Kapet pa rrip sigurimi teksa ecte me makinë, ja çfarë bëri fieraku që u arrestua

Kronikë e zezë

Kapet pa rrip sigurimi teksa ecte me makinë, ja çfarë bëri fieraku që u arrestua

Më: 2 gusht 2017 Në ora: 19:09
Ilustrim

Policia ka arrestuar një fierak pasi ka qenë duke lëvizur me makinë pa vendosur rripin e sigurimit. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë-Orikum, në vendin e quajtur Radhimë.

Në fakt arrestimi i shtetasit me inicialet G. H., ka ardhur si pasojë e tentativës për të korruptuar policin, me qëllim që të mos e gjobiste.

Bëhet e ditur se punonjësit e policisë pasi e kanë ndaluar i kanë bërë me dije arsyen e ndalimit dhe i kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit për të vijuar me plotësimin e masës administrative.

Në momentin e dhënies së dokumentacionit punonjësit të policisë, drejtuesi i automjetit ka vendosur në brendësi të tyre 500 lekë të rinj, duke u munduar t’i shmanget vendosjes së masës administrative.

Si pasojë, policia ka bërë menjëherë arrestimin në flagrancë të 32-vjeçarit, banues në Fier.

Mësohet se materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ”Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat