Një emër i eklipsuar që bën dritë në faqet e historisë sonë - Bota Sot
Një emër i eklipsuar që bën dritë në faqet e historisë sonë

Kultura

Një emër i eklipsuar që bën dritë në faqet e historisë sonë

Nga: Muhamet Shatri Më: 17 korrik 2019 Në ora: 20:46
Muhamet Shatri

Hysni Rudi, një kapiteni shumë i respektuar i shqiptarisë, një trim gjakovar që luftoi heroikisht për mbrojtjen e kufijve etnikë nga sulmet e forcave çetnike të Malit të Zi dhe Serbisë (1942-1944). Ai u përpoq me tërë qenien për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, u sakrifikua për bashkimin e tyre me Shqipërinë.

E bëj këtë shkrim për të nderuar vlerën dhe sakrificën e artiljerëve sypatrembur, Qerim Gjoci nga fshati Kovragë dhe Lush Gegaj nga vëllazëria e Gegajve të Gurakocit, të cilët, me topin luftarak te Hysni Rudit, bashkë me luftëtarë të tjerë, kryesisht vullnetarë nga e gjithë Kosova, iu kundërvunë të keqes, duke sulmuar si uraganë mbi çetnikët. Kam dashur në këtë mënyrë të çoj në vend edhe amanetin e babës që, kur e regjistrova Historinë, me pati thënë: “Biro, nëse do të arrish të mësosh e të shkruash sadopak histori, nëse vjen koha që të kesh mundësi që të shkruash për të vërtetën, mos e lë pa shkruar ndonjë fjalë edhe për Kapiten Rudin që ka qenë trim si Skënderbeu dhe djalë i gjithë shqiptarisë!”. Ja tekstin që është botuar një vit më parë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës.

Hysni (Muharrem) Rudi (1917-1947). Ushtarak, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare dhe poliglot. (Fliste shqip, serbisht, turqisht, italisht dhe nga pak frëngjisht). Babai, Muharremi, ishte me prejardhje nga Gjakova, kurse e ëma, Nerxhivane Ibrahimi, nga Mitrovica. Pas ripushtimit të Kosovës nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene më 1918, familja u detyrua të shpërngulët në Shqipëri, ku u vendosen në Shijak. Hysniu kreu Gjimnazin në Tiranë, Kolegjin Ushtarak në Romë (1936), Akademinë Ushtarake në Torino (1938) dhe Shkollën e Lartë Ushtarake të Inxhinierisë në Romë (1942).

Pas kthimit nga Italia, u caktua rreshter i baterisë në Regjimentin I të Ushtrisë Shqiptare në repartin Shijak-Kukës. Kah mesi i vitit 1942 u caktua komandant batalioni në Pejë dhe mori gradën kapiten. Si epror ushtarak, me repartin e artilerisë ishte vazhdimisht në fronte bashkë me forcat vullnetare që luftonin për mbrojtjen e kufijve etnikë. U arrestua dhe internua nga gjermanët si antifashist në Kampin e Prishtinës (3 maj-shtator 1944). Pas lirimit, u bashkohet forcave partizane dhe u caktua komandant i Komandës së Vendit në Istog (dhjetor 1944-mars 1945). Gjatë qëndrimit në këtë post, ai është përpjekur që të shpëtojë shqiptarët që po masakroheshin pa mëshirë nga makineria vrastare e OZN-as, në Kullën e Popit në Istog. Madje edhe vetë ishte i rrezikuar nga organet e pushtetit jugosllav. Prandaj e largojnë nga Komanda e Vendit dhe e caktojnë komandant të Divizionit të Artilerisë në Prishtinë dhe në Pejë (16 mars-16 qershor 1945).

Në gjysmën e dytë të qershorit 1945, caktohet instruktor në Brigadën V dhe VI të Shqipërisë në Ohër dhe në Korçë, detyrë që e mban deri në fillim të nëntorit 1946, kur divizionet shqiptare duhej të ktheheshin në Shqipëri. Prej andej e dërgojnë në Shtabin e Armatës V jugosllave në Shkup dhe e caktojnë në Divizionin 24 në Prizren.

I zhgënjyer me aneksimin e Kosovës nga Serbia, përkatësisht Jugosllavia dhe sidomos me dhunën dhe terrorin që po ushtrohej ndaj popullit shqiptar, u demobilizua vullnetarisht (26 maj 1946) dhe iu bashkua Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare; zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike të Shkupit dhe komandant i Ushtrisë Demokratike Shqiptare. U arrestua nga organet e Sigurimit Jugosllav, u dënua me vdekje dhe u pushkatua në Shkup në gusht të vitit 1947. Kapiten Hysni Rudi ishte i martuar me Ajshe Boletinin, vajzën e Musa Boletinit, djalit të Isa Boletinit. Pasardhëse la një vajzë, e cila u rrit në Tiranë me nënën dhe burrin e saj të mëpastajshëm, Bajram Rexhë Ahmetajn, nga fshati Zabllaq i Istogut, i strehuar pas ripushtimit të Kosovës në Shqipëri, pasi që përndiqej nga pushteti serb si veprimtar i Lëvizjes Kombëtare. Ajo sot jeton me familje në Tiranë.

Image

Në foton e parë, kapiten Hysni Rudi në vijën e frontit dhe në foton e dytë në Burgun e Shkupit, pak kohë para pushkatimit. Foton e dytë ma ka siguruar miku im, zëvendës- drejtori i Arkivit të Maqedonisë, prof. dr. Qerim Lita, për çka i jam shumë mirënjohës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...