Kiço Londo sfidon veten, rikthen në skenë “Mbretëreshën e bukur”

Kultura

Kiço Londo sfidon veten, rikthen në skenë “Mbretëreshën e bukur”

Më: 25 janar 2019 Në ora: 11:06
Kiço Londo

Një mbretëreshë bukurie aq e dhimbshme, që gjente kaq shumë pikëtakime në Shqipërinë e sapodalë nga një izolim i gjatë… “Mbretëresha e bukur e Linejnit” e Martin McDonagh rikthehet sërish. Më shumë se për t’iu kthyer një përvoje të bukur, regjisori Kiço Londo ka vendosur të sfidojë veten. Ka vendosur të risjellë veprën që në karrierën e tij është një gur kilometrik i rëndësishëm. “Mbretëresha e bukur” do të ngjitet këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me një tjetër kast aktorësh. Një sfidë e jashtëzakonshme për aktorët: Laura Nezha që do të interpretojë rolin e Morinës, që dikur është luajtur nga Yllka Mujo, Ermira Gjatën në rolin e nënës, Genci Fugën e Engjëll Hoxhën. E pamundur t’i shpëtosh krahasimit, edhe pse pa dyshim ndjesitë nuk janë të njëjta në kohë të ndryshme.

“Kontakti mes shfaqjes dhe spektatorit ka një histori në teatrin shqiptar dhe krijimtarinë time. 20 vjet më parë ka pasur ndjekje mjaft të mirë prej 40 netësh në skenën e Akademisë së Arteve, interpretuar nga aktorët brilantë: Yllka Mujo, Drita Pelinku, Ndriçim Xhepa dhe Arben Derhemi. Gjithmonë krijuesit janë në vorbullën e sfidave dhe unë nuk bëj përjashtim, e nisur nga kjo, vendosa të sfidoj veten. Nëse shfaqja është më e mirë se e para ose nuk është në nivelin e saj, do jetë në gjykimin e publikut, kritikës dhe kolegëve. Kam qenë i idesë që në teatrin shqiptar ka një elitë të re teatrore. Jam me fat që kam një kast aktorësh elitarë”, tha regjisori Kiço Londo, duke e vlerësuar aktoren dhe pedagogen Ermira Gjata, si një urë lidhëse mes Akademisë së Arteve dhe TKEKS. Mjaft aktorë të rinj janë sugjerim i saj.

Po ashtu, edhe aktori dhe pedagogu Genci Fuga, që në këtë rol vjen në një dimension të ri, dramatik ndryshe nga ç’e kemi parë shpesh. Londo u ndal edhe tek aktori i ri Engjëll Hoxha, duke e marrë si shembullin e të rinjve, të cilëve u është hapur dera në Teatrin Eksperimental. Por sipas tij, sfida më e madhe i takon “mbretëreshës”-Laura Nezhës, që është 12 vjet më e re se personazhi.

VEPRA

“Mbretëresha e bukur e Linejnit”, e shkruar nga autori Martin McDonagh, u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ngjarja, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese, Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës. Edhe pse e shkruar për një kontekst të caktuar dhe si protestë ndaj shoqërisë irlandeze, në kohën kur Londo vendosi këtë vepër në skenë, nuk ishte e vështirë që shumë vajza dhe gra të ndiheshin nga pak Morin, të ngecura në një realitet, në një shoqëri, në një vend, që nuk premton shumë për të ardhmen; të manipuluara nga prindërit, të dashurit, bashkëshortët, fëmijët, shoqëria maskiliste, që gruan nuk e trajton veçse si një shërbëtore. “Ti duhet ende të më shërbesh mua Morin”, është klithma e Megit. Një klithëm që nën emrin e traditës vazhdon të përndjekë dhe të burgosë. Vepra është vënë me sukses në të gjitha anët e botës. Është kandiduar për çmimin “Lorenc Olivier” si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime “Toni”, duke fituar 4. Kjo komedi tragjike vazhdon ende të shfaqet me sukses në skenat botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat