Poezia e Ali Podrimjes - Bota Sot
Poezia e Ali Podrimjes

Kultura

Poezia e Ali Podrimjes

Zymer Mehani Nga Zymer Mehani Më 21 korrik 2019 Në ora: 08:43
Ali Podrimja

Podrimja me plot të drejtë konsiderohet, një ndër poetët më të shquar shqiptarë dhe më përfaqësues në botë. Kryetemë e poezisë së tij është dashuria për jetën dhe atdheun, shpresa për një jetë më të mirë, që përbën kushtin ekzistencial të metaforave, epiteteve dhe thënieve në formë alegorike. Studiuesit me të drejtë konstatojnë se poezia e Podrimjes është dëshmi e një vetëdijesimi kolektiv në luftën për liri e pavarësi që nga vitet e‘60 e respektivisht në vitet e‘80, ku poezia e tij u bë zë i  përgjithshëm i popullit.

Pezia e Ali Podrimjes është një kaptinë e veçantë në letërsinë bashkëkohëse shqipe, sepse është ngjarje e hidhur e dinamizmit të gjithanshëm të psikikës njerëzore. Ali Podrimja, ky poet i dhembjes dhe i durimit, i revoltës dhe i rezistencës gjithnjë synon të kuptojë thellë qeniesinë e fenomeneve dhe të gjërave, depërton në substancën shpirtërore të ngjarjeve dramatike, duke u futur në kuptimin e ekzistencës si të njeriut, ashtu edhe të gjërave.

Vepra poetike e Podrimjes është një tërësi të përbërë, e ngjeshur, e kristalizuar, konsekuente dhe e saktë. Kjo është një poezi e një niveli të lartë dhe e një dimensioni të jashtëzakonshëm etik, që ngërthen në vetvete respektin e thellë për njeriun e rëndomtë, për thjeshtësinë, guximin dhe nderin. Heroi i Podrimjes tërë kohën gjendet në një situatë të zgjedhjes: identiteti i tij është i definuar ekskluzivisht si qenie dramatike ndërmjet mitit dhe realitetit, traditës dhe bashkëkohesisë, idesë dhe konkretes, mendimit dhe veprimit.

Ali Podrimja si një poet i kursyer në fjalë, i papërsëritur në sintaksën poetike, është një poet me shpirt të trazuar, gjithnjë në kërkim të mjeteve të reja të shprehjes artistike, përmes një gjuhe provokuese. Poezinë e tij e karakterizon një gamë e gjerë e problematikës dhe një shumëllojshmëri e mjeteve shprehëse. Podrimja është poet i revoltës dhe i rezistencës, gjithnjë në luftë me të keqen, me mizorinë, barbarinë dhe më në fund në luftë me sëmundjen, vdekjen. Ai solli në poezinë moderne shqipe një ndjeshmëri dhe intonacion të ri poetik. Në veprat e tij poeti nuk shtron vetëm probleme të ekzistencës kombëtare, të etnisë dhe të atdheut, të realitetit të hidhur të kohës, po ai shtron probleme universale të ekzistencës njerëzore të rëndësishme në luftën e individit përballë sistemeve totalitare për liri dhe demokraci, të individit të mbërthyer me trauma e kriza gjithfarëshe, në kohën që karakterizohet si shekulli i qytetërimit teknik, po edhe i shkatërrimeve më të mëdha njerëzore, për të cilat dëshmon historia. Studiuesit e poezisë së tij theksojnë se ai nuk pushoi së shkruari edhe atëherë kur “kohë t’egra trokitën pullazeve tona gërmuqe” dhe kur “buzëqeshja u mbyll në kafaz”. “Dodona”, “Ura e Shenjtë”, “Molla e Kuqe”, “Guri i Prevezës”, “Janina”, “Tomori”, “Pashtriku”, “Korça”, “Ohria”, “Joni” etj., ishin toponime të shpeshta të poetikës së tij. Shkodra, Gjakova, Shkupi, Vlora, Kruja gjithashtu.         

Ali Podrimja si poet do të mbahet mend si njeri që krijoi një libër të rrallë me poezi në gjuhën shqipe, vëllimin poetik “Lum Lumi”, të botuar për herë të parë në vitin 1982 në Prishtinë dhe të ribotuar shumë herë të tjera më vonë, të përkthyer edhe në shumë gjuhë të tjera të botës, posaçërisht të Ballkanit dhe Europës, si pjesa dërrmuese e poezisë së tij.

Sëmundja e më pas edhe vdekja e të birit të poetit, Lumit lanë gjurmë të thella ne zemrën dhe mendjen e autorit. Që nga ky çast, poezia e Podrimjes pati një ngritje kulmore në aspekt të cilësisë dhe vlerave. Me këtë vepër, arriti që të inkuadrohet në mesin e autorëve botërorë, duke qenë pjesë e antologjive të ndryshme, nëpër vendet e ndryshme të botës.

Podrimja me plot të drejtë konsiderohet, një ndër poetët më të mirë shqiptarë dhe më përfaqësues në botë. Poezia e tij është dëshmi e një vetëdijesimi kolektiv në luftën për liri e pavarësi që nga vitet e‘60 e respektivisht në vitet e‘80, ku poezia e tij u bë zë i  përgjithshëm i popullit.

Ali Podrimja, njëheritë njihet edhe për gjuhën metaforike, e eksperimentale, që në  përmbajtje ka urtitë e kulturës gojore. E gjithë poezia e tij, merr shembuj anektodikë e përrallorë, të shoqëruara me karakterin historik të origjinës së hershme të shqiptarëve që nga ilirët deri në ditët e sotme. Ai ka një sistem të të folurit ku urtitë dhe proverbat, krijojnë një lirizëm epik, që me eksperimentimet formale të kulturës sintaksore, bën që vepra të marrë një kahje krejtësisht tjetër, nga hapi fillestar, duke iu përshtatur realitetit. Mbi të gjitha Podrimja njihet për ndjenjën e  bashkëshoqëruar me një durim të pashterrur për të paraqitur sa ma qartë, figurën e shndërruar në mit.

Literatura:

1.Aliu, Ali, Kërkime, Shtëpia botuese: Naim Frashëri, Tiranë, 1990

2.Vinca, Agim,Orët e poezisë,Rilindja, Prishtinë, 1990

3.Vinca, Agim,Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980,

4.Çapriçi, Basri , Mikrostruktura e tekstit , Rilindja, Prishtinë, 1990

5.Krasniqi, Nysret, Letërsia e Kosovës 1953-2000’ 99-AIKD, Prishtinë, 2016

6.Raifi, Mensur, Mozaik letrar , Dukagjini, Pejë, 1998

7.Rugova, Ibrahim, Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...