Bizneset mashtrojnë konsumatorët me peshore, Inspektorati dënon 9 nga to - Bota Sot
Bizneset mashtrojnë konsumatorët me peshore, Inspektorati dënon 9 nga to

Biznes

Bizneset mashtrojnë konsumatorët me peshore, Inspektorati dënon 9 nga to

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 10:19
Ilustrim

Pronarët e bizneseve në Kosovë përveç mashtrimit me çmime po provojnë edhe mënyra tjera të mashtrimit.

Atë me peshore. Këto mashtrime janë konfirmuar edhe nga zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.  

Vetëm në periudhën e fundit, Inspektorati i tregut në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, ka arrit të shqiptojë 9 gjoba për mashtruesit nëpër biznese ndërsa, Dogana ka konfiskuar rreth 90 peshore në kufij, të cilat nuk i kanë plotësuar standardet e kërkuara të bazhdarimit për fiksimin e peshoreve.

Se tregtarët mashtrojnë  e thonë qytetarët të cilëve u ka ndodhur që gjatë blerjes janë mashtruar në peshore.

Qytetari Hamdi Nura thotë se ka pasur raste kur ai është mashtruar gjatë blerjes së ndonjë produkti të peshuar në peshore.

Nura: Mashtrimi me peshore është evidente çdo herë

“Po, po është evidente çdo herë. Me emra nuk përmendi, por pasi fatkeqësisht organet kompetente nuk i kontrollojnë, zakonisht peshoret i devijojnë”, ka thënë Nura.

Edhe Ibrahim Abazi, qytetar ka thënë se viktimë e peshoreve përveç konsumatorëve, janë edhe prodhuesit në Kosovë.  

Abazi: Përveç konsumatorit mashtrohet edhe prodhuesi

“Çështja e peshores nuk është vetëm në stilin e tri gjërave, në qoften se e keni fjalën vetëm për pemët dhe perimet, unë ju tregoj se ajo fillon prej bazës, jo vetëm mua si konsumator, por fatkeqësisht  në Kosovë mashtrohet edhe prodhuesi... Por, të them të drejtën mashtrohesh jo vetëm në peshore edhe në transport,  edhe në kualitet”, ka thënë Abazi.

Ndërsa, Ragip Gashi konsumator, ka thënë se mashtrimet me peshore janë të shpeshta dhe nuk pret që të ndalet ky fenomen nga biznese të mëdha në vend.

Gashi: Rastet e mashtrimeve janë të shumta

“Po edhe shumë herë , ka ndodhë edhe ndodhin edhe sot e ato nuk ndalen kurrë. Janë të shumtat, ma së tepërmi këtyre lokaleve që janë më të njohura”, ka thënë Gashi

Megjithatë edhe drejtues të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës po thonë se mundësitë për mashtrime me peshore janë gjithmonë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Por Isa Elshani, udhëheqës i Drejtoratit të Metrologjisë Ligjore në AMK ka thënë se po përpiqen që t’i eliminojnë këto dukuri në bazë të Ligjit në fuqi dhe për mes Trupave të Emëruara për Vlerësim të Konformitetit, të cilët sipas tij, verifikojnë mjetet matëse ligjore, dhe nëse ato janë në pajtueshmëri me kërkesat e verifikimit fillestar dhe periodik, vendosin shenjën e verifikimit dhe lëshojnë certifikatën e verifikimit.

Elshani thotë se që nga 7 qershori është në fuqi Rregullorja për peshoret jo-automatike, e cila përcakton kriteret të cilat duhet t’i përmbush një peshore jo-automatike, para se te vendoset në tregun  e Kosovës.

Elshani ka thënë se në bazë të Udhëzimit Administrativ për periudhën verifikuese të mjeteve matëse ligjore, peshoret jo-automatike me matje maksimale mbi 9 mijë kilogramë,  verifikohen çdo vit.

 Elshani: Kemi verifikuar 800 peshore

“Nga janari deri më tash kemi bërë diku rreth 800 verifikime ose 800 peshore i janë nënshtruar procedurave të verifikimit periodik... Mundësi për mashtrime ka gjithmonë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara të BE-së, por ne po mundohemi me ato kapacitete që i kemi që qytetarët të jenë sa më të sigurt gjatë proceseve të matjeve, të cilat kryhen me këto peshore. Ne po bëjmë maksimumin që qytetari dhe konsumuari të jetë i mbrojtur nga mundësia e keqpërdorimeve. Ky është obligim i yni ligjor dhe ne punojmë çdo ditë që me kryer detyrën tonë”, tha Elshani.

Kryeinspektori i Tregut në MTI Lulëzim Syla ka thënë se gjatë inspektimeve në treg, kanë hasur parregullsi nëpër biznese, ku edhe kanë shqiptuar gjoba prej 500 deri 1500 euro. Ai nuk ka treguar se për cilët operatorë ekonomik janë lëshuar gjobat.

 Syla: 9 gjoba për mashtrime me peshore

“Është punë e zakonshme të cilën e bën Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, aty ku hasim se nuk i kanë verifikuar peshoret normal që i jepet një afat kohor, por edhe pasi që jepet një afat kohor ne lëshojmë gjoba, ku gjoba minimale është 500 deri në 1500 euro... 9 gjoba të cilat i kemi lëshuar deri më tani“, ka thënë Syla.

Ndërsa, në dy vitet e fundit në Kosovë janë importuar 90 mijë peshore, ku sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, rasti i fundit për ndalim të importeve me peshore digjitale ka qenë tre muaj më parë, pasi dogana ka hasur një import me peshore me origjinë nga Kina të cilat nuk kanë qenë konform standardeve që tregojnë saktësinë apo nivelin e saktësisë.

Stavileci: Kemi konfiskuar disa lloje të peshoreve

“Në të gjitha importet e peshoreve të cilat bëhen, përcillen me certifikata të ndryshme të cilat tregojnë saktësinë apo nivelin e saktësisë të cilin e kanë. Edhe në këto raste, p.sh., rasti I fundit ka qenë para 3 muajve, e aty kemi pasur një import me peshore me origjinë Kina dhe ato janë blloku, për arsye se nuk kanë dalë  konform standardeve të cilat kërkohen në Kosovë. Aty ka pas disa lloje të peshoreve, duke fillua prej peshoreve të dyqaneve ushqimore e deri tek ato më të mëdha”, thotë Stavileci.  

Për këtë fenomen, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që ta trajtojnë me urgjencë bazhdarimin për fiksimin e peshoreve, sepse kjo, sipas tij, krijon pasiguri dhe shumë probleme në treg.  

Rukiqi: Mashtrimi krijon pasiguri dhe probleme në treg

 “Duhet edhe inspektoratet, por edhe autoritet e caktuara që t’i trajtojnë këto çështje me urgjencë për shkak se janë në funksion të masave që e zvogëlojnë informalitetin, kur e dimë që informaliteti është i lartë  realisht kjo krijon pastaj pasiguri dhe shumë probleme në treg, barriera për biznese të cilat veprojnë brenda një kornize e cila është e pranueshme”, ka thënë Rukiqi.

Ndryshe, mashtrimet e shumta ndodhin me peshore digjitale, të cilat përdoren nga bizneset.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...