Bizneset e Pallatit të Rinisë me probleme të mëdha të të bërit biznes - Bota Sot
Bizneset e Pallatit të Rinisë me probleme të mëdha të të bërit biznes

Biznes

Bizneset e Pallatit të Rinisë me probleme të mëdha të të bërit biznes

Më: 7 mars 2019 Në ora: 17:54
Pamje nga takimi

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) gjatë një takimi sot me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë Ilir Dugolli, kanë biseduar lidhur me problemet e bizneseve të Pallatit të Rinisë, me theks të veçantë afati i shkurtë i kontratave të qirasë me bizneset, kushtet infrastrukturore dhe keq menaxhimi i deritanishëm nga AKP-ja.

Me këtë rast, kryetari i Bordit të OAK-së Skënder Krasniqi adresoi shumë probleme të identifikuara nga OAK gjatë takimeve me bizneset e Pallatit të Rinisë, ndër të cilat janë kontratat afat shkurtër të qirasë, duke i pamundësuar investimet nga ana e bizneseve, menaxhimi jo i mirë i deritashëm, mungesa e sigurimit, ishin disa nga çështjet që preokupojnë më shumë këto biznese.

Ai tha se bizneset e Pallatit të Rinisë i janë bashkuar OAK-së me qëllim që bashkërisht të kontribuojnë në përmirësimin e sfidave me të cilat po përballen, andaj tash e tutje OAK do të jetë përfaqësues zyrtar i këtyre bizneseve tek institucionet.

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues të bizneseve, të cilat kishin rastin që të adresojnë shqetësimet e tyre.

Shkelzen Domi, pronar i biznesit Gently, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe menaxhmentit të Pallatit të Rinisë është shumë i rëndësishëm dhe se pret që të konsiderojnë njëri – tjetrin partner.

Sipas tij, problemi kryesor me të cilin po përballen bizneset e Pallatit të Rinisë janë kontratat e qirasë me afat shumë të limituar, duke theksuar që ndërmarrja e hapave për ndryshim është e domosdoshme, pasi një gjë e tillë po e bënë të pamundur investimin nga ana e bizneseve për shkak të pasigurisë që ata kanë.

Dugolli përgëzoi OAK-në për lobimin e zgjidhjes së problemeve në mënyra zyrtare, duke shtuar që edhe përfaqësuesit e Pallatit të Rinisë janë të interesuar për bashkëpunim.

Ai shtoi se problemet e Pallatit të Rinisë janë të trashëguara nga AKP-ja dhe  shpresojnë që në një periudhë të shkurtë kohore të bëhet përmirësimi i situatës ekzistuese.

“Pallati ka qenë një nga pikat më atraktive në qytet dhe i tillë dëshirojmë të vazhdoj, për këtë arsye Oda e Afarizmit të Kosovës po vazhdon të lobojë në eliminimin e problemeve të tyre”, tha anëtari i bordit Hyzni Zogaj.

Të dyja palët u dakorduan për një takim të radhës të përbashkët me Bordin e Pallatit të Rinisë, me qëllim të bashkëpunimit në përmirësim të situatës ekzistuese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat