Në një intervistë për "Bota sot", ka folur deputeti nga LDK, Anton Quni, ai ka prekur të gjitha zhvillimet e fundit në vend duke filluar nga formimi i institucioneve, të cilin e vlerëson si hap drejt stabilitetit, por me sfida në efikasitet dhe reforma, sidomos në sundimin e ligjit dhe integrimet euro-atlantike.
Ai ka folur edhe për sigurinë, duke theksuar se deklaratat e Serbisë për armatim duhen marrë me kujdes, pa panik, si dhe ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n.
Sipas tij, mungesa e dialogut me Serbinë mbetet rrezik për stabilitetin, përcjell “Bota sot”.
Quni ka vlerësuar rolin e KFOR-it dhe partnerëve ndërkombëtarë si kyç për paqen, ndërsa për FSK-në ka thënë se po ecën drejt transformimit, por me sfida financiare dhe profesionale. Ai ka theksuar se krizat e brendshme dhe polarizimi politik mund të dëmtojnë sigurinë, ndërsa veriun e ka cilësuar si zonë të ndjeshme ku nevojitet reagim i matur.
Në fund, ai ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit, duke e quajtur një test pjekurie për deputetët, të cilët sipas tij duhet të vendosin interesin shtetëror mbi atë partiak dhe të tregojnë gatishmëri për kompromis.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë pas zhvillimeve të fundit dhe formimit të institucioneve të reja?
Anton Quni: Formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të fundit është një hap i domosdoshëm për stabilitetin e brendshëm. Megjithatë, sfida kryesore mbetet përkthimi i këtij stabiliteti numerik në efikasitet qeverisës. Pas betimit të legjislaturës së re, pritshmëritë janë të larta për të adresuar reformat që kanë mbetur pezull, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe integrimeve euro-atlantike.
Gazeta “Bota sot”: Sa e qëndrueshme është, sipas jush, situata e sigurisë në Kosovë sot, duke marr parasyshë së fundmi deklaratën e Vuçiq për armatim të ri?
Anton Quni: Deklaratat e fundit nga Beogradi për blerjen e sistemeve të reja të armatimit nuk duhen injoruar, por as nuk duhet të krijojnë panik të panevojshëm. Kosova duhet te monitoron me kujdes balancën e fuqisë në rajon. Siguria jonë mbështetet në dy shtylla: zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe aleancën strategjike me NATO-n. Çdo rritje e arsenalit në kufi shërben si fakt për domosdoshmërinë e modernizimit të vazhdueshëm të institucioneve tona të sigurisë.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë rreziku paraqesin për stabilitetin e Kosovës raportet e vazhdueshme të tensionuara me Serbinë dhe mungesa e dialogut të qëndrueshëm?
Anton Quni: Mungesa e një dialogu të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm mbetet burimi kryesor i pasigurisë. Pa një marrëveshje finale që në qendër ka njohjen reciproke, rajoni mbetet peng i një "konflikti të ngrirë" që mund të instrumentalizohet për qëllime politike. Stagnimi në dialog krijon vakum, i cili shpesh plotësohet me narrativa tensionuese.
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni rolin e KFOR-it dhe partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend?
Anton Quni: KFOR-i mbetet garantuesi kryesor i paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke ofruar një ambient të sigurt (Safe and Secure Environment). Bashkëpunimi me partnerët, veçanërisht me SHBA-të dhe BE-në, është jetik. Prezenca e NATO-s nuk është vetëm ushtarake, por edhe një mesazh i qartë politik për paprekshmërinë e kufijve dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e duhur drejt transformimit në ushtri të plotë dhe cilat janë sfidat kryesore?
Anton Quni: Forca e Sigurisë së Kosovës është në mes të planit dhjetëvjeçar të transformimit. Procesi po ecën sipas parametrave të paraparë, me fokus në:
-Ndërveprueshmërinë me standardet e NATO-s.
-Pajisjen me teknologji moderne (sisteme mbrojtëse dhe vëzhgimi).
-Trajnimin e personelit në akademitë më prestigjioze botërore dhe qendra të ndryshme të specializuara
Sfida kryesore mbetet buxheti i qëndrueshëm, pregaditja profesionale e personelit dhe sigurimi i pajisjeve që i përgjigjen kërcënimeve asimetrike bashkëkohore.
Gazeta “Bota sot”: Sa ndikojnë krizat politike të brendshme në aftësinë e Kosovës për të menaxhuar sigurinë kombëtare dhe reformat shtetërore?
Anton Quni: Polarizimi i skajshëm politik mund të minojë sigurinë kombëtare. Kur vëmendja e institucioneve zhvendoset tërësisht te mbijetesa politike apo krizat e brendshme, reformat në mbrojtje dhe siguri mund të ngadalësohen. Uniteti në temat e interesit nacional është i domosdoshëm për të treguar seriozitet karshi aleatëve dhe përballë kundërshtarëve.
Gazeta “Bota sot”: A ekziston rrezik real për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës dhe si duhet të reagohet në rast të një krize të re?
Anton Quni: Veriu i Kosovës mbetet një zonë me ndjeshmëri të lartë. Rreziku për përshkallëzim ekziston sa herë që ka mungesë të integrimit të plotë dhe ndërhyrje nga jashtë.
Reagimi duhet të jetë gjithmonë i matur:
-Koordinim i plotë me KFOR-in dhe partnerët strategjik.
-Maturi politike për të mos rënë në provokime.
-Shtrirje e ligjshmërisë përmes institucioneve të rendit në barazpeshim me masatë politike.
Gazeta “Bota sot”: Në fund, duke qenë se posti i presidentit është aktualisht i ushtruar në mënyrë të përkohshme dhe Kuvendi ka afat kushtetues për të zgjedhur presidentin e ri, si e vlerësoni përgjegjësinë e deputetëve në këtë proces dhe a po veprohet me seriozitet të mjaftueshëm?
Anton Quni: Zgjedhja e Presidentit është një test pjekurie për këtë legjislaturë. Deputetët kanë përgjegjësi kushtetuese të sigurojnë funksionalitetin e institucioneve. Çdo neglizhencë apo kalkulim i ngushtë partiak që rrezikon dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, në një kohë sfidash të mëdha të sigurisë, do të ishte shenjë e mungesës së seriozitetit. Kushtetuta ofron rrugën e qartë dhe deputetët duhet të dëshmojnë se interesi i shtetit qëndron mbi atë të grupeve politike.
Poashtu, partia e parë duhet të tregoj gjenerozitet për konsensus apo kompromis me partnerët e mundshëm për zgjidhjen e problemeve të interesit nacional.