Ministri Rasim Demiri: Sfidë kryesore mbeten pabarazitë rajonale dhe kufizimet buxhetore

Intervistë

Ministri Rasim Demiri: Sfidë kryesore mbeten pabarazitë rajonale dhe kufizimet buxhetore

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 31 mars 2026 Në ora: 10:05
Rasim Demiri

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, për çështjet e zhvillimit rajonal, e po ashtu edhe politikën në vend ka folur Ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.

Demiri ka thënë se prioritetet e këtij viti janë zvogëlimi i pabarazive rajonale, investimet në infrastrukturë lokale dhe zhvillimi ekonomik, me fokus të veçantë në zonat rurale dhe punësimin.

Sa i përket mbështetjes së komunave, ai thotë se bëhet përmes granteve dhe bashkëfinancimit të projekteve kapitale, me fokus në infrastrukturë, shërbime publike dhe zhvillim ekonomik lokal, si dhe përmes rritjes së kapaciteteve institucionale.

I pyetur edhe për sfidat, Demiri sheh si sfida kryesore pabarazitë rajonale, kapacitetet e kufizuara të komunave dhe nevoja për koordinim më të mirë, si dhe ndikimi i faktorëve ekonomikë dhe kufizimeve buxhetore që kërkojnë menaxhim të kujdesshëm.

Kurse, për zgjedhjen e presidentit, ministri Demri thotë se çështjet politike janë përgjegjësi e subjekteve politike dhe forumeve përkatëse.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore për zhvillimin rajonal këtë vit?

Rasim Demiri: Prioritetet tona kryesore për këtë vit fokusohen në zvogëlimin e pabarazive ndërmjet rajoneve, rritjen e investimeve kapitale në infrastrukturë lokale dhe përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik. Një theks i veçantë po i jepet zhvillimit të zonave rurale, përkrahjes së projekteve që gjenerojnë punësim dhe forcimit të kapaciteteve të komunave për planifikim dhe menaxhim të zhvillimit.

“Bota sot”: Si planifikoni të mbështesni komunat më pak të zhvilluara?

Rasim Demiri: Mbështetja për komunat më pak të zhvilluara realizohet përmes skemave të dedikuara të granteve dhe bashkëfinancimit të projekteve kapitale. Këtë vit kemi rritur fokusin në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, si infrastruktura bazike, shërbimet publike dhe zhvillimi ekonomik lokal. Po ashtu, po ofrojmë mbështetje teknike për hartimin e projekteve dhe rritjen e kapaciteteve institucionale.

“Bota sot”: A ka plane për mbështetjen e bizneseve të vogla në rajone?

Rasim Demiri: Po, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme është një komponent i rëndësishëm i politikave tona. Përmes programeve të zhvillimit rajonal dhe bashkëpunimit me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, synojmë të krijojmë kushte më të favorshme për ndërmarrësi, duke përfshirë subvencione, trajnime dhe lehtësim të qasjes në financa për bizneset që operojnë në rajone më pak të zhvilluara.

“Bota sot”: Çfarë sfidash kryesore po hasni aktualisht?

Rasim Demiri: Ndër sfidat kryesore mbeten pabarazitë e theksuara zhvillimore ndërmjet rajoneve, kapacitetet e kufizuara në disa komuna për implementimin e projekteve dhe nevoja për koordinim më të mirë ndërinstitucional. Po ashtu, ndikim kanë edhe faktorët ekonomikë globalë dhe kufizimet buxhetore, të cilat kërkojnë menaxhim të kujdesshëm dhe prioritizim të investimeve.

“Bota sot”: Si mund të përfshihen më shumë të rinjtë në zhvillimin rajonal?

Rasim Demiri: Përfshirja e të rinjve është thelbësore për zhvillim të qëndrueshëm. Ne po punojmë për të krijuar mundësi konkrete për të rinjtë përmes programeve të praktikës, mbështetjes për start-up dhe inovacion, si dhe përfshirjes së tyre në proceset e planifikimit lokal. Synimi ynë është që të rinjtë të mos jenë vetëm përfitues, por edhe kontribuues aktiv në zhvillimin e komuniteteve të tyre.

“Bota sot”: Kalojmë te politika. Pas vendimit të Kushtetueses, a ka bisedime mes partish duke përfshirë edhe LVV-në për çështjen e presidentit?

Rasim Demiri: Si Ministër i Zhvillimit Rajonal, fokusi im mbetet në realizimin e prioriteteve zhvillimore dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Çështjet politike janë përgjegjësi e subjekteve politike dhe forumeve përkatëse. Megjithatë, çdo proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe në funksion të stabilitetit institucional të vendit.

“Bota sot”: Sa janë reale zgjedhjet e parakohshme?

Rasim Demiri: Diskutimet për zgjedhje të parakohshme janë pjesë e diskursit politik, por vendime të tilla varen nga zhvillimet politike dhe nga konsensusi institucional. Ajo që është e rëndësishme për ne si institucione është të vazhdojmë punën dhe të sigurojmë stabilitet, në mënyrë që projektet dhe politikat zhvillimore të mos preken dhe qytetarët të përfitojnë nga programet në zbatim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat