Në një intervistë ekskluzive për "Bota sot", ka folur kandidati për deputet nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi. Ai ka folur për shumë tema, duke u pyetur fillimisht për pritshmëritë nga zgjedhjet e 7 qershorit dhe perspektivën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë intervistës, Mustafi u shpreh i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të dalë sërish forca kryesore politike në vend, duke theksuar se qytetarët e vlerësojnë dallimin mes një qeverisjeje që punon për shtetin dhe një politike që punon për interesa të ngushta.
Ai foli edhe për dialogun Kosovë–Serbi, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e barazisë, respektimit të sovranitetit të Kosovës dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, ndërsa nënvizoi se edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të mbetet pjesë e agjendës së dialogut.
Mustafi u ndal edhe te sfidat ekonomike dhe emigrimi i të rinjve, duke kërkuar më shumë mbështetje për punësimin, startup-et, ekonominë digjitale, arsimin dual dhe programet e praktikës së paguar. Sipas tij, të rinjtë kanë nevojë për mundësi konkrete që ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre. Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua rolit të Luginës së Preshevës në raport me Kosovën, ku ai theksoi se kjo trevë duhet të ketë një zë më të fuqishëm institucional dhe të përfshihet në proceset vendimmarrëse.
Kandidati për deputet foli gjithashtu për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke vlerësuar investimet në ushtri, polici dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. Ai tregoi edhe prioritetet e tij në rast se zgjidhet deputet, duke veçuar përfaqësimin institucional të Luginës së Preshevës, mbështetjen për rininë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik, si dhe krijimin e politikave afatgjata shtetërore për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në fund, Mustafi theksoi se deputeti duhet të jetë jo vetëm ligjvënës, por edhe zë i qytetarëve dhe nismëtar i ideve që e afrojnë shtetin me nevojat e njerëzve.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga zgjedhjet e 7 qershorit për Lëvizjen Vetëvendosje?
Ragmi Mustafi: Pres që Lëvizja Vetëvendosje të dalë sërish jo vetëm forca e parë politike në vend, po larg me mbështetjen popullore. Sepse qytetarët e dinë dallimin mes qeverisjes që punon për shtetin dhe politikës që punon për veten.
Më 7 qershor nuk vendoset vetëm për një mandat. Vendoset nëse Kosova vazhdon rrugën e shtetit të drejtë, zhvillimit dhe sovranitetit, apo kthehet prapa në logjikën e pazareve.
Gazeta “Bota sot”: Dialogu Kosovë–Serbi është në fazë të vështirë. Cili duhet të jetë qëndrimi i Kosovës?
Ragmi Mustafi: Kosova ka mbajtur qëndrim të drejtë gjatë kësaj qeverisje, por asnjëherë nuk është nënshtruar. Dialogu ka kuptim vetëm kur respektohet barazia mes palëve, sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe të drejtat e qytetarëve.
Ky pozicion është i vetmi që i jep shtetit të Kosovës dinjitetin dhe avantazhin ndaj një politike me mendësi kolonizuese të Beograd.
Poashtu në këtë proces, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk ka mbetur e nuk ka mund të mbetet jashtë tavolinës.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë politikash do të mbështesnit për vende pune dhe frenim të emigrimit?
Ragmi Mustafi: Të rinjtë nuk largohen sepse nuk e duan vendin. Largohen kur nuk shohin mundësi.
Duhet të vazhdohet me programe si Superpuna, me mbështetje për startup-e, ekonomi digjitale, punë remote, arsim dual dhe praktika të paguara për studentë. Duhet më shumë lidhje mes universiteteve dhe bizneseve.
Për të rinjtë e Luginës, kjo është edhe më jetike. Ata kanë nevojë për bursa, kuota, punësim, dokumente dhe mundësi reale që të mos e shohin largimin si të vetmen rrugë.
Gazeta “Bota sot”: Si mund ta shfrytëzoni pozitën tuaj në Kuvend për lidhjet Kosovë–Luginë?
Ragmi Mustafi: Unë vij nga Lugina e Preshevës dhe e di nga afër çfarë do të thotë mungesa e zërit institucional. Prandaj platforma ime politike është e qartë: Lugina duhet të ketë zë në Kuvendin e Kosovës.
Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm: linjë të rregullt buxhetore për Luginën, bursa për studentët, libra shqip për nxënësit, mbështetje për ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar, trajtim të barabartë në spitale të Kosovës, kuota për specializantë dhe angazhim ndërkombëtar.
Por kjo duhet të shkojë më tutje. Duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.
Gazeta “Bota sot”: A po ecën Kosova në drejtimin e duhur në mbrojtje dhe siguri?
Ragmi Mustafi: Po. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e ushtrisë, policisë dhe sigurisë kombëtare. Rritja e buxhetit për mbrojtje, investimet në pajisje moderne, rekrutimi i të rinjve dhe forcimi i bashkëpunimit me aleatët janë të domosdoshme.
Një shtet që do paqe duhet të jetë i përgatitur për ta mbrojtur atë. Siguria është kusht për zhvillim, stabilitet dhe sovranitet.
Gazeta “Bota sot”: Nëse zgjidheni deputet, cila do të jetë iniciativa e parë që do ta mbështesni?
Ragmi Mustafi: Iniciativa ime e parë do të lidhet me institucionalizimin e përfaqësimit të Luginës në agjendën e Kuvendit të Kosovës.
Do të angazhohem për mekanizma të përhershëm parlamentar për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, që do të përcjellë politikat për arsimin, dokumentet, pasivizimin, zhvillimin ekonomik, studentët dhe të drejtat e shqiptarëve.
Sepse përfaqësimi i Luginës është nevojë jetike për shqiptarët e Luginës, ata që jetojnë atje dhe ata që jetojnë në Kosovë.
Koha ka ardhur që Lugina të ketë zë në Kuvend.
Gazeta “Bota sot”: Nëse zgjidheni deputet, cili do të jetë ligji ose iniciativa e parë që do të propozoni apo mbështesni gjatë mandatit tuaj, dhe pse?
Ragmi Mustafi: Do të mbështes fuqishëm iniciativat që lidhen me rininë, arsimin, punësimin dhe zhvillimin ekonomik, sepse besoj se këto janë sfidat më të mëdha të Kosovës sot.
Në veçanti, do të angazhohem për zgjerimin e programeve të praktikës së paguar për studentët dhe të rinjtë, për mbështetje më të madhe të startup-eve, ekonomisë digjitale dhe inovacionit, si dhe për forcimin e lidhjes mes universiteteve dhe tregut të punës.
Njëkohësisht, duke ardhur nga Lugina e Preshevës dhe duke pasur përvojë shumëvjeçare në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, do të ndërmarr iniciativa që forcojnë kujdesin institucional të Republikës së Kosovës për shqiptarët jashtë kufijve të saj, veçanërisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Do të angazhohem që mbështetja për studentët, nxënësit, kulturën, bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik në Luginë të mos varet nga vullneti i një qeverie të caktuar, por të bëhet pjesë e politikave afatgjata të shtetit të Kosovës.
Po ashtu, do të kërkoj më shumë programe për lehtësimin e qasjes në dokumente, arsim, specializime profesionale dhe mundësi punësimi për shqiptarët e Luginës, si dhe më shumë bashkëpunim institucional mes Kosovës dhe komunave shqiptare në lindje të Kosovës.
Besoj se deputeti nuk duhet të jetë vetëm ligjvënës. Ai duhet të jetë zë i qytetarëve, urë mes institucioneve dhe nismëtar i ideve që e bëjnë shtetin më të drejtë, më zhvillimor dhe më afër njerëzve.