Anembanë shqiptarisë
U rrit gëzimi u bë mal,
Me të mirat varg e vi
Në sistemin tonë plural.
Për t’i dalë vendit “Zot”
S’mbeti kush në periferi,
Nga Presheva në Prevezë
Pa u "ngul" nëpër parti!
Me të gjitha "vlerat" sot
I ra hise çdo shqiptari,
Pa menduar me nxitim
Të radhitet diku i pari!
Me tamam sikur atëbotë
Kur “partia” pa të keqe,
Duke ecur me premtime
Sall ëndërronte privilegje!
Ndaj dhe sot sikur dje
Pa dallime e ndryshime...
Ç'ka kujtoni këto partitë:
Nëpër vezë kërkojnë qime?!
Jo të dashur, miq t'satirës
Këtë mesele e di çdokush,
Kjo i bie si të themi...
Me hip n' kumbull me lyp rrush!
Mes partive ka një rregull,
Kush të ngele në opozitë,
Mos t'i hipe pelës prapë
Se nuk ngjitet në pozitë!
Në bashkësi me shumë parti
Merren krundet shpesh për miell,
Siç e thotë një fjalë e urtë:
- Lavdi n’qiell e bytha n’diell!