Nisma Aleanca Shqiptare, e ka bashkuar Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Kandidat për kryetar të komunës nga kjo iniciativë do të jetë Leutrim Ajeti, i cili deri më tani ka qenë i vetmi asamblist shqiptar në Kuvendin e Komunës së Graçanicës dhe ka shërbyer si zëvendëskryetar i kryetares Lilana Shubariq nga Lista Serbe.
Kjo iniciativë, e cila bashkon katër subjekte politike shqiptare, synon të forcojë zërin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale të kësaj komune.
Për të kuptuar më shumë rreth kësaj nisme, sfidave dhe objektivave politike, Gazeta “Bota sot” ka realizuar një intervistë me kandidatin për kryetar të Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajetim i cili flet për rrugën drejt bashkimit politik, pritshmëritë për zgjedhjet dhe vizionin e tij për të ardhmen e shqiptarëve në këtë komunë.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Z. Ajeti, si lindi ideja për krijimin e listës së përbashkët "Aleanca Shqiptare"? Cili ishte motivi kryesor pas këtij bashkimi?
Leutrim Ajeti: Ideja ishte e përbashkët, pra liderët e partive lokale këtu, por edhe nga persona me ndikim, u jetësua kjo ide. Motivi kryesor ishte, që qytetarët e kërkonin këtë dhe ia arritëm.
Gazeta “Bota sot”: A ka pasur vështirësi gjatë harmonizimit të qëndrimeve midis katër partive shqiptare? Si u arrit konsensusi?
Leutrim Ajeti: Ka pas tentime edhe zgjedhjeve të kaluara, por asnjëherë kështu s’ishim bashkë. Kështu që pas atyre tentimeve e gjithsesi edhe vështirësive, ia arritëm kësaj here. Bashkimi u arrit me kontribut të të gjithëve.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë objektivat kryesore të Aleancës Shqiptare në këto zgjedhje lokale në Graçanicë?
Leutrim Ajeti: Objetivat janë që t’shkojmë në balotazh dhe të rrisim shumëfish numrin e asambleistëve në Kuvend.
Gazeta “Bota sot”: Si mendoni se do të ndikojë kjo listë e përbashkët në përfaqësimin e shqiptarëve në këtë komunë me shumicë serbe?
Leutrim Ajeti: Mendoj që do t’kontribuoj mirë, sepse qëllimi është i mirë.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni aktualisht përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale të Graçanicës? Çfarë duhet të ndryshojë?
Leutrim Ajeti: Përfaqësimi krahasuar me mandatet tjera është dukshëm më i mirë, kjo pasi që këtë mandat që po e përfundojmë e kishim nënkryetarin e Komunës! Duhet të rritemi më shumë, si në Kuvend ashtu edhe në ekzekutiv.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen qytetarët shqiptarë të kësaj komune?
Leutrim Ajeti: Siç e thash më larte, këtë mandat shqiptarët besojmë që janë përfaqësuar mirë, siç besojmë do të përfaqësohen edhe më mirë në formimin e institucioneve në mandatin e ri.
Gazeta “Bota sot”: Cili është vizioni juaj afatgjatë për shqiptarët në Graçanicë?
Leutrim Ajeti: Vizioni im është i qartë: rritja e fuqisë politike të shqiptarëve këtu, por gjithsesi duke qenë i barabartë për të gjithë, pa asnjë dallim.