“Në flakët e revolucionit” për Shqipërinë ateiste

Kultura

“Në flakët e revolucionit” për Shqipërinë ateiste

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 15:42
Ilustrim

“Në flakët e revolucionit”, dokumentar i vitit 1967, do të shfaqet sot në kinemanë “Agimi” në Tiranë. Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët e diktaturës komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre.

“Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontrovers i titulluar ‘Në flakët e revolucionit’ (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhezi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit”, shkruhet në njoftimin e AQSHF-së për këtë ngjarje. Drejtuesja e AQSHF-së, Iris Elezi, së bashku me studiuesin Ardian Ndreca, do të hedhin dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë, përderisa “Në flakët e revolucionit” do të shfaqet në 35 milimetërsh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat