Ansambli “Shota” themelon Akademinë e të Rinjve

Kultura

Ansambli “Shota” themelon Akademinë e të Rinjve

Më: 10 janar 2019 Në ora: 18:53
Ansambli “Shota” themelon Akademinë e të Rinjve

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka hapur akademinë e të rinjve, me qëllim të ruajtjes dhe vazhdimit të traditës që përcjell ky ansambël.

Ata tashmë kanë hapur edhe konkursin për pranimin e anëtarëve të rinj, që do të jenë fëmijë të moshave nga dhjetë deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj, ka treguar për KosovaPress se shumë prej anëtarëve të këtij ansambli janë afër moshës së pensionit, e sipas tij, hapja e akademisë do ta vazhdojë traditën e valleve dhe këngëve popullore.

Gjocaj: Ansambli është duke u plakur, duhet t’i përgatisim të rinjtë

“Sipas Ligjit të Shotës, valltarët shkojnë në pension në moshën 45-vjeçare, ndërsa valltarët në moshën 50-vjeçare. Domethënë, një pjesë e madhe e anëtarëve u janë afruar këtyre limiteve dhe tash është problem, sepse është aktivitet i rëndësishëm fizik dhe së pari është krijimi i perspektivës që kush do t’i zëvendësojë këta pastaj. Nëse fëmijët e moshës 10 deri në 16-vjeç kalojnë nëpër një proces shkollor dhe njoftohen edhe me ligjet, koreografinë e skenën, për ta do të jetë shumë më e lehtë që potencialisht të jenë anëtarë të rinj ose punëtorë të rinj të ansamblit”, ka thënë Gjocaj.

Po ashtu. Gjocaj ka thënë se kjo akademi do të mbulojë hendekun mes të rinjve dhe traditës së ansamblit “Shota”. Ai njëherësh shprehet optimist se kjo akademi do të funksionojë si duhet, pavarësisht sfidave dhe e ka cilësuar si mundësi të mirë faktin që të rinjtë nuk kanë nevojë të paguajnë.

Gjocaj: Do të angazhojmë njerëz kompetentë

“Ata të rinj pastaj do të angazhohen edhe në programe të veçanta, në programe të përbashkëta dhe do të na afrojnë neve te gjenerata e re, tek e  cila praktikisht është duke u krijuar një hendek. Shpresoj shumë që akademia të funksionojë këtu dhe besoj shumë se do të funksionojë. Ne e kemi edhe një projekt ide edhe me udhëheqësin artistik dhe do të angazhojmë njerëzit kompetentë që të japin mësim të rinjve, pastaj ata do të pajisen me certifikata”, tha Gjocaj.

Ndryshe, fëmijët që do të jenë pjesë e kësaj akademie, do të ndjekin një program trevjeçar, i cili do të ofrohet pa pagesë për të rinjtë e talentuar në fushën e vallëzimit, këndimit dhe ekzekutimit të instrumenteve popullore dhe folklorike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat