Ç’duhet të dish për çrregullimet mendore

Këshilla mjekësore

Ç’duhet të dish për çrregullimet mendore

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 17:13
Foto Ilustrim

Ndihesha sikur nuk mbushesha dot me frymë,—thotë Klaudia, që kohët e fundit është diagnostikuar me çrregullim bipolar dhe stres post-traumatik.—Ishte tmerrësisht e vështirë të përballoja damkën që vjen nga sëmundja mendore.»

«M’u desh shumë kohë të pranoja situatën tonë,—shprehet Marku, bashkëshorti i Klaudias.—Por kuptova se duhej të përqendrohesha te gruaja ime që ta mbështetja emocionalisht.»

Si do të ndiheshe nëse ti ose dikush që e ke për zemër diagnostikohet me një çrregullim mendor? Sa mirë që sëmundjet mendore mund të kurohen! Të shohim disa të vërteta që duhet të dish, të cilat do të të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë çrregullimet mendore. *

Fakte të rëndësishme për shëndetin mendor

«Çrregullimet mendore prekin qindra milionë njerëz në çdo pjesë të botës dhe ndikojnë në jetën e të afërmve. Një në katër veta preket nga ndonjë çrregullim mendor në një moment të jetës. Depresioni është kontribuesi kryesor i paaftësisë në mbarë botën. Skizofrenia dhe çrregullimi bipolar janë ndër çrregullimet më të rënda që shkaktojnë paaftësi. . . . Ndonëse prekin një numër marramendës njerëzish, çrregullimet mendore mbahen fshehur, lihen pas dore dhe paragjykohen.»—Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas OBSH-së, mjaft njerëz me sëmundje mendore ngurrojnë të kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të stigmës ose damkës si të sëmurë mendorë.

Edhe pse pjesa më e madhe e çrregullimeve mendore kurohen, Aleanca Kombëtare për Sëmundje Mendore (NAMI) raporton se në Shtetet e Bashkuara mesatarisht 60 për qind e të rriturve dhe gati 50 për qind e të rinjve 8-15 vjeç me ndonjë çrregullim mendor nuk kanë marrë trajtim vitin e kaluar.

Të kuptojmë çrregullimet mendore

Çfarë janë sëmundjet mendore? Specialistët i përkufizojnë çrregullimet mendore si mosfunksionim serioz në mënyrën e të menduarit të dikujt, në kontrollimin e ndjenjave dhe në sjellje. Kjo gjendje shpesh e pengon personin në marrëdhëniet me të tjerët dhe të përballojë sfidat e jetës.

Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri

Shkalla e simptomave mund të ndryshojë për nga kohëzgjatja dhe intensiteti, në varësi të individit dhe të sëmundjes specifike e rrethanave. Mund të preken njerëz të çdo gjinie, moshe, kulture, race, feje ose arsimimi dhe gjendjeje ekonomike. Çrregullimet e shëndetit mendor nuk shkaktohen nga ndonjë dobësi e personit ose nga ndonjë e metë karakteri. Me anë të kujdesit të duhur shëndetësor, individët mund të kurohen e të bëjnë jetë normale e me kuptim.

Të kurojmë çrregullimet mendore

Specialistët e shëndetit mendor mund të kurojnë shumë çrregullime mendore. Prandaj, hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent që ka përvojë në kurimin e sëmundjeve mendore.

Sidoqoftë, kush vuan, do të përfitojë vetëm nëse pranon trajtimin e përshtatshëm. Për këtë mund t’i duhet të mos ngurrojë të flasë me të tjerët për çrregullimin mendor. Trajtimi mund të përfshijë biseda me specialistë të trajnuar të shëndetit mendor që mund ta ndihmojnë të kuptojë sëmundjen, të zgjidhë problemet e jetës së përditshme dhe ta bindin sa e domosdoshme është të mos heqë dorë nga mjekimi. Gjatë konsultave, një familjar ose mik mund të luajë rol jetësor duke i dhënë siguri dhe mbështetje.

Shumë njerëz kanë mësuar t’i përballojnë çrregullimet mendore pasi kanë kuptuar më mirë gjendjen e tyre dhe pasi kanë ndjekur kurën e rekomanduar nga specialistët e shëndetit mendor. Marku, i përmendur në fillim, thotë: «Para se gruaja të diagnostikohej, nuk dinim shumë për sëmundjet mendore. Por kemi mësuar t’i përballojmë me qetësi problemet njëri pas tjetrit e të përshtatemi me situatën tonë. Me kalimin e kohës, kemi nxjerrë dobi nga mbështetja e specialistëve të besueshëm si edhe nga familjarët e miqtë.»

Hapi i parë jetësor është të bëjmë një konsultë të hollësishme me një specialist kompetent

Klaudia është dakord: «Në fillim m’u duk sikur do të mbyllesha në burg. Ama, edhe nëse sëmundja ime na kufizon disi të dyve, kam mësuar që pengesat në dukje të pakapërcyeshme mund të rrëzohen. Kështu e përballoj sëmundjen duke bashkëpunuar me mjekët dhe specialistët, duke u përpjekur të krijojë marrëdhënie ndërtuese me të tjerët dhe duke i marrë ditët një nga një.»

TË JETOSH ME SËMUNDJE MENDORE

«Ka momente kur më zë paniku e më duket sikur s’arrij t’i bëj ca gjëra dhe ka ditë kur as që përqendrohem dot siç duhet për të lexuar. Ndonjëherë errësira e depresionit më shtyn t’i shmang të tjerët, madje edhe miqtë e ngushtë. Disa përpiqen të më ndihmojnë duke më thënë se gjërat do të rregullohen shpejt ose se nuk janë aq keq sa ç’mendoj unë. Të tjerë më thonë të përqendrohem tek aspektet pozitive. Po kushedi sa herë jam përpjekur ta bëj. Ndonëse komente të tilla bëhen me qëllim të mirë, thjesht m’i shtojnë ndjenjat e paaftësisë, të fajit dhe të dështimit që provoj tashmë.»—Klaudia, Afrika e Jugut.

SI T’I PËRBALLOSH ÇRREGULLIMET MENDORE

Ndiq trajtimin që të kanë rekomanduar specialistët e kualifikuar të shëndetit mendor. *

Mbaj një program ditor të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm.

Merru me aktivitete fizike.

Fli mjaftueshëm.

Lër kohë çdo ditë që të çlodhesh.

Ha shëndetshëm dhe me ekuilibër.

Kufizo pijet alkoolike dhe ilaçet që nuk përfshihen në recetën tënde.

Mos u veço; kalo kohë me njerëz që u zë besë dhe që ta duan të mirën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat