Idriz Zeqiraj: “Bota sot”, zëri i pandalshëm i shqiptarëve

Intervista

Idriz Zeqiraj: “Bota sot”, zëri i pandalshëm i shqiptarëve

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 qershor 2025 Në ora: 20:02
Idriz Zeqiraj

Me rastin e 30-vjetorit të gazetës “Bota sot”, zhvilluam një intervistë me opinionistin dhe bashkëpunëtorin shumë vjeçar, Idriz Zeqiraj. Në këtë bisedë, Zeqiraj reflekton mbi rolin historik të gazetës në kulturën e debatit publik, mbështetjen e demokracisë, si dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar – brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.

Idriz Zeqiraj vë në dukje sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët në diasporë, veçanërisht në çështjet e shtetësisë dhe të drejtës për votë. Ai thekson se “Bota sot” ka qenë mbështetje e vazhdueshme për mërgatën, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e saj për çështje të rëndësishme.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si ka ndikuar Bota Sot në përhapjen e kulturës së debatit publik në Kosovë?

Idriz Zeqiraj: "Bota sot", si gazetë e pavarur, fillimisht e drejtuar nga Xhevdet Mazrekaj me vëllezër, më vonë i vetëm, në Cyrih të Zvicrës, qysh në nismë të botimit, ka qenë mirë e organizuar. Shumë shpejt u bë gazetë masive, me shtrirje në shtetet e Evropës dhe kontinente tjera, sidomos në Amerikë. Për lehtësi të shpërndarjes shtypja e gazetës "Bota sot", u bë në disa shtete, Gjermani, Amerikë dhe gjetkë.

Gazeta "Bota sot" meritueshëm gëzoi emërtesën -gazeta kombëtare-, sepse përmbushi kushtet, normat komplete, në shërbim të të gjitha shtresave të popullit të Kosovës, respektivisht, të shqiptarëve të kudondodhur, të përbotshëm. Ajo gëzoi primatin në përhapjen e kulturës të debatit publik të Kosovës. Dikur gazetë e shkruar, tani, si portal i kompletuar, vazhdon ta këtë parësinë informative, për të gjitha fushat, shtresat dhe brezat, grup moshat.

“Bota sot”: Si e shihni rolin e Bota Sot në mbështetjen e proceseve demokratike në Kosovë?

Idriz Zeqiraj: "Bota sot", qysh në lindjen e saj fatlume, u përcaktua për rolin e madh  të mbështetjes të proceseve demokratike në Kosovë. Rreshtimi i duhur dhe drejtpeshimi i paluhatshëm për demokracinë, ishte guidë, udhërrëfyese për të gjithë ata, të cilët aprovuan shembjen e komunizmit despotik, diktatorial dhe përqafimin e pluralizmi politik, rrjedhimisht, të demokracisë të mirëfilltë, e cila i kishte munguar Evropës Lindore, Ballkanit dhe, në veçanti, shqiptarëve të pushtuar të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerëson situatën aktuale politike në Kosovë dhe rolin që mediat si “Bota Sot” kanë në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve?

Idriz Zeqiraj: Situata politike aktuale në Kosovë, lënë për të dëshiruar. Abuzimi me pushtetin, me demokracinë, nga "komandantët" pa ushtarë, por me banda të bollshme, ka lënë pasoja në shoqërinë kosovare. Populli foli në dy palë zgjedhjet e fundit, i refuzoi "kumandarët" me subjektet e tyre të koalicionuara në PAN. Megjithatë ata nuk duan ta pranojnë humbjen, duan të rikthehen në pushtet, qoftë edhe me bllokimin e Kuvendit!

Ndërkohë, "Bota sot", për ndryshim nga shumësia absolute e mediave të kapura nga mujsharë politikë e financiarë, vazhdojnë ta kenë vartësinë, njëanshmërinë informative, qoftë në portale, ashtu edhe në debate televizive. Si gjithmonë "Bota sot", ka qenë e njëtrajtshme në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës, madje pavarësisht rrethanave që krijuan disa bijë bastardë e zuzarë!

“Bota sot”: Çfarë rol duhet të ketë “Bota Sot” në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar?

Idriz Zeqiraj: Zakonisht, mediat në Kosovë thirrën zëshëm për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar shqiptar. Realisht, shumësia e tyre këtë e kanë kthyer në propagandë, në vartësi të politikës dhe të biznesit. Ndërsa "Bota sot" ka qenë dhe vazhdon të jetë kultivuese dhe gardiane në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar. Ajo përcjellë dhe pasqyron në rubrikat e saj të gjitha veprimtaritë e organizuara, në Kosovë dhe jashtë saj në etnikumin shqiptar dhe kudo ku ata punojnë e jetojnë në botë.

“Bota sot”: Cilat janë sfidat kryesore që përballen shqiptarët në diasporë, dhe sa i adresojnë mediat si “Bota Sot” këto çështje?

Idriz Zeqiraj: Shqiptarët e Kosovës u përballën me sfidën e mosnjohjes  të dy shtetësive në disa shtete, konkretisht, në Gjermani. Madje Republika e Bavarisë, e kushtëzonte marrjen e shtetësisë gjermane, me heqjen e shtetësisë të Serbisë, edhe pse shumë fëmijë shqiptarë të lindur në mërgatë. Për këtë shqiptarët shkonin në Beograd, zinin avokatë serbë dhe sorollateshin zyrave burokratike të Beogradit, me shpenzime enorme. Pas dekadave u tejkalua ajo sfidë, u hoq ajo pengesë. "Bota sot" kontribuoi në tejkalimin e kësaj sfide, duke u dhënë hapësirë të mjaftueshme veprimtarëve të diasporës, në kërkesën e tyre legjitime. Por, Kosova e komplikoi rimarrjen e shtetësisë, të lënë me imponim. Për rrjedhojë, kësaj kategorie mërgimtarësh u mohohet e drejta e votimit në Atdhe!

 “Bota sot”: Çfarë roli kanë mediat si “Bota Sot” në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare brenda diasporës?

Idriz Zeqiraj: Serbia pushtuese, përjashto organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe: gjuhë letërsi shqipe, histori, gjeografi, edukatë morale, në diasporë, të cilat e kishin epërsinë e organizimit të sotëm, edhe pse Kosova është e pavarur, që nuk e financon, gjithçka tjetër është tentuar të mbahet në kontroll, sidomos organizimet festive. Përgjimi dhe kërcënimi me sekuestrimin e pasaportave, për shqiptarët, të cilët për shprehjen e lirë, folklorin dhe jetën kulturore kombëtare, kanë qenë me kufizime dhe imponuese me vetë censurë.

"Bota sot" e ka shumë aktive rubrikën "Diaspora", ku pasqyrohen në mënyrë korrekte, të gjitha aktivitetet, të cilat ia adresojnë asaj korrespodentët vullnetarë. Ndërsa televizioni publik dhe ato private, kushtëzohen me pagesat përkatëse. Rrjedhimisht, janë të privuar nga kjo mundësi.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e gazetës “Bota Sot” në mbulimin dhe raportimin e çështjeve të diasporës shqiptare?

Idriz Zeqiraj: "Bota sot" është gazetë qendrore, me lexues numerikë dhe të rregulltë. Si e tillë ka parësinë në pëlqim nga mërgimtarët. Andaj veprimtaritë e tyre preferojnë t`i pasqyrojnë pikërisht në këtë gazetë. Me gjithë kërkesat e shumta, Redaksia e zellshme e "Bota sot", me përkujdesjen gjithë respekt, po arrin suksesshëm në mbulimin dhe raportimin e çështjeve të diasporës shqiptare. Dhe, për këtë meriton çdo lëvdatë.

“Bota sot”: A mendoni se “Bota Sot” i kushton vëmendjen e duhur sfidave dhe sukseseve të komuniteteve shqiptare jashtë vendit?

Idriz Zeqiraj: Fakti se "Bota sot" dekada me radhë botohet dhe bashkëpunon me shqiptarët e diasporës shqiptare, ata janë shumë më afër saj, se sa të gjitha mediat tjera. Sigurisht, se asnjëherë nuk ka munguar vëmendja e duhur ndaj sfidave dhe sukseseve të komuniteteve shqiptare jashtë vendit. Kjo është një lidhje jo vetëm bashkëpunuese, por edhe shpirtërore. "Bota sot" ka qenë dhe vazhdon të jetë palë me mërgatën shqiptare, në përballimin e sfidave, duke botuar në kohë rekorde, të gjitha hallet e mërgimtarëve. Një provë e dëshmuar me sinqeritet dhe dinjitet.

“Bota sot”: Çfarë ndikimi kanë artikujt dhe reportazhet e “Bota Sot” në ndërgjegjësimin e opinionit publik për çështjet e diasporës?

Idriz Zeqiraj: "Bota sot" është gazetë me besueshmëri të lartë, për diasporën  e përbotshme shqiptare. Ajo ka bashkëpunëtorë bollshëm të shkolluar, me profesionalistë për të gjitha fushat e jetës. Prandaj edhe artikujt dhe reportazhet kanë ndikim në ndërgjegjësimin e opinionit publik për çështjet e diasporës. Shkrimet përkushtuese për shqiptarët jashtë vendit, zënë vendin meritor dhe tejkalojnë mediat tjera, për arsye të lidhjes shpirtërore të kësaj gazete me shqiptarët e përbotshëm.

“Bota sot”: A ka pasur raste ku gazetaria e “Bota Sot” ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së diasporës apo në ndërmjetësimin mes saj dhe institucioneve në Kosovë?

Idriz Zeqiraj: "Bota sot", edhe pse gazetë e pavarur, pa asnjë financim nga institucionet shtetërore të Kosovë, madje edhe atëherë kur ishte angazhuar fort për ta ndihmuar mbijetesën ekonomike të Kosovës, sidomos në vitet `90-a dhe agjitimin për begatimin e Fondit të 3 %-it, i cili do të bëhej bazë financiare për përballimin e luftës, deri në çlirimin e saj.

"Bota sot" ka ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së diasporës, sepse është bërë pjesë e jetës së tyre të përditshme, me informacione nga Atdheu, me fjalën shqipe, në vendet e botës me gjuhë të huaj, vendore.

“Bota sot”: Sa e rëndësishme është për një media si “Bota Sot” të jetë zëri i diasporës dhe si mund të fuqizohet ky rol?

Idriz Zeqiraj: Politika redaktuese e gazetës "Bota sot", ka qenë shumë profesionale, qysh kur ka filluar botimin, nën administrimin e Xhevdet Mazrekaj me vëllezër dhe më pastaj edhe drejtues i vetëm. Redaktorët dhe kryeredaktorët e saj kanë qenë dhe janë kuadro profesionalë dhe me integritet, andaj nuk marr guximin  të përmend emra, sepse janë shumë dhe cilësorë. 

Një media, si "Bota sot", për të qenë zëri i diasporës në vijimësi, duhet të fuqizohet roli i saj. Mirëmbajtja e gazetës, respektivisht, portalit të saj, është e kushtueshme. Ndihma vullnetare financiare, e herëpashershme, e lexuesëve vullnetmirë, do të ishte garanci e cilësisë dhe e begatisë të "Bota sot".

Faqosja e "Bota sot" është më e mira, më e veçanta dhe më e thjeshta për ta përdorur. Rubrikat e saj funksionale, shumë të larmishme dhe të begata, e shquajnë atë nga simotrat tjera.

"Bota sot" sfidoi kohërat zezonë, me shantazhe e përgjakje. Është media unike me shumësi heronjesh, të flijuar për fjalën e lirë!

Gëzuar 30 vjetorin e ditëlindjes tënde "Bota sot"!

Urime stafit simpatik të gazetës "Bota sot"!

Suksese dhe mbarësi, në misionin tuaj fisnik!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat