Poeti Ahmet Prençi nderohet me çmimin “Esad Mekuli” - Bota Sot
Poeti Ahmet Prençi nderohet me çmimin “Esad Mekuli”

Kultura

Poeti Ahmet Prençi nderohet me çmimin “Esad Mekuli”

Nga: Rali Lura Më: 7 gusht 2019 Në ora: 18:49
Ahmet Prençi nderohet me çmimin “Esad Mekuli”

Pas “Takimit të Tiranës” (4 mars 2019) e ”Takimit të Gjakovës” (26 prill 2019), “Gazeta e Alpeve” organizoi edhe “Takimin në Plavë-Guci”, te Bar-restorant “Krojet” në Vuthaj, më 1 gusht 2019, ku merrnin pjesë gazetarë e publicistë, studiues, poetë e shkrimtarë, veprimtarë atdhetarë, politik e kulturor, personalitete të fushave të ndryshme shqiptare nga  Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Sanxhaku Shqiptar, nga diasporat shqiptare në Amerikë, Europë, etj.

Nderonin me praninë e tyre dhe z. Genci Nimanbegu në Ulqin e Podgoricë–Nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi; ambasador Flamur Gashi–këshilltar për Rajonin e Diasporën i Presidentit të Shqipërisë; dr. Islam Lauka–ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, pedagog, analist, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike; Nikollë Camaj në Tuz–kryetar i LDSH, veprimtar politik, arsimor e kulturor i shqiptarëve në Malin e Zi; Azgan Haklaj–Mjeshtër i Madh–president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar; Ali Daci–themelues e drejtues i Manifestimit Tradicional Mbarëkombëtar Letrar “Ora e Maleve” në Rrozhajë dhe zv/kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Sanxhakun; Zek Nokshiqi– zv/president i Qëndres Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas; publicisti e veprimtari Ismet Azizi-kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”; Skënder Thaçi–koordinatori kryesor i Shoqatës Bamirëse “Albania-Austria Partnerschaft”;  Adem Lushaj– drejtor i Shoqatës të Intelektualëve të Pavarur në Deçan;  aktori e regjisori Gjon Nikolla–Mjeshtër i Madh, etj.

Fjalën Përshendetëse e mbajti Hasan Selimi, antar i Bordit Drejtues të “Gazeta e Alpeve”, publicist, poet, shkrimtar, studiues, teolog, “Ambasador i Paqes”, anëtar i akademive -ASHSHA të New Yorkut dhe AMSH në Tiranë.

Në këtë “Takim i Plavë-Gucisë” u ndanë disa mirënjohje të ndryshme.

Me Çmimin e lartë “Esad Mekuli” u nderua poeti e publicisti, veprimtari atdhetar e kulturor, Ahmet Prençi” me këtë motivacion: “Për librin e tij poetik “Udhë në pasqyrë” (Botimet M & B. Tiranë, 2016), i cili është një arritje e autorit dhe  i mirëpritur nga kritika letrare elitare e masmedia të shumta panshqiptare; për angazhimet e tij poetike, me shkrime letrare, në veprimtari të ndryshme të botës akademike, letrare e gazetarisë; për shkrimet e tij në Botimet Tropoja”.

Çmimin e lartë “Esad Mekuli” ia dorëzoi doktori i shkencave psikologjike e pedagogu universitar Jashar Demiri.

Esad Mekuli (1916-1993), i nokshiqas, i lindur në Plavë, banoi në Prishtinë, renditet ndër personalitetet ma të shquara të Kosovës e Shqiptarisë, me veprimtari letrare, shkencore, publicistike, politike, etj. Ai gjatë Luftës së Dytë Botërore u burgos dy herë për idetë e qëndrimet e tij atdhetare politike kombëtare. Në vitin 1949 e themeloi revistën letrare “Jeta e Re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën më 1959, u mor me punime akademike, ishte nismëtari, themeluesi e kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (1975-’79). Gjithashtu ka qënë dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Njihet e vlerësohet shumë si poet, autor i disa librave poetik, që ka hyrë në shumë antologji poetike botërore, ka marrë çmime etj. Veprimtaria e tij është e madhe dhe në fushën e gazetarisë e publicistikës, si përkthyes nga shqip në gjuhë të huaja e nga gjuhët e huaja në shqip, etj.

Poeti e publicisti Ahmet Prençi  falenderoi për dhënien e Çmimit “Esad Mekuli” në vendlindjen e këtij personaliteti të shquar të Letrave Shqipe, poet, publicist, shkrimtar, akademik, etj.

Në “Takimin e Plavë-Gucisë” te “Krojet” në Vuthaj, folën e sollën përshendetjet e tyre edhe atdhetari e veprimtari kulturor Besnik Paci i Derës e Trungut familjar të Gjergj Fishtës së Madh, i nderuar me Çmimin “Agim Ramadani”; Binak Ulaj i Vuthaje- veprimtari atdhetar, ish i burgosur politik i rregjimit jugosllav, gazetari i njohur në Prishtinë e Kosovë; historiani Paulin Z. Zefi–drejtues i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Muzeu & Memoriali i Skënderbeut) në Bashkinë e Lezhës; veprimtarët atdhetar, kulturor e humanitar Esad Gjonbalaj-ish president i FPG në Amerikë e Hilmi Gashi i Drenicës me banim në Gjermani, etj. Pati dhe këngë e recitime.

Në përfundim të “Takimit të Plavë-Gucisë”, te “Krojet” në Vuthaj, mbajti fjalë përmbyllëse gazetari, poeti e studiuesi Ramiz Lushaj–kryeredaktor i Gazetës së Alpeve dhe drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS) në Tiranë.

“Gazeta e Alpeve” është pjesë e “Botimet Tropoja” dhe e Portalit Kombëtar Limit. Al, është gazetë rajonale ndërballkanike në hapësirat alpine në Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak, me tematika e shtrirje etno-historike-gjeografike përgjatë brigjeve të Valbonës, Drinit, Moraçës, Limit e Ibrit.

“Takimi i Plavë-Gucisë” u ndoq nga disa masmedia si “Zëri i Amerikës” (VOA), Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), gazeta print/online “Bota Sot” në Zvicër e Prishtinë, Portali Kombëtar Limit.al në Tiranë, etj.

“Gazeta e Alpeve” do të organizojë një Takim tjetër në Tiranë, më 12 shtator 2019, në 1-vjetorin e themelimit të saj, të botimit të numrit të parë të saj.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...