Librat nuk më lodhin, përkundrazi, më kënaqin dhe më bëjnë të ndihem më i ri! - Bota Sot
Librat nuk më lodhin, përkundrazi, më kënaqin dhe më bëjnë të ndihem më i ri!

Kultura

Librat nuk më lodhin, përkundrazi, më kënaqin dhe më bëjnë të ndihem më i ri!

Nga: Bashkim Saliasi Më: 22 prill 2019 Në ora: 07:14
Sejdo Harka, Prof. Murat Gecaj, Përparim Hysi e Bashkim Saliasi

Pranvera po troketë ngadalë. Ç’do kënd i territorit ku shtrihet shkolla 9- vjeçare “Vëllazërimi” Babrru-Fushë gjelbëron me ngjyrat e bukura të pranverës. Edhe biblioteka e shkollës pret çdo të hënë me dashamirësi zërat e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe nga të gjitha rrethet e vendit tonë ku dashamirësit e librit që dhurojnë mirësi, shkruajnë për natyrën e bukur shqiptare, për figurat historike dhe evolucionin e shkollës shqiptare etj, etj. Ndihem krenar që miqtë e mi vijnë në takime pavarësisht halleve dhe moshës dhe, me shumë kënaqësi e me fjalët më të ngrohta dhurojnë libra për bibliotekën e shkollës “Vëllazërimi”, Babrru-Fushë, Tiranë.

Përparimi e gjeta në ambientet e lokalit Galanxy, te ish stacioni i trenit duke pritur jo vetëm mua, me të cilin kishim lënë takim, por dhe të nderuarin Prof. Murat Gecaj dhe shkrimtarin nga Përmeti Sejdo Harka.

Patrioti im, poeti, eseisti, tregimtari dhe shkrimtari Përparim Hysi, nga fshati Vërzhezhë e Skraparit, fqinj me fshatin tim Dobrushën, është lindur dhe rritur në Petovë të Fierit. Biseda jonë erdhi e këndshme. Përparimi, para se të vinte profesor Murati, më tregoi se familja e tij ishte larguar nga Vërzhezha, që në vitin 1941 dhe se ai ka lindur në Petovë. -Veten e ndjej që jam petovar, pra myzeqar,-tha ai buzagaz.

Sa mirë u ndjeva kur mendova se ndonëse jemi nga treva të ndryshme të vendit, ishte gazeta “Mësuesi” që na afrojë dhe nuk na lejon që të ndahemi. Nga Vlora, Tropoja, Skrapari, Përmeti, Korça, Durrësi, Fieri, Lezha, Kosova dhe Diaspora bashkohemi dhe ndajmë mes nesh mirësitë dhe mendimet, respektin për çdo krahinë e qytet të vendit tonë.

Gjatë bisedës me Përparimin, folëm dhe për shkrimtarin dhe mësuesin e nderuar Rrapi Bardhi nga Libofsha, me të cilin Përparimi ka pasur njohje dhe miqësi.

-Rrapi Bardhi ishte një nga figurat më të ndritura të arsimit në atë kohë në zonën e Myzeqesë,-tha Përparimi,- figura e tij do të mbetet e pa harruar për brezat që e kanë njohur, por edhe për ata që do vijnë pas. Rrapi e skaliti emrin e tij me punë dhe nuk po të flas mirë se ti e ke kunat, por ishte me të vërtet myzeqar arsimdashës dhe me shumë kulturë.

Image
Seria e botimevetë Rrapi Bardhit

-Ndihem krenar Përparim, që po shpreh konsideratat më të larta për figurën e Rrapi Bardhit, me të cilin kisha rastin që, çdo verë që shkoja në Libofshë, të kaloja pa tjetër një natë në shtëpinë e tij. Kam kujtimin më të mirë për familjen e tij, për bashkëshorten Jorgjien dhe dy fëmijët Gonin dhe Rajmondën, të cilët punojnë dhe jetojnë në Një-Jork në këto vite.

Në përfundim të bisedës erdhi në tavolinë profesori i nderuar Murat Gecaj dhe, më pas, Sejdo Harka. Bisedë e ëmbël dhe gjithë nektar nga miqtë e mi, të cilët i lashë që të tregojnë dhe të shprehin mendimet e tyre si për mbylljen e gazetës “Mësuesi” dhe botimet e reja që kanë në dorë këta miq të nderuar dhe respektuar.

-Po, hë, - e ngacmoi profesor Murati,- çfarë i ke sjell sot Bashkimit, o Papi?!

Papi me atë modestinë e tij prej skraparlliu, që nuk di të mburret thotë me të qeshur: -Mora aq sa munda Murat, po më duket se janë nja dyzetë a pesëdhjetë libra.

E falënderuam që të tre me një gojë njeriun human, që me çiltërsinë dhe dashamirësinë e tij vijoi: - Nuk kam botime të miat, por mblodha librat e miqve dhe shokëve të mi që tua bëjë dhuratë shkollës ku punon Bashkimi.

Image
Librat e dhuruar nga Përparim Hysi

-Kam unë disa botime të tuat,- u hodh e tha Profesor Murati, -nëse më jep leje kam dëshirë t`ia dhurojë Bashkimit që biblioteka e shkollës “Vëllazërimi” ti ketë dhe botimet tuaja.

-Me shumë dëshirë dhe, ndiej kënaqësi që libri vete në vendin e duhur, sepse që ta dish Ti Profesor Murat, kur dola në pension në moshën pesëdhjetë e pesë vjeç, unë në bibliotekën time kisha rreth 3000 libra. Gjithë natën vrava mendjen se kujt do t`ia falë këta libra dhe në mëngjes më erdhi ashtu vetvetiu: 2000 libra ia fala një shkolle në Rroskovecë të Fierit, 300 ia dhashë mbesës, 300 ia dhashë vajzës që kam të martuar në Shkodër dhe, kur shkova në Amerikë 300 copë i mora me vete, se në atë kohë të lejonin, nuk kish doganë për librat. Kur u ktheva pas dymbëdhjetë vjetësh, nuk i mora, librat mbetën te djali në Amerikë.

Por, tani kam libra, të cilat nuk gjej vend ku t`i vendosë dhe jam në hall, por ja që ka ndonjë dashamirës si puna e Bashkimit, që nuk na lë që libri të humbas vlerat. Se, që thua ti profesor, unë kam qenë i çmendur pas librit, kur dola në punë me rrogën e parë nuk bleva pak, por 15 libra se aq kushtonin nga 20 apo 30 lekë dhe nga viti në vit u bënë 3000 libra...

Të dy me Sejdon ndiqnim bisedën e tyre dhe ndiheshim krenarë, që edhe pse të dy i kanë kaluar të 75 vjetët, janë tepër energjik në të menduar dhe në të shkruar, po thuajse çdo ditë hedhin në mediet elektronike shkrimet e tyre.

Kur shkoj ora dhjetë, që mua mu duke se nuk kishin kaluar 10 minuta, por në fakt kish kaluar një orë, Përparimi kërkoj leje për t`u ngritur.

-Prit Përparim, se do realizojmë disa shkrepje që të jenë kujtim për takimin shumë të bukur që realizuam sot,- them.

-Me kënaqësi, -tha Përparimi dhe i pari qe i gatshëm profesor Murati, i cili thirri kamerierin i cili tani është dhe miku ynë, realizoj shkrepjet në celularët tanë dhe me aparatin e prof. Muratit.

E falënderova mikun tim Përparim Hysi për dhuratën kaq të vyer që më solli sot, edhe në emër të drejtores së shkollës “Vëllazërimi” Merita Prenga që është shumë dashamirëse për shkrimtarët dhe artistët.

Qëndruam edhe pak kohë me profesor Muratin dhe Sejdon, e ku, midis të tjerash Sejdo më përgëzoj për punën e mirë që po bëja për pasurimin e Bibliotekës së shkollës, por kam një merak më thotë:- Si do i marrësh gjithë ato libra mor Bashkim?!

Me shaka i them Sejdos, libri nuk më lodh, përkundrazi më bën të ndihem më i ri dhe më mbushë me dashamirësi, pra më bënë që të ndihem krenar që biblioteka e shkollës “Vëllazërimi” po mbushet me zëra nga gjithë trevat shqiptare.

Do takohemi përsëri më thotë Sejdo, se edhe shkrimtari Bardhyl Xhama ka shprehur dëshirën që të dhurojë libra. Po, edhe unë do të sjell disa të tjera,- thotë prof. Murati.

U ndava me miqtë e mi që në vijim të takohem me mikun e miqve shkrimtarin Viron Kona. Fati im i mirë që përballë Fakultetit të Shkencave më thërret djali Idi, i cili po kalonte me makinë në drejtim të ish stacionit të trenit dhe më liroi nga pesha e librave.

-O ba, silli këtu librat dhe vazhdo për ku je nisur. U lirova nga pesha, por mendja më rrinte te titujt e librave, si nuk i pashë se cilët ishin autorët.

Kur u ktheva në shtëpi Idi ma kish kryer porosinë. I hapa dhe shikoj se autorët ishin nga të gjitha trevat e Shqipërisë. U ndjeva mirë se Biblioteka e shkollës time do kishte edhe shkrimtarë nga Fieri, Durrësi, Vlora, Prishtina, Gjakova, Mitrovica, Peja...

MBRESA DHE NOSTALGJI PËR PIKTURËN SHQIPTARE

Mikun tim Viron Kona e gjeta në shoqërinë e dy miqve të tij Bajram Mejdiaj, etnograf dhe Maksim Bushi, piktor me origjinë nga Lushnja, por me banim në Tiranë. Ju bashkova miqve të mi dhe vizitova Galerinë e arteve, ku piktorët nga rrethe të ndryshme të vendit kishin ekspozuar punimet e tyre më të mira.

Së bashku me Vironin qëndruam gjatë para një pikture, ku paraqitej prodhimi shqiptar me një shportë të mbushur me fiq. Aty realizuam me Vironin disa foto.Por fotografi bëmë edhe përpara pikturave të tjera që gjendeshin të vendosura në faqet e mureve të galerisë.

Image
Viron Kona, Bajram Mejdiaj, Maksim Bushi

Në një moment e pyes Maksin, nëse Minella Sara dhe Gjergj Toska, a kanë sjell pikturat e tyre.

-Jo, më përgjigjet Maksi, -Minella është në Francë, kurse miku im Gjergji është skulptor dhe shkon e vjen në Amerikë. Ndihem krenar që jeni miku i tyre Maksi se i kam pasur profesor në shkollën e mesme Pedagogjike në Fier në vitet ’70-’74.

-Janë të mrekullueshëm, foli Maksi.

Bajrami flet pak, ama kur flet e qep muhabetin.

-Të mbaj mend Bajram kur ke punuar disa vite në Skrapar dhe bashkë kemi qenë në Festivalin e këngës dhe valleve, përfaqësues të klasës punëtore të Çorovodës dhe Poliçanit në qytetin e Durrësit. Ju sigurisht që nuk më mbani mend, por më kujtohet që rrinit me Durim Shishmanin dhe Asqeri Jaubellin.

-Është më se e vërtetë Bashkim, madje, një radhe se çfarë bëhej për një vlerësim të këngëtarit ikonë që keni ju Demir Zyko. Patriotët e tu më ftuan që të ulesha midis tyre.

-Jo,- u thashë,- se ju nuk keni marrë njeriun e duhur që ngriti në piedestal emrin e Demirit, Durim Shishmanin. Maksi na përcolli deri jashtë dhe nguli këmbë që të uleshim për kafe, por ne që të tre e kishim pirë kafenë dhe nuk deshëm ta prishnim bazën emocionale që na krijuan krijimet e piktorëve që me të vërtetë shprehnin vlera në Galeri.

U ndava me dy miqtë e mi për t`u takuar rishtas ditën e martë datë 23.04. 2019 në Ditën Ndërkombëtare të Librit, ku në një nga sallat e Muzeut Kombëtar, do të përurohet një film dokumentar kushtuar albanologut suedez Ullmar Qvick. Ju uroj shkrimtarëve, miq të mi, jetë të gjatë dhe falënderime pa fund nga ana ime. Qofshi të bekuar nga Perëndia miqtë e mi! Sejdo Harka në E-mailin e tij shkruan:.

Sejdo Harka

I nderuar Bashkim.Te pergezoj sinqerisht edhe nje here per reportazhin e bukur qe i ke kushtuar librit si burim dijesh dhe kulture. Pa librin dijet do te kishin humbur neper honet e harreses, pa krijuesit e tyre, nuk do te kishte libra, por dhe pa mbledhes dhe perhapes te tyre ne shkolla e te brezi i ri, siç po beni ju keto dite,nuk do te kishte bibloteka atje ku jane njerezit e veçanrisht brezi i ri. Me pelqen jo vetem puna e shkelqyer qe po bën, por dhe reportazhi i bukur qe perjeton nje pune, sa te suksesshme aqë dhe me vlere te madhe shoqerore, kulturore dhe atdhetare, jo vetem si krijues libri, por dhe perçimin e tij tek lexuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...