Labirinti - Bota Sot
Labirinti

Kultura

Labirinti

Nga: Nexhat Halimi Më: 11 maj 2019 Në ora: 14:59

Tashmë je në midis të labirintit magjik

Cilës anë të nisesh s`do të arrish te vetja

Të djersinë balli e të djeg brenda etja

Ec midis drurësh pyllit të vjetër mistik

 

Të ndiej gjithherë për frymë të siluetës

nisesh në të djathtë ec e ec  kaq gjatë

S`arrin kund gjurmët të shpien në natë

Ec në të majtë ka gjak e copa të letrës

 

Koha digjet s` ke të dalë dot robërie

Kalin allç më kanë vrarë zemrën prerë

Ti sillesh veç në rreth pa dritë e derë

 

Ky labirint mijëra vjet i vjetër Arbërie

Në flakë digjem e zvogëlohem gjithnjë

Vajti Toplica Çamëria Guri i Kuq i Zi

 

Tërfili me fletët gjak

 

Radhis poezi lirike për zgjimin e çel tërfil

Të ndjek ndër tik take rrugës nga ik vetmisë

Më ke copëtuar të humb drejtpeshimin urtisë

Tashmë ajo e fjetura s`është më trëndafil

 

Ende megjithatë të ndiej nga më prek rreth

Të desha veç ty e askënd kurrë më në jetë

Ja e shkëpus përsëri `i tërfil me katër fletë

Më do prapë a s`më do, ndoshta më ngjeth

 

Prej lules në lule me zë-zë fluturon `i bletë

Gjaku lumë rrjedh ndër damarë aspak i qetë

A veç fryn erë e largët nga udhët në kujtim

 

Te unë takohen akulli dhe zjarri pambarim

Ti përhitesh e vjen me të njëjtën etje dashuri

Unë e këpus tërfilin me fletët gjak përsëri

 

Etja e zjarrit

 

Ec në të majtë e s` është kush, je krejt vetë

E me yll polar ka vjet tashmë diçka seç treti

E gjurmët ndërmjet guacash i mbulon deti

Ja, vjen apo është malli për ty tjetër siluetë

 

Bie në gjunjë, me `i rremb gjaku trëndafil

Radhis zgjimin çelur në tërfil të flasë poezi

Përbërë prej katër fatesh vjen dhe bie shi

Apo shkon e kthehet e njëjta figurë tebdil

 

Vjen vala dhe i shpërndanë guacat me furi

Ngelin veç gjurmët e mujit një e një në gur

E hija jote lart në qiell ec e vetme në urë

 

Zot a mund të arrij te kthehem te ti përsëri

Fatit mitik të zgjoj frymë me aromë të mirë

Zjarri të mbetet gjithnjë jashtë rimës i lirë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...