Kosova në prag të votës vendimtare, Meholli i bindur për triumf të ri të Kurtit – paralajmëron Osmanin dhe opozitën

Intervistë

Kosova në prag të votës vendimtare, Meholli i bindur për triumf të ri të Kurtit – paralajmëron Osmanin dhe opozitën

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 18 maj 2026 Në ora: 12:30
Sylejman Meholli

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit po zhvillohen në një kohë të ndjeshme për skenën politike në Kosovë, mes debatesh të forta për funksionimin e institucioneve, përplasjesh mes pozitës dhe opozitës, si dhe sfidave që lidhen me stabilitetin politik dhe proceset shtetformuese. Në këtë atmosferë politike, partitë po kërkojnë sërish besimin e qytetarëve, ndërsa fokusi kryesor mbetet te mënyra se si do të ndërtohen institucionet pas zgjedhjeve dhe nëse vendi do të arrijë të shmangë bllokadat e reja politike.

Në një intervistë për “Bota sot” ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sylejman Meholli folur më gjerësisht mbi zhvillimet aktuale, klimën parazgjedhore dhe pritshmëritë nga zgjedhjet e 7 qershorit

Në këtë intervistë ai shpreh bindjen se qytetarët do ta rikonfirmojnë mbështetjen për LVV-në dhe partnerët e saj politikë, duke vlerësuar qeverisjen aktuale dhe punën e kryeministrit Albin Kurti.

Meholli flet edhe për përplasjet politike që çuan vendin në zgjedhje të reja, për çështjen e zgjedhjes së presidentit, për raportet me opozitën dhe mundësinë e krijimit të institucioneve stabile pas procesit zgjedhor.

Gjithashtu, ai komentoi edhe rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK, ndikimin që mund të ketë kjo lëvizje në skenën politike, si dhe sfidat që, sipas tij, po i sjell lufta hibride dhe dezinformimi në rrjetet sociale gjatë fushatës.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Meholli, si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë dhe klimën para zgjedhjeve të 7 qershorit?

Sylejman Meholli: Më lejoni fillimisht të them që Kosova dhe qytetarët tanë nuk e kanë pas as luksin, as dëshirën për këto zgjedhje të përsëritura, që nuk prodhojnë rezultat tjetër nga ai i 28 dhjetorit, përveçse rikonfirmim i atyre rezultateve nga zgjedhjet e fundit. Sa i përket klimës parazgjedhore, duhet ta vlerësojmë lartë pjekurinë politike e demokratike të qytetarëve tanë, që reflekton në zgjedhje të lira, shprehje e vullnetit dhe emancipimit politik.

Ajo që mund t'i kontribuojë për të keq kësaj klime politike është lufta hibride që po bëhet në rrjetet sociale me fake news, sidomos ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e nxitur nga një pjesë e analistëve politik, që e sfidojnë publikisht Qeverinë Kurti. Por që dua ta them, se është edhe një betejë tjetër e humbur karshi qeverisjes së mirë, të drejtë, e progresive që e kemi tash e 6 vite.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë pritshmërish keni nga rezultati i këtyre zgjedhjeve?

Sylejman Meholli: Edhe në këto zgjedhje që na u imponuan padrejtësisht nga opozita, presim që rezultati i tyre të jetë një plebishit i radhës në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj të koalicionit me partinë Guxo, Alternativa dhe PSHDK. Qytetarët e kanë të qartë se kush ishte bllokuese në themelimin e institucionit të Presidentit, sepse siç e dini, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria u themeluan në afat rekord nga fituesja e zgjedhjeve, pra LVV dhe partnerët tanë. Kosova nuk mund të jetë peng i egove personale të politikanë të caktuar, sepse shteti, Republika është më e madhe se secili nga ne, dhe përtej nesh. Prandaj, besoj fuqishëm që rezultati të jetë i njëjtë, e besoj edhe një ngritje e lehtë e jona, sepse opozita e tashme dhe e ardhshme, as nuk kanë ide, as parime, e as qëndrime që mund ta ndryshojnë opinionin publik dhe mbështetjen qytetare për qeverisjen shembull të Kryeministrit Kurti.

Gazeta “Bota sot”: A besoni se Lëvizja Vetëvendosje do ta ruajë mbështetjen që ka pasur në zgjedhjet e fundit?

Sylejman Meholli: E thash edhe më lartë që mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje dhe partnerët e saj, përveçse do ta ruaj rezultatin zgjedhor nga zgjedhjet e kaluara, ne do të kemi edhe një ngritje, sepse populli i Kosovës, qytetarët tanë dijnë të vlerësojnë drejt, dhe dijnë t'i ndëshkojnë me votë partitë që sabotojnë e bllokojnë për qëllime të ulta politike e egoiste. Ne, si Lëvizje Vetëvendosje kemi ofruar zgjidhje për presidentin, duke ofruar emra konkretë, zgjidhje konkrete, duke qenë të gatshëm që partive opozitare t’ua ofrojmë edhe nënshkrimet, edhe votat për një President konsensual, por që këto propozime tona, këto zgjidhje që i kemi ofruar ne, nuk kanë gjetë mirëkuptimin e bllokut opozitar. Prandaj, në këtë drejtim, ne do të rritemi, sepse këtë legjislaturë e kemi nisur me ligje të mira në interes të qytetarëve të Kosovës siç janë: paga e 13 për shërbyesit publik, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligji për sigurime shëndetësore, mbështetja për FSK-në, e ligje të tjera, prandaj qytetarët tanë kanë mjaftueshëm arsye që të na mbështesin përsëri, më fuqishëm se asnjëherë më parë.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës dhe çfarë ndikimi mund të ketë kjo në rezultatin zgjedhor?

Sylejman Meholli: Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK është çështje personale e vendim i saj, të cilin nuk dua ta komentojë. Sa i përket rezultatit dhe ndikimit të saj në rezultatin zgjedhor nuk besoj se do të ketë ndonjë impakt, për shkak se qytetarët tanë i kanë të freskëta ngjarjet që kanë ndodh me Dekretin Presidencial për Shpërndarjen e Kuvendit, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli si antikushtetues, ndonëse me aktgjykim e shprehje më të buta, por që ishte shkelje e rëndë kushtetuese dhe përmbysje e rendit tonë kushtetues.

Gazeta “Bota sot”: A prisni që pas zgjedhjeve të ketë nevojë për koalicione, apo LVV mund të qeverisë e vetme?

Sylejman Meholli: Edhe pas këtyre zgjedhjeve LVV do ta themelojë Qeverinë me partnerët e saj të koalicionit Guxo, Alternativa, PSHDK dhe minoritetet jo serbe, pa pas nevojë për ndonjë koalicion më të gjerë. Ajo që mund të jetë sfiduese prapë është zgjedhja e Presidentit/es, e cila kërkon një bashkëpunim më të të gjerë nga spektri i partive politike. Ne besojmë që partitë opozitare të reflektojnë në interes të Republikës, institucioneve stabile dhe qytetarëve të Kosovës. Ne do të ofrojmë përsëri bashkëpunimin tonë të drejt, e të sinqertë, por ju mbetet edhe të tjerëve që të reflektojnë mbi këto premisa.

Gazeta “Bota sot”: Meqenëse mosarritja e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit e çoi vendin në zgjedhje të reja, a ekziston rreziku që edhe pas 7 qershorit Kosova të përballet sërish me një bllokadë institucionale për këtë çështje?

Sylejman Meholli: Republika e Kosovës është sistem parlamentar. Pra. Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti zgjidhen nga deputetët e Kuvendit që kanë fituar mandate. Pas 7 zgjedhjeve të qershorit presim reflektim nga opozita e ardhshme, sepse natyrisht, që LVV do të dal fituese prapë, dhe presim që për zgjidhjen e Presidentit/es të kemi bashkëpunim, e dakordim, në mënyrë që qytetarëve tanë t'ju japim institucione stabile që shërbejnë e jo opozitë që bllokon e saboton.

Gazeta “Bota sot”: vendosët të rikandidoni sërish për deputet dhe çfarë synoni të arrini nëse fitoni edhe një mandat tjetër?

Sylejman Meholli: Rikandidimi im për deputet është në vazhdën e angazhimit tim politik e publik në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm shoqëror, ashtu siç e kam bërë edhe në të kaluarën, kudo ku kam shërbyer. Edhe në të ardhmen do të shërbejë me përgjegjësi, profesionalizëm e ndershmëri, sepse ua kemi borxh qytetarëve tanë, e në këtë drejtim, kontributi im do të vazhdojë edhe në legjislaturën e re. Kosova ka nevojë për një qeveri që udhëhiqet nga kryeministri Kurti, dhe një legjislaturë me njerëz të ndershëm, të përgjjegjshëm e parimor, që nuk janë aty për interesa të ngushta e personale, por janë për t'i shërbyer.

Gazeta “Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për qytetarët që do të votojnë më 7 qershor?

Sylejman Meholli: Qytetarët e Kosovës i ftoj që të mobilizohen edhe në këto zgjedhje, ashtu siç kanë bërë edhe në të kaluarën, duke i falënderuar për mbështetjen që na e kanë dhënë edhe si Lëvizje, por edhe mua si kandidat në çfarëdo sfide e beteje që kemi pasur. Qytetarët tanë janë vlerësuesi më i mirë, prandaj presim mbështetje edhe më masive në zgjedhjet e 7 qershorit. Natyrisht, nga këtu i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata në mërgatë, që të marrin pjesë në zgjedhje sa më masovikisht, të votojnë sipas bindjes së tyre të lirë, të pandikuar e të pashantazhuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat