Drejtori i Institutit të Historisë të Kosovës, Sabit Syla, ka thënë se në 20 vjetorin e çlirimit të vendit do të organizojnë konferencë ndërkombëtare.
“Konferenca është “Kosova, rruga drejt lirisë”. Në këtë konferencë shkencore janë të parapara 30 kumtesa nga aspektet e ndryshme. Kemi tema të karaktereve të ndryshe, prej politik, ushtarak, arsimor dhe së fundi historiografik”.
Përveç kësaj Syla në Sytë 7 ka njoftuar se në vitin që vjen si instituti do të përmbyllë një projekt tjetër.
“Jemi në kohën e shkruarjes së “Historisë së Kosovës”. Nuk është histori e kufijve politik por si pjesë e historisë së përgjithshme shqiptare, ku do të zë vend edhe historia e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Preshevës… Më 2020 kemi paraparë përmbylljen e projektit “Historia e Kosovës””, ka thënë Syla.
“Si projekt madhor tani kemi “Historinë e Kosovës” dhe projekt tjetër është “Gjenocidi serb në Kosovë”. Përveç projektit “Historia e Kosovës” po punojmë edhe në këtë projekt dhe e kemi përkrahë idenë e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që të zbardhet e vërteta e asaj që ka bërë Serbia”.
Syla ka theksuar se asnjë institucion nuk i ka konsultuar asnjëherë rreth çështjes së marrëveshjes së mundshme përfundimtare Kosovë-Serbi.
“Nuk kemi asnjë komunikim sa i përket marrëveshjes. Si institut jemi të fokusuar në projektet tona dhe shënimin e përvjetorit të 20-të të çlirimit”.