Dy operacione antidrogë në Kukës, arrestohet 34-vjeçari duke u kujdesur për kanabisin, pranga edhe një i kërkuar

Kukësi

Dy operacione antidrogë në Kukës, arrestohet 34-vjeçari duke u kujdesur për kanabisin, pranga edhe një i kërkuar

Më: 21 korrik 2026 Në ora: 10:32
Foto nga vendi i ngjarjes

Dy operacione të Policisë së Kukësit kundër kultivimit të bimëve narkotike kanë çuar në arrestimin e dy personave, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, ndërsa vijon puna për kapjen e një tjetër të dyshuari.

Në kuadër të operacionit të koduar “Kalimashi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin F. L., 34 vjeç, i cili u kap duke u kujdesur për 60 bimë të dyshuara Cannabis Sativa të kultivuara në territorin e fshatit Kalimash. Një pjesë e bimëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie.

Ndërkohë, në vijim të operacionit “Zabeli”, të nisur më 11 korrik, Policia lokalizoi dhe arrestoi F. R., 63 vjeç, për të cilin Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas hetimeve, 63-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me djalin e tij M. R., ka kultivuar 215 bimë kanabisi në fshatin Gështenjë. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti edhe 3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Njoftimi i policisë

Finalizohen në 24 orë, 2 operacione për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për raste në këtë fushë.

Kapet duke u kujdesur për bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Kalimash, dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

Kapet njëri nga shtetasit e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Zabeli”, për kultivimin e 215 bimëve Cannabis dhe prodhimin e 3 kg të kësaj lënde.

Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, në 24 orët e fundit, struktura në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës finalizuan 2 operacione. Konkretisht:

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës finalizuan operacionin e koduar “Kalimashi”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi F. L., 34 vjeç, banues në Kukës, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për 60 bimët e dyshuara narkotike Cannabis Sativa që kishte kultivuar në territorin e fshatit Kalimash. Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies;

-gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “Zabeli“ të zhvilluar më datë 11.07.2026, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional, me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policisë Kukës, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim F. R., 63 vjeç, banues në fshatin Gështenjë. Për të, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” , pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij, shtetasin M. R., ka kultivuar 215 bimë narkotike, në territorin e fshatit ku banonin. Më tej, në banesën e tyre, Policia gjeti 3 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Për rastin, u proceduan penalisht bashkëshortja e të ndaluarit dhe kryetari i fshatit Gështenjë. Vijon puna për kapjen e shtetasit M. R..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat