Skulptori zviceran: Shqipëria kaotike më ndihmon për artin tim

Kultura

Skulptori zviceran: Shqipëria kaotike më ndihmon për artin tim

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 14:23
Foto

Anila Dedaj

Të qenit artist do të thotë të mos bësh llogari, por të kesh besim e të përkushtohesh në atë që bën. Rastësia mund të jetë një aleat i mirë dhe ndonjëherë mund të tejkaloj imagjinatën e njeriut. Një teori e aplikuar në “Laboratorin” e artistit zviceran Thomas Hunziker, i cili përmes ekspozitës së tij të parë në Shqipëri solli figura në bronz, skulptura abstrakte, kompozime grafike, edhe një grup vizatimesh eksperimentale, që ngjallën kureshtjen e vizitorëve në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore.

Një cikël i nisur gjatë fillimeve të tij në Shqipëri, afro 3-4 vite më parë, e ku ai siç tregon, provon të mos jetë artist. “Unë bëj shumë prova, si nga ana teknike edhe materiale, por mandej ajo që del, arti, është produkt i rastësisë. Disa herë shpresoj të dalë ajo që unë kam ndërmend, por nuk mund ta kontrolloj procesin”.  Mes veprave grafike të “Labor”, që janë konceptuar të parat në këtë cikël, gjendet gjithashtu një figurë e brishtë e derdhur në bronz, si një urë lidhëse me grafikave dhe skulpturave. “Me grafikat kam punuar duke përdorur bojë të lëngshme, po i tillë ka qenë edhe bronzi tek skulpturat.

Gjatë krijimit ngjyrat janë lënë të thahet, ndërsa bronzi të ftohet”, shprehet ai, duke shpjeguar paralelizmin përsa i përket procesit të punës. Tani që veprat janë të përfunduara edhe ai vetë, siç rrëfen, i shikon si të ishte një spektator i thjeshtë. Imagjinata e artistit, sipas Hunziker nuk mund të arrijë asnjëherë punën që bën rastësia, ndaj për realizimin e veprave atij i është dashur të bëjë prova të panumërta, në mënyrë që të minimizojë ndërhyrjen në vepër. Ndërsa, vëzhgojmë vizatimet e tij eksperimentale, të cilat shpesh të japin përshtypjen e pikturave, fotografive apo imazheve të trupit që prodhon skaneri, ai tregon njërën prej tyre, duke pyetur për atë që arrijmë të perceptojmë prej saj. Bëhet fjalë për një pamje që të krijon përshtypjen e një natyre të qetë vargmalesh.

“Është kjo ajo çka të gjithë shikojnë, përfshirë edhe mua. Madje mendojnë se bëhet fjalë për ndonjë kopje fotografie. Por është fryt i rastësisë. Unë bashkë me të, përpiqem të prodhoj imazhe që të duken si të vërteta dhe pastaj me publikun tentoj të kërkoj pjesë të realitetit në të. Mes punës ka forma, ku si në Teorinë e Kaosit, të para nga larg në mikroskop tregojnë figura të para nga larg”. Po aq interesant në “Labor” është instalacioni i tij “bronz imazheri”, ku ai ndërthur artin klasik (që është edhe fusha e tij e formimit) me modernen, duke e lënë veten të lirë mes këtyre dy botëve.

I ndikuar nga realizmi socialist artisti sjell figurën e njeriut të përsëritur në dy pozicione të ndryshme. “Ndërsa tradita e kërkon që veprat të pasqyrojnë burra të fortë, që janë gati për të luftuar unë doja të bëja të njëjtin tip njerëzish, por me një motivacion tjetër”.  Në “bronz imazheri” njeriu vjen si një figurë simbol dhe përmes artit, Hunziker kërkon në botën e brendshme të njeriut për t’i dhuruar publikut një mënyrë të ndjeri.

Ai sfidon impaktin e forcës fizike të socrealizmit me lumturinë. “E sjell lumturinë si pranverë, si të qe në fazën më të mirë të jetës. Lumturia vjen edhe në një mënyrë edonistike, në limite”. Nga një anë paraqitet njeriu me duart e lidhura pas shpine, në një skulpturë, që edhe pse në përmasa të vogla, siç autori shpjegon, mbart në vetvete fuqi, tension. Ndërsa në tjetrën, njeriu mban duart e bashkuara lart, sikur të qe duke u mbajtur pas diçkaje të padukshme. “Diçka kjo që e bën të ndihet si një trup i lehtë, edhe pse ka një peshë evidente. Një figurë kjo, që paraqet një njeri me trup të fortë, por të pafuqishëm”, tregon Hunziker.

Artisti rrëfen se shumë prej vizitorëve i kanë konceptuar si ushtarë, apo njerëz që merren me mundje. “Por këto skulptura sjellin thjesht një moment lumturie”. Në njërën prej tyre (skulpturën e vogël të përsëritur në ngjyra dhe vendosur në pozicione të ndryshme në raport me instalacionin), njeriu man kokën të kthyer nga ana tjetër. “Nëse do të ishte një ushtar, apo do të ishin duke u sfiduar me njëri-tjetrin do të shikohesh në sy.

Ndjehet gjithashtu influenca e socrealizmit, energjia e plotë”, shton ai. Hunziker shprehet, se procesin e punës e ka bërë edhe më interesante bashkëpunimi me fabrikat shqiptare të bronzit, pasi siç ai pohon, prodhojnë bronz jo shumë të standartizuar (prej skrapit) që krijon efekte të tjera, të cilat në Zvicër nuk i ka hasur.

Jeta kaotike e Shqipërisë, për një artist zviceran ndihmon përsa i përket punës kreative, sipas Hunziker. “Në Zvicër është çdo gjë shumë e rregullt, e standartizuar dhe kjo nuk favorizon kur merresh me art. Në Shqipëri has fenomene si shtëpitë me bojëra të larmishme, diku të lëna pas dore, në një kohë që në vendin tim çdo gjë është shumë e rregullt. Sigurisht që ka dhe gjëra që nuk më pëlqejnë si plehrat në fushë, trafiku, por në këtë rast kjo rrëmujë më ka ndihmuar”. Ka disa karakteristika që e bëjnë vendin tonë shumë tërheqës për të, si bashkëjetesa e traditës me modernen.

Në koncertet me muzikë tradicionale, ku ai ka qenë i pranishëm, tregon se ka mbetur i befasuar nga përfshirja e të rinjve, entuziazmi që shfaqnin duke kënduar e kërcyer. “E kaluara dhe e tashmja qëndrojnë kaq pranë këtu dhe për mua kjo është diçka shumë e bukur, një dukuri që nuk e has kaq të theksuar në Zvicër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat