Arben Gashi kërkon reflektim nga qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit, flet edhe për rikthimin e Osmanit në LDK

Intervistë

Arben Gashi kërkon reflektim nga qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit, flet edhe për rikthimin e Osmanit në LDK

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 3 qershor 2026 Në ora: 20:10
Arben Gashi

Në një intervistë për “Bota sot”, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka folur për gjendjen politike para zgjedhjeve të reja parlamentare, duke kritikuar qeverisjen aktuale për bllokim institucional, krizë ekonomike dhe dëmtim të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.

Kurse, për zgjedhjet e 7 qershorit, Gashi kërkon reflektim nga qytetarët mbi gjendjen sociale, ekonomike dhe të ardhmen e vendit.

Derisa, për kryeministrin Kurti, Gashi shprehet se ai është një politikan që ka ndërtuar pritshmëri të mëdha, por që ka dështuar tërësisht t’i përkthejë ato në rezultate.

Ndërsa, sa i përket rikthimeve në LDK, Gashi thotë se nuk janë të reja dhe zakonisht janë mirëpritur. Mirëpo, ai vlerëson se edhe rikthimi i Vjosa Osmanit është pranuar, por shton se ajo e ka dëmtuar rëndë LDK-në me bashkimin e saj me Vetëvendosje.

I pyetur për rugovizmin, Gashi thekson se rugovizmi mbetet themeli politik i LDK-së, i bazuar në demokraci, tolerancë dhe interes shtetëror mbi interesat partiake. 

Sipas tij, LDK-ja vazhdon të mbrojë parimet e Ibrahim Rugova dhe paraqitet si alternativa kryesore për ta nxjerrë Kosovën nga stagnimi, për të forcuar raportet me aleatët dhe për të rikthyer shpresën te qytetarët.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen politike dhe institucionale në Kosovë para zgjedhjeve?

Arben Gashi: Është e pamundur të bëhet një vlerësim vetëm për këtë periudhë para zgjedhjeve. Realisht, Kosova ka kohë që po ballafaqohet me sfida serioze, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të saj. Është esenciale të theksohet se mirëqenia e qytetarëve sot ka arritur në prag të mbijetesës, me çmimet e larta, shkallën e inflacionit dhe, mbi të gjitha, me pasigurinë institucionale.

Pra, kemi një situatë të ndërlikuar politike, ku partia në pushtet po vazhdon të mbajë peng krijimin e institucioneve, duke e shtyrë vendin në cikle zgjedhjesh pa rezultat. Arroganca dhe mungesa e frymës së bashkëpunimit, në këtë rast e partisë që ka pasur shumicën, kanë shkaktuar këtë situatë, duke e dëmtuar shtetin jo vetëm nga brenda, por edhe në raport me miqtë tanë.

Mos të harrojmë se janë fuqi të mëdha që për vite kanë qenë përkrahëse të Kosovës në çdo rrugëtim të saj dhe sot, fatkeqësisht, Kosova nuk është në agjendën ndërkombëtare, qoftë edhe për anëtarësim në organizata që do ta forconin shtetësinë e saj.

Fatkeqësisht, me këtë mendësi politike të partisë në pushtet po shprehet qartë tendenca e një politikani me mendësi dhe prirje totalitare, që synon përqendrimin e pushtetit në duart e tij.

Kjo është e rrezikshme për demokracinë e Kosovës, e cila është ndërtuar dhe mbajtur gjallë në rrethana tejet të vështira, sidomos kur i referohemi të kaluarës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e 7 qershorit?

Arben Gashi: Nga zgjedhjet e 7 qershorit pres reflektim nga çdo qytetar. Kur them reflektim, nuk e kam parasysh vetëm reflektimin mbi bindjet politike, të cilat domosdoshmërisht janë prezente në një shoqëri të një vendi të vogël si Kosova, e cila ka kaluar shumë.

Pres reflektim për balancën e jetës së çdo qytetari. Të reflektojnë qartë për jetën që bëjnë sot, për problemet me të cilat ballafaqohen, për faturën që paguajnë kur shkojnë në dyqan, për çmimin e rrymës, për mungesën e barnave esenciale dhe për arsimimin e fëmijëve.

Të reflektojnë për dëshirën e dhimbshme që pikërisht të ardhmen e fëmijëve të tyre nuk e shohin në Kosovë. Të reflektojnë për instrumentalizimin e institucioneve jetike, të cilat dikur ishin krenari.

Këtu kujtoj se, në qeverisjen e z. Kurti, për herë të parë njësitë elitare të policisë janë detyruar të dalin në rrugë për të protestuar për dinjitetin e tyre.

Të reflektojnë për çdo ditë që kanë kaluar nën këtë qeverisje. Për dinjitetin e cenuar të secilit punëtor të Kosovës, i cili me mund e djersë punon pa guxuar të mendojë për të ardhmen, por vetëm për ta kaluar muajin.

“Bota sot”: Si e komentoni qeverisjen e Albin Kurtit gjatë këtij mandati?

Arben Gashi: Albin Kurti është një politikan që ka ndërtuar pritshmëri të mëdha, por që ka dështuar tërësisht t’i përkthejë ato në rezultate. Ka kultivuar një politikë të përçarjes, duke e paraqitur veten si përfaqësuesin e vetëm të interesit publik dhe çdo kundërshtar të tij si armik të shtetit.

Një qasje e tillë e ka dëmtuar demokracinë. Në qeverisjen e tij, Kosova është zhytur në një polarizim të thellë politik, tensione me aleatët dhe mungesë të zhvillimit ekonomik.

Pra, kemi pasur një qeverisje të fokusuar në konfrontim publik dhe propagandë. Kjo ka shërbyer për të lënë në hije skandalet e shumta korruptive me energjinë, rezervat shtetërore e jo vetëm.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK?

Arben Gashi: LDK-ja, si parti e vjetër e ngritur mbi vlerat e demokracisë së fortë, fatkeqësisht ka kaluar nëpër periudha të rënda që padyshim e kanë dëmtuar. Gjithsesi, në rrethana të ndryshme ka gjetur forcën te elektorati dhe votuesi besnik për t’u ringritur.

Rikthimet në LDK nuk janë të reja. Kujtoj këtu rikthimet nga LDD në LDK, të cilat janë mirëpritur edhe atëherë.

Njësoj, LDK ka mirëpritur edhe Vjosa Osmanin, e cila, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është personi që e ka dëmtuar rëndë LDK-në me bashkimin e saj me Vetëvendosjen.

“Bota sot”: A është i mundshëm një bashkëpunim paszgjedhor me Vetëvendosjen apo partitë tjera?

Arben Gashi: LDK nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim me çdo subjekt politik që në programin dhe vizionin e tij ka forcimin e shtetit, mirëqenien e qytetarëve dhe synimin për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.

LDK është parti që ka dëshmuar nivel të lartë bashkëpunimi për interesa shtetërore dhe i tillë mbetet përkushtimi ynë.

“Bota sot”: Çfarë nënkupton sot Rugovizmi për LDK-në?

Arben Gashi: Rugovizmi është trashëgimia politike dhe filozofike e prijësit tonë historik, Ibrahim Rugova, që në thelb ka shtetin demokratik, tolerancën dhe unitetin qytetar mbi dallimet partiake.

Rugovizmi nuk është vetëm kujtim historik, por model politik që vendos interesin shtetëror mbi çdo gjë.

“Bota sot”: A po i ruan LDK-ja parimet e Ibrahim Rugovës? Si mund ta rikthejë LDK-ja besimin e qytetarëve?

Arben Gashi: Unë besoj se qytetari i Kosovës sot është i vetëdijshëm dhe i qartë me mënyrën e politikëbërjes në Kosovë. Me këtë qeverisje që ka stagnuar çdo segment të zhvillimit shoqëror, programi i LDK-së është alternativa e vetme në këto zgjedhje për ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë qarkore pa dalje.

Jam i bindur se më 7 qershor qytetarët e Kosovës do të zgjedhin me arsye LDK-në si parti fituese për të ndërtuar shtetin, për të rivendosur marrëdhëniet me aleatët dhe për të kthyer shpresën

“Bota sot”: Z. Gashi, brenda LDK-së vërehet se ka pakënaqësi. A mendoni se partia po arrin ta ruajë unitetin?

Arben Gashi: LDK është parti shtetformuese, institucionaliste dhe me demokraci të pashoqe krahasuar me subjektet e tjera politike. Në LDK çdo mendim ka peshë dhe vlerësohet, edhe kur ka dallime. Fundja, kjo është dëshmi e demokracisë dhe gjithmonë do të jetë.

Uniteti ynë është vlerë e trashëguar dhe e dëshmuar historikisht. Sot të gjithë jemi bashkë për ndryshimin e madh pas 7 qershorit, sepse Kosova ka nevojë për ndryshim dhe në këtë synim nuk ka asgjë që cenon unitetin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat