Nesër nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Kultura

Nesër nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 20:04
Ilustrim

Nesër hapet edicioni i 38-të i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare .

Seminari do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Sipas drejtorit të Seminarit, Shkumbin Munishi  edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh. Po ashtu edhe një numër i konsiderueshëm studiuesish do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

Kurset e gjuhës që do të organizohen në kuadër të seminarit do të jenë në tri nivele, në nivelin e parë, të mesëm dhe atë të lartë.  Përveç kurseve, në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se do të ketë edhe ligjërata e tryeza të ndryshme që do të mbahen nga profesorë të ndryshëm e po ashtu do të ketë edhe referime shkencore.

Seminari do t’i zhvillojë punimet nga 19 deri më 30 gusht, ndërsa temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale

2. Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe

3. Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: FakultetiFilozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat