Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitë për Ismail Qemalin në Muzeun e Kosovës në Prishtinë

Kultura

Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitë për Ismail Qemalin në Muzeun e Kosovës në Prishtinë

Më: 4 qershor 2019 Në ora: 14:09

Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2019 çelën ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”, në përkujtim edhe të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit.

Ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të vitit të kaluar, i cili shënoi edhe kulmin e marrëdhënieve mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës duke organizuar bashkëpunime, aktivitete dhe takime të shumta.

Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar.

Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore, por dhe dallimi si një njeri me ide liberale dhe reformatore.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës përshëndeti

Selim Bazeraj, Kryetar i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Drejtori i Muzeut Historik Kombetar, Dr. Dorian Koçi, Dekani i Fakultetit të Filozofisë Prof. Ass. Dr. Bujar Dugolli dhe Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës.

Ekspozita “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite” u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksioneve Shqiptare dhe Bibliotekën Kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat