Ministria e Kulturës ndau çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Kultura

Ministria e Kulturës ndau çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 14:32
Kujtim Gashi sot ndau katër çmime në fushën e trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi sot ndau katër çmime në fushën e trashëgimisë kulturore për të vlerësuar punën e krijuesve në këtë fushë.

Me çmimin për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranica” u vlerësua Prof. Dr. Jusuf Osmani, çmimi për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” shkoi për Shemsi Kransiqin, çmimi për vepër shkencore “Zef Mirdita” i takoi Gjon Berishës, ndërsa çmimi për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” iu nda Milot Berishës.

Në fjalën e tij, ministri Gashi tha se vlerëson angazhimin e gjithsecilit në fushën e trashëgimisë kulturore. Ai premtoi se ministria që drejton do të mbështesë vazhdimisht njerëzit në këtë fushë.

Gashi u shpreh se puna e madhe që bëjnë krijuesit e fushës së trashëgimisë kulturore nuk shpaguhet me vlera monetare, por ndarja e këtyre çmimeve është një vlerësim për angazhimin e tyre.

Gashi: MKRS do të mbështesë gjithnjë punën tuaj

“Jemi shumë të vetëdijshëm që asnjëherë krijimtaria dhe puna e madhe nuk shpaguhet me vlera monetare, por gjithsesi është një akt i yni i cili vlerëson punën dhe angazhim tuaj në fushën e trashëgimisë kulturore. Besoj se unë si ministër, por edhe Qeveria e Kosovës, do të jemi vazhdimisht në mbështetje të punës dhe krijimtarisë suaj të cilën e bëni në vazhdimësi”, deklaroi ministri ai.

Ministri Gashi shtoi se ministria që drejton, por edhe Qeveria, kanë një fokus të veçantë tek pjesa e trashëgimisë kulturore sepse Kosova e ka një pasuri të madhe.

Kryetari i Komisionit vlerësues për këto çmime, Nuri Bexheti, duke arsyetuar çmimet për laureatët tha se të njëjtit kanë bërë një punë të madhe si studiues duke sjellë dokumente apo fakte të rëndësishme për tema të ndryshme në kuadër të trashëgimisë kulturore.

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Jusuf Osmani, pasi falënderoi për çmimin, tha se trashëgimia kulturore është shumë e rëndësishme sepse identifikohet me identitetin kombëtar, ndërsa ka pasur tendenca për t’ia humbur lashtësinë.

Osmani: Ka pasur tendenca që të na e humbin lashtësinë

“Faleminderit për mirënjohjen qe e ndaj me shumë krijues të tjerë të trashëgimisë kulturore që më kanë ndihmuar të japi një kontribut modest në grumbullimin e të dhënave për fushën e trashëgimisë e cila është shumë më rëndësi për ne sepse trashëgimia kulturore identifikohet me identitetin kombëtar. Të huajt, sundimtarë të ndryshëm, këtë trashëgimi janë munduar ta rrënojnë dhe shkatërrojnë që të na humbin lashtësinë, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Kohët e fundit ajo çfarë na ka mbetur janë munduar edhe ta tjetërsojnë. Për të folur për trashëgimi duhet të punohet shumë, unë kam vizituar çdo vendbanim të Kosovës dhe kam arritur që të ndryshojë shumë çështje nga lëmia e trashëgimisë, në veçanti nga lëmia e dokumentacionit që është bazë për ndriçimin e të kaluarës historike”, tha ai.

Falënderime për vlerësimin dhe një shpalosje të shkurtër për punën e tyre e bënë edhe laureati i çmimit për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”, Shemsi Kransiqi, pastaj Gjon Berisha, i vlerësuar me çmimin për vepër shkencore “Zef Mirdita” si dhe Milot Berisha, i vlerësuar me çmim për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat