Së shpejti para lexuesve, libri “Mendime nga pena ime” i autorit Rrahim M. Sadiku - Bota Sot
Së shpejti para lexuesve, libri “Mendime nga pena ime” i autorit Rrahim M. Sadiku

Kultura

Së shpejti para lexuesve, libri “Mendime nga pena ime” i autorit Rrahim M. Sadiku

Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 17:36
Ilustrim

Libri “Mendime nga pena ime” i shkrimtarit Rrahim M. Sadiku shquhet për vlera njohëse të pakrahasueshme, ngase në formë të mendimeve filozofike, përmban informacion të gjithanshëm për jetën, dukuritë dhe fenomenet e ndryshme.

Tematika e mendimeve të autorit Sadiku është tepër e gjerë dhe e larmishme. Mund të thuhet se s’ka aspekt të jetës së njeriut, s’ka cep të mendimit e të psikologjisë së tij, ku të mos ketë depërtuar drita e fuqishme e syrit të mprehtë dhe e mençurisë së mendimeve të formuluara nga autori. Në këtë mënyrë, ky autor me anën e këtyre mendimeve shtron dhe zgjidh problem, të cilat përpiqet t’i shohë në poliedricitetin e tyre, të depërtojë në thellësinë e tyre, t’i ndriçojë nga të gjitha ato anë që paraqesin interes. Për këtë arsye janë krijuar një varg mendimesh rreth problemeve, fenomeneve, situatave, etj., që plotësojnë njëra-tjetrën dhe në tërësinë e tyre e japin zgjidhjen në gjithë gjerësinë e thellësinë e tyre.

Siç thamë edhe më lartë, tematika e mendimeve të formuluara nga shkrimtari Rrahim M. Sadiku është e gjerë dhe e larmishme, ajo përfshin: atdheun, vendlindjen, lirinë, dinjitetin trimërinë, besën, punën dhe qëndrimin ndaj saj, disiplinën në punë, kursimin, miqësinë dhe bashkimin, bujarinë, mirësinë, mirënjohjen, drejtësinë, ndershmërinë, të vërtetën, sinqeritetin, aftësinë dhe mençurinë, maturinë, masën, kujdesin, mirëbesimin, fjalën dhe veprën, aftësimin mendor dhe pajisjen me njohuri, urtësinë, fjalën e ëmbël, thjeshtësinë, diturinë, përvojën, edukatën, traditën, sjelljen dhe veprimet, jetën e optimizmin, njeriun, mjedisin dhe individin, kolektivin, rininë dhe pleqërinë, rregullsinë, zhvillimin, familjen, farefisin, fqinjësinë, mënyrën e jetesës, mjetet materiale, njeriun, mjeshtëritë, motin, gjendjet, marrëdhëniet klasore, shtetin, politikën, fenë, klerin, psikologjinë, etj. Dhe, kështu vërtet kjo përmbledhje na del një enciklopedi në vete e mendimit njerëzor.

Prandaj, ne shkrimtarin e talentuar Rrahim M. Sadiku e urojmë dhe e përgëzojmë për këtë përmbledhje mendimesh kaq interesante, kurse lexuesve tanë të shumtë u urojmë lexim të këndshëm!

(***)

Rrahim M. Sadiku lindi në Vendenis të Besianës. Aty kreu shkollën fillore, gjimnazin e rregullt në Besianë, kurse studioi letërsinë dhe gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ndonëse me shkrime ka filluar të merret që nga shkollimi fillor dhe i mesëm, por librin e parë e ka botuar në vitin 2008.

Është përfshirë në gjashtë antologji poetike dhe kritikë letrare. Disa herë ishte fitues në konkurset letrare, si në sofrën poetike “Ymer Elshani” të Drenasit, në takimet letrare “Kadri Kadriu” të Besianës, në takimet letrare në Istog etj. Është anëtar i LSHK-së. Deri tash ka botuar tetë vepra letrare.

Jeton dhe vepron në Drenas.

Veprat e botuara:

Buzëqeshja e Ermirës, poezi për fëmijë, 2008

Frymë jete në krah kohe, poezi, 2011

Secilit i duhet një pasqyrë, poezi për fëmijë, 2013

Stuhitë e gjakut tim, poezi, 2015

Mbetur në majë, poezi, 2016

E bukura e jetës, roman, 2016

Vdekja vjen prej fjalëve të tilla, poezi, 2017

Feniksi i Dardanisë, roman në vargje kushtuar veprimtarit Xhemail Mustafa, Prishtinë, 2019.

Zymer Mehani, Podujevë, më 2 nëntor 2019

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat