Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Krenar Xhaferi, ka folur hapur rreth situatës aktuale politike në vend, duke adresuar sfidat e krijuara nga zvarritja e konstituimit të institucioneve dhe krizën që po kalon vendi.
Ai ndan vlerësimin e tij për qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, rolin e LDK-së dhe përgjegjësitë e aktorëve politikë në këtë moment të rëndësishëm
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Xhaferi, si e vlerësoni situatën politike në vend pas zvarritjes së konstituimit të institucioneve?
Krenar Xhaferi: Situata në vend është e rëndë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Çdo ditë që humbet me bllokime e zvarritje i sjell vendit dëm të madh. Është koha që të zbresin në tokë dhe të mendojnë racionalisht. Problemet nuk zgjidhen me kryeneqësi e as me iluzione politike, por me këmbë në tokë dhe me bashkëpunim real. Vetëvendosja duhet të largohet nga iluzionet dhe të pranojë realitetin politik, duke marrë përgjegjësi. Ky bllokim është i papranueshëm dhe i dëmshëm për Kosovën. Sa më shpejt që të ketë ndonjë mendje të qetë në LVV e që artikulon qëndrimim për marrëveshje politike, aq më shpejt do të dalim nga kjo gjendje ku ndodhemi.
“Bota sot”: Pas publikimit të aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, a është respektuar ky vendim nga aktorët politikë?
Krenar Xhaferi: Aktgjykimi i fundit ka qenë jashtëzakonisht i qartë dhe nuk ka më asnjë hapësirë, as edhe më të vogël, që ai të mos respektohet. Edhe vendimet e mëhershme kanë qenë të qarta, por Lëvizja Vetëvendosje me qëllim nuk i ka pranuar, sepse realisht nuk i ka numrat për ta kaluar qeverinë dhe nuk dëshiron të ulet për të zgjidhur problemin politik. Pra, nuk dëshiron të marrë përgjegjësi politike. Pikërisht kjo është arsyeja pse jemi në këtë krizë.
Vetë propozimet e reja që bëhen nga VV janë vetëm zvarritje. Sepse, nëse realisht do të donin të zgjidhnin problemin, propozimin do ta bënin publikisht para seancës. Pastaj ne si parti politike do të mund të pozicionoheshim. Pavarësisht që LDK ka thënë se nuk voton pa një marrëveshje politike, ndërsa janë disa që edhe poblikishtë kanë thënë që mund të reflektojnë.
“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e LDK-së dhe rolin tuaj personal si deputet në procesin e bllokimit të institucioneve?
Krenar Xhaferi: LDK-ja gjithmonë ka qenë bashkëpunuese në zgjidhjen e problemeve politike. Mendoj se arsyeja pse LDK-ja nuk ka pranuar të hyjë në një koalicion me LVV është se qëndrimet tona janë diametralisht të kundërta, si në raport me partnerët ndërkombëtarë, ashtu edhe në qasjen ndaj zhvillimit ekonomik dhe sfidave me të cilat përballet Kosova.
Pikërisht për këtë arsye, LDK-ja nuk ka marrë anë në këtë proces. Ne kemi qenë jashtëzakonisht korrektë dhe nuk jemi përfshirë në asnjë diskutim apo marrëveshje mes LVV-së dhe partive të tjera. Ne ua kemi lënë hapur mundësinë që LVV të orientohet drejt subjekteve të tjera politike për të krijuar një marrëveshje politike.
LDK-ja ka qenë e qartë dhe e shpejtë në përgjigjen e saj: nuk hyjmë në bashkëqeverisje me LVV-në në këtë legjislaturë. Ky qëndrim i yni, i dhënë pa vonesa, ka qenë një sjellje korrekte institucionale, duke i lënë hapur rrugën që LVV të kërkojë zgjidhje përmes partive të tjera.
“Bota sot”: Keni përmendur “kryeneçësinë politike”, kur sipas jush po mbahet peng funksionalizimi i institucioneve.
Krenar Xhaferi: Kryeneçësia politike vjen nga z. Kurti dhe nga figurat që e rrethojnë atë. Unë nuk e kam parë asnjëherë z. Kurti në karrierën e tij politike të jetë unifikues, bashkëpunues në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi, gjithmonë ka qenë përçarës dhe kryeneç. Pikërisht kjo gjendje ku jemi sot është rezultat i asaj që ai ka mbjellë ndër vite.
Në politikë kur nuk i ke numrat, duhet të bësh marrëveshje për të dalë nga ngërçi. Dhe nëse z. Kurti nuk arrin që me 48 deputetë të zgjidhë problemin e konstituimit të Kuvendit, si mund të presim që të zgjidhë problemet e nivelit qendror, apo të zhvillojë dialog me partnerët ndërkombëtarë?
Prandaj, kjo mendësi kryeneçe duhet të largohet. Kosova nuk fiton nga politika e bllokimit, por vetëm nga bashkëpunimi dhe ecja përpara.
“Bota sot”: Në këtë situatë të tensionuar politike, a ekziston nevoja për një marrëveshje politike ndërmjet partive?
Krenar Xhaferi: Pikërisht ky ka qenë edhe propozimi ynë, që të krijohet një qeveri e përbashkët, në mënyrë që skena politike të qetësohet dhe vendi të ketë një agjendë të qartë zhvillimore. Një marrëveshje e tillë do të parashihte që katër liderët e partive kryesore të mos jenë kryeministra, por të gjendet një kryeministër i përbashkët.
Qëllimi është i qartë: të zgjidhet ngërçi politik, të lehtësohet kriza energjetike që po e dëmton ekonominë dhe bizneset, të forcohen raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet evropiane, si dhe të trajtohen problemet e brendshme ekonomike e sociale.
Pas disa muajsh kur do të vijë koha për zgjedhjen e presidentit, vendi përsëri do të përballet me një sfidë politike. Prandaj është më mirë të kemi stabilitet dhe bashkëpunim tani, e më pas të shkojmë në zgjedhje, ku kushdo që fiton do ta ketë shumë më të lehtë të arrijë marrëveshje politike.
“Bota sot”: A janë zgjedhjet një zgjidhje reale në këtë moment, apo preferoni një zgjidhje institucionale?
Krenar Xhaferi: Zgjedhjet nuk janë një zgjidhje reale në këtë moment. Ato do të sillnin vetëm miliona të shpenzuara pa asnjë arsye, sepse edhe pas zgjedhjeve mund të gjejmë veten në të njëjtën situatë politike, me mungesë të vullnetit për të dalë nga ngërçi.
Unë mendoj se LVV duhet të bëjë marrëveshje, të ulet dhe të bëjë kompromise për të vazhduar punën. Ndërkohë, ne si LDK kemi zgjedhur në këtë fazë rrugën e opozitës, për të qenë gardian i punës së qeverisë dhe për të mbikëqyrur veprimet e saj në këtë periudhë.
“Bota sot”: A ka LDK-ja gatishmëri të marrë përgjegjësinë për qeverinë në këtë fazë për vendin?
Krenar Xhaferi: LDK-ja gjithmonë ka qenë pjesë aktive dhe e gatshme për të udhëhequr proceset politike. Në çdo proces historik politik që ka kaluar Kosova, LDK-ja ka luajtur një rol esencial dhe ka kontribuar në marrjen e vendimeve kyçe për vendin. Në të njejtën energji është edhe tani.
“Bota sot”: Cilat janë hapat konkret që po ndërmerrni ju dhe Grupi Parlamentar i LDK-së për të zhvendosur krizën aktuale politike?
Krenar Xhaferi: Hapi i parë duhet të jetë që Lëvizja Vetëvendosje të bëjë marrëveshje për të dalë nga kjo situatë. Ata kanë 57 deputetë dhe u nevojiten edhe 4 deputetë të tjerë për të arritur shumicën për qeverinë.
Pa numra dhe pa fuqi politike, nuk ka kuptim të votohet dikush që nuk ka forcë të mjaftueshme në Kuvend. Për këtë arsye ekzistojnë edhe marrëveshjet, për të siguruar numrat dhe për të zgjidhur problemin politik.