Po vjen Ahmet Delia!

Kultura

Po vjen Ahmet Delia!

Nga: Neki Lulaj Më: 20 gusht 2019 Në ora: 22:21
Ahmet Delia

Hej, ta lumsha zemrën sa shkëmbi, Ahmet Delia!
Bash si stërralli që me xixa zjarri ndizet
Me ty e di fort mirë ku e ka gurrën liria
Me ty ia njoh regëtimat e zemrës Kosovës martire.
 
Në gjunjë ulem në shtaoren ku marr hijen e bajrakut
Me ty i djeg gjerdhet që më jep largësia.
Oo,  ç’ma spërkate vargun me pikëlat e gjakut
Kur dëgjoj piskamën “O, po vjen Ahmet Delia!”
 
Para teje e gjej saktësisht Kodin e Mbijetesës
Me ty e sfidoj urtinë që më jepka oda.
Kur oa prek Drenicës gurët dhe barin e gjelbër
E ndiej  rremb më rremb se ku të buron forca.
 
E prapë më presin udhë të largëta kurbeti
Me mallin e krenarinë që më japin këto male.
Hej, Ahmet Delia, koha kujtimin s’ta treti
 Qofsh habertari i nesërm i  çdo darsme.
 
Po vetë Sharri të ulet në gjunjë paksa i heshtur
Duhanin më të fortë e ndan në kuvende për ty baca.
Me lirinë e trollit mbetëm në mote supmbështetur
Për borxhin ndaj Kosovës marrim të tjera flatra.
 
Sakicën tënde nuk do ia jap druvarëve në Sharr.
As kasapëve të mishtoreve me mishin e dashit
Do ta vë në Muzeun e Lirisë, bash në ballë
Që ta shohin të gjithë sa e fortë është palca e shqiptarit.
 
Sakicë, dialekt – sëpatë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat