Gashi shkarkon këshillin drejtues te Muzeut të Kosovës

Kultura

Gashi shkarkon këshillin drejtues te Muzeut të Kosovës

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 17:16
Kujtim Gashi

Ministri në largim i Kulturës nga radhët e PDK’së, Kujtim Gashi ka vendosur sot që të shkarkojë Këshillin drejtues të Muzeut të Kosovës, pasi sipas tij nuk është garantuar proces transparent në përzgjedhjen e Këshillit, duke anuluar kështu të gjithë procesin e përzgjedhjes.

Një gjë të tillë Gashi thotë se e ka marrë në bashkëpunim me kreun e partisë, Kadri Veselin.

“Rastet sikurse ky tregojnë që korrupsioni nuk luftohet me koktej molotovi dhe me gaz lotsjellës. Partitë tjera nuk kanë bërë asgjë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, por ato vetëm po na shikojnë neve. Ata po vazhdojnë të rekrutojnë fatkeqësisht njerëz që kanë problem me ligjin”, është shprehur Gashi.

Ndërkohë Veseli ka thënë se për parregullsitë në Muzeun e Kosovës është informuar vetëm një ditë më herët.

“Gjatë ditës së djeshme unë jam informuar se dikush është emëruar në mënyrë jo të rregullt dhe duke shkelur procedurat ligjore. Kështu që, në bisedë edhe me Ministrin e Kulturës, jam i lumtur ta them para jush këtu që edhe ministri është në dijeni të plotë dhe po merret me këtë rast. Korrupsioni dhe nepotizmi na dëmton neve në të gjitha fushat e jetës dhe ne, po ashtu, do ta luftojmë atë në të gjitha drejtimet, jo me fjalë, por me vepra konkrete”, ka thënë Veseli.

Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit nuk përfundon në një ditë, por kërkon vendime të guximshme, sikurse vendimi i Ministrit të Kulturës sot për ta shkarkuar komisionin dhe anuluar vendimin e përzgjedhjes.

“Sikurse ju kam thënë javën e kaluar, për ta luftuar korrupsionin ne duhet t’u japim mundësi sa më shumë të rinjve, sikurse kemi filluar ta bëjmë në PDK dhe do të vazhdojmë”, ka shtuar ai.

Gashi ka thënë se PDK-ja do të prezantohet me një listë me njerëz të pastër, pa aktakuza dhe që janë të gatshëm ta luftojnë korrupsionin me vepra dhe jo me fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat