Jehona të botës arbëreshe

Kultura

Jehona të botës arbëreshe

Nga: Prof. dr.  Gezim Rredhi Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 13:25
Arbëreshet

Kur nisesh në udhëtim drejt Kalabrisë ndien emocione të veçanta dhe një kënaqësi të pushton qënien e të përgatit për t’u përballur me mbresat që të afron bota arbëreshe…. Kudo që të shkosh nga aeroporti i Rinasit në çdo cep të Italisë apo Europës e më tej akoma, rrugët kalojnë nga Roma, si për t’i dhënë kuptimin e përjetshëm shprehjes se të gjitha rrugët të çojnë në Romë..

Ndërsa je duke shijuar fluturimin e qetë e të bukur nën diellin e vjeshtës, pak kohë pasi ke lënë pas aeroportin “Nënë Tereza”, me harkimin e avionit mbi Adriatik s’kalon shumë dhe ndien se je mbi tokën antike italiane….Ja, më në fund, ku shfaqet aeroporti Fiumicino, gjigand me gjallërinë e tij, që i përgjan një qyteti që s’fle kurrë. Orët e pritjes aty kalojnë pa u ndier mes lumit të njerëzve që rrjedh në drejtime të ndryshme. Janë qindra udhëtime drejt kontinenteve e shteteve të largët që marrin udhë këtu. Mes tyre edhe shumë fluturime që përshkojnë konfiguracionin e çizmes italiane.

Pas rreth një orë fluturimi nga Roma mbrijmë në Lamezia Terme, aeroportin kryesor të rajonit të Kalabrisë. Është vonë afër mesnatës e më duhet të mendoj për udhëtimin drejt Kozencës që ndodhet rreth 72 km larg nga aeroporti. Informohem se në këtë orë të vonë tren për në Kozencë nuk ka. Disa autobusë të ndalur qëndrojnë në sheshin para hyrjes së aeroportit, ndoshta në pritje të pasagjerëve të vonuar. Më në fund, njëri prej tyre që shkon në Kozenca vjen si një fund i lumtur i këtij udhëtimi. Pasagjerët janë të pakët e unë ndodhem në sedilen pas shoferit së bashku me një pasagjer rastësor, që siç mësova më vonë e bënte thuajse çdo ditë këtë rrugë.

Image

Duke parë shqetësimin tim sdhe komunikimin me shoferin për të mbritur sa më pranë hotelit San Francesco di Rende në Kozencë, hyri në bisedë e më pyeti prej nga vija e ku shkoja. Sapo mori vesh se vija nga Shqipëria e shkoja në Universitetin e Kozencës për një veprimtari shkencore me rastin e 200 vjetorit të shkrimtarit arbëresh Francesk Anton Santori, me një mënyrë shumë dashamirëse dhe elegante, i propozoi shoferit linjën që mund të ndiqte për të më zbritur në rrugën sa më pranë hotelit.

Siç mësova më vonë, ai i përkiste komunitetit arbëresh me njerin nga prindërit, dhe megjithëse dinte ndonjë fjalë arbërisht, ndihej keq që nuk kishte mundur të mësonte më shumë për shkak angazhimeve të punës, por ndjeshmërinë për gjakun e të parëve e kishte ruajtur thellë në koshiencën e tij. Pikërisht kjo ndjeshmëri dhe mirësia e shoferit që më shpëtoi nga “tortura” e mëtejshme e udhëtimit, duke devijuar kursin e tij të zakonshëm, ishte një surprizë, një ndjenjë njerëzore që mungon nëpër qytetet metropolitane. Përtej solidaritetit e altruizmit njerëzor, në atë orë të vonë, kuptova se  kjo ndjeshmëri e shpirtit arbëror është kudo e pranishme dhe e gjallë në botën kalabreze...

Image

Shpirti i arbërit rron! Rron në kujtesën shekullore, në këngët, zakonet. Të mallëngjen fakti se si janë ruajtur aq mrekullisht traditat dhe kultura nga këta njerëz në pesë gjashtë shekuj të historisë së tyre, qëkurse erdhën valët e para të emigracionit këtu në shekullin e XV pas pushtimit osman të gadishullit të Ballkanit.

Veprimtaritë e larmishme kulturore e shkencore që u zhvilluan në mesin e muajit shtator në nderim të figurës së F. A. Santorit, këtij arbëreshi të madh, janë dëshmia më e plotë e më e bukur e këtij realiteti. Për  të patur një ndikim sa më të plotë në jetën e kulturën arbëreshe organizatorët e kanë menduar shtrirjen dhe organizimin e veprimatrive në një spektër të gjerë; nga komunat e katundet që lidhen me jetën dhe veprimarinë e Santorit, Çerzeto - Sënd Japk të Qanës, në Santa Caterina Albanese - Picili, e gjer në Kozencë, në Universitetin e rajonit të Kalabrisë. Në seancat e konferencave shkencore që u zhvilluan, paradite e mbasdite marrin pjesë përveç studjuesve edhe shumë figura të jetës publike arbëreshe, njerëz të artit, kulturës, etj. Na bie në sy për gjallërinë e tij dhe poeti i njohur arbëresh Karmile Stamile. Është mjaft energjik dhe dhe ndjek me pasion e dashuri të veçantë problemet e kulturës e traditave të komunitetit arbëresh. Në ceremoninë e zhvilluar në kishën e Cerzetos, përveç shumë studjuesve të ardhur nga vende të ndryshme marrin pjesë banorë si dhe drejtues të komunave të Cerzetos e Shën Katerinës. Ata flasin me mallëngjim për traditat e zakonet, raportet shqiptare arbëreshe, lidhjet me botën italiane si dhe përpjekjet e të rinjëve për t’u integruar në të.

Image

Ceremonitë festive e përkujtimore nisin në San Giacomo di Cerzeto, vendi ku ndërroi jetë atë Frangjisk Santori. Pasi kremtohet mesha në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, kori “Shpirti arbëresh” i Cerzeto-s ekzekuton këngë arbëreshe liturgjike, të shkruara nga vetë atë Santori. Një manifestim i madh kulturor, një farfuritje ngjyrash e tingujsh që të emocionojnë do të vazhdojë deri në mbrëmje vonë me paraqitjen e librit “Antologjia santoriane” e autorit Vincenzo Belmonte, do të vazhdojë me vizitën në Muzeun Etnografik arbëresh dhe do të mbyllet me shfaqjen e dramës Emira e në vijim në ditët e tjera me veprimtaritë shkencore, shfaqje dokumentarësh, vizita e koncerte.

Ndërsa ndjekim me mjaft interes vizitën në Muzeun Etnografik, studjuesi i shquar i botës arbëreshe Matteo Mandala‘ thotë me shaka: - Ju në në Shqipëri i keni humbur, ne i ruajmë. Dicka që më pas kthehet ne një bisedë serioze në lidhje me trashëgiminë. Çuditesh se si banorët e një komune mund të ngrenë një muze të tillë! Si arrijnë këta njerëz të krijojnë e të ruajnë të tilla vlera në kushtet e një bote moderne që lëviz me shpejtësi?

Gjithçka e ka shpjegimin me respektin, dashurinë dhe pasionin e këtyre njerëzve për rrënjët e së kaluarës të të parëve. Nën freskinë e mbrëmjes kalabreze, në sheshin përballë kishës, dëgjon këngët që të magjepsin, perla të vërteta të kulturës arbëreshe. Nuk mungon asnjëherë në manifestime të tilla kënga himn i botës arbëreshe: Moj e bukura More. Duke ngjitur shkallët për tek kisha ku do jepet koncerti dëgjojmë mes të tjerash një këngë e ngjashme me këngët korçare në arbërisht “ A vemi a s‘vemi në majë të malit do vemi. Diskutojmë me njeri-tjetrin për ngjashmërinë aq të bukur dhe vetvetiu lind pyetja për origjinën e saj...

Image

Qyteza e Santa Caterina Albanese - Picilia ndodhet rreth 50 km larg qytetit të Kozencës, qendrës së provincës, ku java për nder të 200 vjetorit të lindjes së autorit të shquar arbëresh shpaloset në formën e një manifestimi popullor të traditës arbëreshe. Të magjepsin kostumet e bukura të grave dhe vajzave me zbukurimet dhe shhkëlqimin e tyre. Shqiponja dykrenore dhe flamuri ynë kombëtar është kudo i pranishëm, i stamposur në veshjet, sendet personale, çantat, dosjet, mjetet personale, në cdo gjë, por mbi të gjitha në shpirtin e këtyre njerëzve.

Pothuajse çdo banor i këtyre katundeve ka veshjen e tij popullore, që ruan pop ato ngjyra e qëndisje që nga fundi i shekullit të XIV kur erdhën familjet e para para shqiptare. Në ditë dasmash e gëzimesh, në festa  e përkujtime veshjet e bukura ngjyrë blu të grave, stolisur me qëndisje në ngjyrë floriri e jelekë të kuq mbi gjoks mbushin sheshet e rrugicat e ngushta. Gjatë këtyre ditëve komunat dhe fshatrat ziejnë nga aktivitetete ndryshme kulturore e shkencore. Ato kanë një gjallëri jo të zakonshme, ku shfaqen jo vetëm gjurmët e shkrimtarit arbëresh por edhe atë të kulturës, gjuhës zakoneve e traditave të mrekullueshme të këtyre njerëzve.

Në çdo moment ndihet shqetësimi për organizimin dhe zhvillimin sa më të përsosur të këtij manifestimi kulturor e shkencor. Bie në sy meraku dhe pasioni i dy studjuesve të shquar e të palodhur të botës arbëreshe Francesko Altimarit dhe Matteo Mandala‘, të cilët janë edhe organizatorë të tij. Panorama e studimeve dhe interpretimeve të fushës së albanologjisë bëhet e larmishme me ndërhyrjet dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm si dhe opinionet e studjuesve të shumtë të ardhur nga unversitete dhe qendra kërkimore nga Italia (Palermo, Napoli, Roma, Venezia),  nga Greqia, (Selanik), si dhe shumë të tjerë nga Shqipëria e Kosova; Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), Universiteti i Tiranës, Shkodrës, i Gjirokastrës, Vlorës, si dhe i Prishtinës, Gjakovës, etj.

Image

 

Kumtesat e studjuesve zbulojnë probleme të panjohura të aspekteve letrare, gjuhësore, kulturore e humane të korpusit të madh të veprës së Anton Santorit. I lindur në  një familje të varfër në vitin 1819, në Picilìa - Santa Caterina Albanese, në provincën e Kozencës, Santori, pasi hyri në urdhërin e françeskanëve të reformuar në San Marco Argentano ku kreu misione të rëndësishme, në vitin 1860 u tërhoq në vendinlindje dhe për të siguruar jetesën, u detyrua të japë leksione private dhe të merret me punë të ndryshme, ku do të shfaq aftësi të veçanta intelektuale.

Pasi emërohet  famullitar në San Giacomo di Cerzeto, punoi me përkushtim të rrallë deri sa vdiq në vitin 1894. Jeta e tij nuk dallohet për ngjarje të jashtëzakonshme, por është e mbushur me punë të palodhur në shkrimin e veprave në pothuajse të gjitha gjinitë dhe zhanreve letrare, në gjuhën shqipe e atë italiane. Shumë nga këto vepra po gjejnë një komunikim të gjerë dhe interes gjithnjë në rritje për studjuesit dhe lexuesit, sidomos pas daljes në dritë të dorëshkrimeve të cilat konsideroheshin të humbura. Përveç krijimeve në poezi e në prozë, është autor i shumë veprave të gjinisë dramatike, një pjesë e madhe e të cilave mbetën të panjohura.

Përmes tyre Santori shprehu shqetësimin e vet në lidhje me temat ku ndërthuren probleme historike, etnokulturore-folklorike dhe shoqërore. Drama e tij Emira konsiderohet si e para dramë në letërsinë shqipe. Për këtë dramë  pati në konferencë trajtime e këndëvështrime të ndryshme nga autorët pjesëmarrës (tema ime gjithashtu ishte fokusuar në lidhje me ndërthurjen e elementeve realiste dhe romantike në këtë dramë). Kjo është një nga veprat më interesante dramatike të Santorit, në të cilën gërshetohet tema historike me atë të dashurisë dhe paraqiten me realizëm disa tablo të jetës kalabreze në shekullin XIX. Nëpërmjet përshkrimit të ritualit të këngëve dhe valleve, autori e pasuron dhe e mbështjellë me një vello bukurije të veçantë kuadrin e jetës shpirtërore të fshatrave arbëreshe.

Vizita në vendlindjen e Santorit, në Picilia, ku përurohet pllaka përkujtimore në murin e shtëpisë së tij, fare pranë kishës, është mjaft mbresëlënëse. Eshtë vonë në mbrëmje por këtu ka shumë gjallëri. Njerëz të të gjitha moshave, me pamje festive e fytyra të përndritura nga gëzimi i festës mbushin rrugicat e sheshet e qytezës. Përpjekja për ta rilindur këtë tokë e këto tradita është në shqetësimin e vazhdueshëm të drejtuesve të komunave që ndihet në mënyrë të veçantë edhe tek organizatorët e këtij manifestimi kulturor e shkencor. Në ditët të tilla festive, teksa njerëzit kthehen në vendlindje, ringjallet jeta, rilind gjuha, historia.

Diskutim i madh edhe këtu është për të për të ardhmen e brezit të ri që ndodhet nën një trysni të vazhdueshme gjuhësore, kulturore dhe përpjekjeje të përhershme për t’u integruar...Mbasdite e gjatë dhe e lodhshme gjer vonë në mbrëmje. Ceremonitë festive, fjalët plot mallëngjim, homazhet për autorin, kujtimet dhe faktet interesante që sillen nga të pranishmit të shkaktojnë një emocion të vecantë. Kanë dalë të gjithë banorët në këtë mbrëmje sartoriane, që është mbi të gjitha një manifestim i shpirtit arbëresh. Në  festa të tilla për ta nuk ka hierarki; kryetari i Komunës i thjeshtë e modest i pranishëm në çdo shqetësim.

Përmes dekorit të festës, në pragjet e shtëpive apo mbi stolat e gurta bien në sy të moshuarit që nuk mund ta fshehin në fytyrat e tyre të rrudhura nga vitet gëzimin dhe ripërtritjen që u afron kjo mbrëmje me kaq shumë njerëz.... Deluta quhej një grua e moshuar që kishte dalë tek porta përpara shtëpisë. Na përshëndeste të gjithëve e emocionuar, pastaj nisi të përqafohet me ne duke përsëritur si në një refren : “të jeni mirë, të jeni mire”, një shprehje në shqip e ruajtur aq mirë, përmes të cilës ndihet një mallëngjim i largët.

Image

Duke ecur nëpër rrugë syri të sheh shtëpi të braktisura gjithandej, kopshte e vreshta në shitje me etiketat e varura ku shkruhet: Vendessi – Shitet. Ndihet e pranishme drama e madhe e kohës sonë, emigracioni. Braktisja është e pranishme kudo në fashatrat e komunat arbëreshe në Kalabri. Megjithatë shtëpitë e gurta si kështjella të vogla qëndrojnë në këmbë si për të konfirmuar stoicizmin e tyre të brishtë përpara erozionit të shekujve.

Teksa sheh këto pamje, mendja menjëherë të shkon tek pasojat e këtij fenomeni në Shqipëri në vitet e fundit ku fshatra e qytete që dikur gumëzhinin, i gjen me rrugë të boshatisura, pa njerëz, pa jehona dhe zëra fëmijësh, fshatra fantazma në atë braktisje të çuditshme, që po kthehet në një epidemi, e cila duhet ndalur. Është  një hemoragji njerëzore që po e zvogëlon popullsinë e fshatrave dhe qyteteve në një mënyrë të frikshme në një kohë të shkurtër. Përtej justifikimeve konformiste të atyre që e shohin këtë si shprehje të lëvizjes së lirë, këmbana e alarmit për shkaqet që e vënë në lëvizje këtë fenomen duhet të  bjerë për të gjithë: intelektualët, institucionet, familjet shqiptare e mbi të gjitha njerëzit e politikës!....

Restoranti Al Castagneto në Santa Caterina Albanese, i zhytur mes një pylli të dendur gështenjash në një faqe të bukur të një kodre, është ndoshta një gjetje e bukur nga organizatorët për t’u ralaksuar pas seancave të mbingarkuara e të lodhshme.  Specialitetet e ushqimeve tipike kalabreze, të bëjnë të ndihesh si në shtëpi. Kodrat e bukura me valëzime e përthyerje, rrugët e ngushta, pyjet e dendur e kopshtet e gjelbëruara anës rrugëve, krijojnë një peisazh tërheqës për vizitorët. Prej kohësh një pjesë e tyre vuajnë braktisjen nga Jugu drejt Veriut industrial, ku të rinjtë synojnë të gjejnë më shumë mundësi integrimi.

Ndërsa jemi duke biseduar për problemet komplekse që shoqërojnë sot botën arbëreshe përpiqemi të sjellim nëpërmend ato momente të rënda historike, kur të brengosur e të pashpresë  stërgjyshërit e tyre lanë tokën amtare e u nisën  drejt këtyre brigjeve që do të bëheshin atdheu i tyre i dytë. As që mund të imagjinohet si erdhën këtu të shpërngulurit e parë në atë udhëtim të vështirë përmes detit. Mundohemi t’i sjellim nëpërmend ato vuajtje që provuan dhe atë mallëngjim që morën me vete këta njerëz. Vegimi i atdheut do të mbetej gjithnjë i gjallë në shpirtin e tyre të paepur. Dhe ja ku janë stërnipërit e tyre, që me stoicizëm i kanë mbijetuar historisë duke ruajtur nëpër shekuj me dashuri e fanatizëm traditat  stërgjyshore.

Universiteti i Kalabrisë me mjediset universitare bashkëkohore, infrastrukturën e re, kampusin e studentëve, godinat, auditoret, shtrihet në disa kilometra një nga qendrat më të mëdha universitare e më moderne universitare në të gjithë Italinë. Këtu ndodhet edhe katedra e studimeve albanologjike që drejtohet nga profesori Francesko Altimari, një vazhdues i denjë i traditës së studimeve arbëreshe. Mes studjuesve bisedat janë të gjalla e prekin probleme të ndryshme që shqetësojnë sot botën e studimeve albanologjike.

Me Sh. Sinanin, F. Dadon, Dh. Qiriazin, A. Berishën, I.Sarron, etj, diskutimet vërtiten rreth rreth temave që janë shfaqur në dekadat e fundit. Kështu bilinguizmi që është tashmë në adn-në e mijëra fëmijëve në Greqi e Itali, emigracioni i ri, përplasja e kulturave, integrimi janë probleme që po kristalizohen e kërkojnë zgjidhje në ditët e sotme. Po krijohen situata komplekse e me interes për botën e studimeve shqiptare, lëvizje e ndryshime, përmbysje të mëdha. Në biseda mes studjuesve flitet shpesh për problemet që nxjerr koha në të cilën jetojmë. Përplasja e emigracineve, atij të hershëm të periudhës së pushtimit osman, 600 vjet më parë, e atij modern, të historisë së re që frymëzohet nga arsye komplekse të lirisë së lëvizjes së lirë, por edhe arsye ekonomike e politike është një temë e shtruar prej kohësh. Lidhur me këtë temë përfshihemi në biseda të gjata me Dh. Qiriazin, profesor në Universitetin e Selanikut, i cili flet me shumë  pasion për këto probleme.

Është një armatë e tërë studjuesish që merren me studimet e kulturës arbëreshe në qendra të ndryshme kërkimore. Një i tillë është studjuesi Anton Berisha, një njeri racional, serioz e plot autoritet shkencor, mbi 20 vjet i është  përkushtuar punës në Universitetin e Kosenzës, Gëzim Gurga gjithashtu në atë të Palermos, etj. Francesko Altimari drejtues i katedrës së albanologjisë në Universitetin e Kozencës e Matteo Mandala‘ në Universitetin e Palermos janë padyshim lokomotiva të shkencës albanologjike këtu.

 “Gjuha arbëreshe është në rrezik zhdukjeje!”, kjo është thirrja që lëshojnë studjuesit. Komunitetet arbëreshe të shtrira në rajonet e Kalabrisë, Sicilisë, Bazilikatës, Molises, Abrucos, Puljas, Kampanias, të cilat prej shekujsh kanë ngulur rrënjët në këtë tokë, kanë bërë sakrifica të mëdha për ta ruajtur identitetin arbëresh, por epoka moderne dhe globalizmi kanë një forcë të madhe gërryese mbi minorancat, kulturën, gjuhën e traditat  e tyre. Me këdo që bisedon të përcjellë bashkë me mallin e largët dhe dëshpërimin për atë çka po ikën pa kthim.

Dikur arbërisht këndohej në gëzime, qahej në hidhërime, flitej gjallërisht në sheshin apo kroin e fshatit, tregoheshin përralla e shkruheshin këngë ndërsa gjuha italiane mësohej e flitej veç në shkollë. Ky realitet sot ka ndryshuar. Përveç jetës intensive e globalizmit, një arsye e fortë e këtij ndryshimi, është braktisja prej emigracionit që kanë pësuar këto komuna. Njerëzit, kryesisht të rinjtë, ikin për një jetë më të mirë e për më shumë mundësi punësimi drejt qyteteve të mëdha e zonave të zhvilluara urbane, në veri të vendit apo në qytete të tjera të Europës. Këtë keqardhje e përjetojmë edhe gjatë bisedës me profesorin Italo Sarro, i cili është me origjinë nga Çerzeto dhe jeton në Viterbo në veri të Romës, por tani siç më spjegon ka vendosur të banojë në vendin e origjinës, ka blerë një shtëpi në komunën e Çerzetos, Sënd Japk. Një shembull i kthimit tek rrënjët e të parëve....

Integrimi është tema e ditës në çdo mjedis të jetës sociale, kulturore e shkencore. Kjo  është edhe tema e filmit dokumentar Una storia arbëreshe, HORA, një krijim i Stefano Benni me protagoniste, dy vajza të reja Maria Alba e Graziana Saccente të cilat flasin me shumë pasion për traditat dhe rrënjët e kulturës arbereshe. Një metaforë e bukur e përpjekjeve për integrim të të rinjëve arbëreshë e kalabrezë. Endja nëpër rrugët, stacionet e metrotë e qyteteve metropolitane italiane… dhe pastaj kthimi në gjirin e familjes në tokën e dashur të vendlindjes, ky është sot lajtmotivi kryesor i rinisë kalabreze e bashkë me të edhe asaj arbëreshe.

Kudo ndihet shqetësimi jo vetëm i albanologëve për problemet që nxjerr koha në të cilën jetojmë, braktisja emigracioni, bilinguizmi, identiteti etj. Filmi hapet me ulërimën e një ujku e udhëtimin përmes Kalabrisë shoqëruar me fishkëllimën e trenit. Të përshkon ndërgjegjen ironia e Uliksit modern, dhënë aq mjeshtërisht nga Xhojsi; njeriu modern është vazhdimisht në udhëtim në kërkim të Itakës së vet...

Me mbresat e filmit në kokë si një lajmotiv  i kohës sonë, në mbrëmje vonë  përfshihemi në një darkë të gëzueshme kalabreze. Ka shumë hare e gëzim; ndoshta dasëm, festë familjare apo miqësh.?! Një përzierje e kulturës arbëreshe me atë italiane, një kolorit i bukur në sfondin e jetës moderne.

Takimi me Anton Bellushin jo vetëm të jep emocione të forta e të pashlyeshme, por është një dritare e madhe për të njohur botën arbëreshe në Kalabri e më gjerë. Në një mbasdite mes seancave me inisiativën e pedagogut vlonjat Bardhosh Gaçe vendosëm të bënim një vizitë në shtëpinë e tij. Mamica, kushërira e Bardhoshit, e cila prej shumë vitesh jeton në Kalabri, shumë e lidhur me vendlindjen, por edhe me kulturën arbëreshe, ndjek me vëmendje veprimtaritë dhe ditët e konferencës.

E gatshme dhe e papërtuar me makinën e saj na ndihmoi për të bërë udhëtimin e gjatë përmes autostradës që lidh Reggio Calabria me Salernon për në qytezën Frashnitë, rreth 80 km larg Kozencës, ku banon Anton Bellushi, ky albanolog e gazetar i palodhur që jeton së bashku të motrën, Rinën. Janë të dy në moshë të thyer e për këtë kanë marrë si kujdestare vajzën nga Laci, Elsinën që shërben në shtëpinë e tyre. Ajo me shaka thotë se nuk po mëson dot mirë italisht, pasi aty flitet gjithmonë shqip, është një oaz i kulturës e gjuhës shqipe. Ka rreth dy vjet në këtë shtëpi, e njeh çdo skut të saj. E heshtur, e urtë dhe e sjellshme është gjithnjë e gatshme në shërbim të këtyre njerëzve të moshuar, të lidhur përjetësisht me kulturën arbëreshe, që presin përditë vizitorë nga bota shqiptare.

Nëpërmjet dritares mbrapa shtëpisë duken kreshtat e një mali të lartë e të ashpër . -Ja - thotë Belushi - këtu mbaron Kalabria e fillon Basilikata…. Ai njeh çdo hollësi të botës e kulturës arbëreshe e asaj arvanitase. Çdo njeri që hyn në shtëpinë e tij që që i ngjan sa një labirinti muzeal aq edhe një biblioteke të ngjeshur me botime pafund, përshëndetet me këngë e me ngritjen e flamurit që ndodhet mbi ballkonin e shtëpisë. Përkrah flamurit shqiptar valëvitet edhe ai i Kosovës.

Për Belushin kombi është një, i pa ndarë e mbi gjithçka. Biblioteka e tij është fryt i një përkushtimi të rrallë, një thesar i ndërtuar me pasion në shumë vite e dekada. Durimi për të mbledhur çdo ditë, si bleta nektarin, ka sjellë këtë pasuri të vyer. Në shtëpinë e tij thuajse nuk mungon asgjë që është botuar për fushën e albanologjisë në botën shqiptaro-arbëreshe në të gjitha trevat shqipfolëse e më gjerë; gazeta, revista, almanakë, periodikë, monografi, etj.

Megjithatë ai nuk e kursen shqetësimin për mungesat dhe indiferentizmin në dërgimin e disa koleksioneve të enteve botuese nga Shqipëria me të cilat ka patur bashkëpunime të hershme. Sipas zakonit tashmë të njohur të tij ashtu siç na  priti edhe na përcolli me një këngë për Skënderbeun: « ..Skënderbeu që me natë, seç e mlodhi kumpanjinë...»

 Sapo largohesh nga shtëpia e tij që i ngjan një oazi kulturor të botës shqiptaro – arbëreshe, ndien një emocion prekës në shpirt, një kënaqësi e respekt të veçantë për atë që bëjnë njerëz të tillë për ta ruajtur gjuhën e kulturën e të parëve të tyre me kaq përkushtim. Jehonat e kësaj bote janë ende të gjalla falë shpirtit të paepur të këtyre njerëzve.

Por, ndërsa largohesh, ndjen gjithashtu keqardhje që regëtimat e fundit të zërave arbëreshë po vijnë duke u shuar. Kthimi nga Kalabria, (përsëri i njëjti ritual nga Lamezia Terme në Romë e më pas në  Tiranë), është një kthim i mbushur plot emocione. Kështu  ndodh pas çdo kthimi prej andej; merr me vete mbresa e kujtime të paharruara dhe mirënjohjen e thellë për këta njerëz kaq shumë të lidhur me shpirtin e stërgjyshërve, me gjuhën, zakonet dhe traditat e tyre, edhe pse epoka e globalizmit me fuqinë e saj gërryese po e bënë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat