetën publike. Integrimi nuk duhet të jetë simbolik, por i prekshëm në jetën e përditshme të tyre.
Së treti, kërkojmë trajtim të barabartë në sistemin pensional. Kufizimet që detyrojnë të mbijetuarit të zgjedhin mes pensioneve janë padrejtësi e shumëfishtë. Përmirësimi ligjor që mundëson përfitimin e pensioneve të dyfishta është një hap drejt barazisë reale dhe trajtimit dinjitoz të të mbijetuarve.
Gjithashtu, presim një përfshirje më të thellë të kësaj çështjeje në sistemin arsimor, juridik dhe në politikat publike. Edukimi i brezave të rinj mbi drejtësinë tranzicionale, kujtesën kolektive dhe përballjen me të kaluarën është themelor për të ndërtuar një të ardhme ku dhuna nuk përsëritet dhe viktima nuk heshtet.