Metaforat bastarde e mashtruese në romanin “e mashtruara” i Hasan Hasanit

Kultura

Metaforat bastarde e mashtruese në romanin “e mashtruara” i Hasan Hasanit

Nga: Mr. Skënder R. Hoxha Më: 23 janar 2020 Në ora: 14:37
Mr. Skënder R. Hoxha

Romani – ditar “E mashtruara” i Hasan Hasanit paraqet një autobiografi nga një pjesë e jetës së Rinës – kryepersonazhe e romanit. Letra të cilën ia kishte lënë Vëllai, Goni, në derë të banesës, për ta lëshuar atë, bëhet oguri i keq i të gjithë asaj që do t’i ndodhi Rinës gjatë afro tri vjetësh!  Për këtë ajo thotë më vete, shpreh parandjenjën: “Mos vallë, pikërisht sot, do të vuloset fati im ogurzi?” (f.13.). Në atë gjendje të ngarkuar emocionale ajo e kujton vëllain kur kishte qenë fëmijë i vogël, si ishte përkujdesur për të, e ai tash po e përzë nga banesa!...

Takimi i rastësishëm me një njeri i cili dukej që kishte shkelur në të gjashtëdhjetat e moshës, i propozoi që të shkonin tek një kushëri i tij i cili kishte një banesë të vogël, Rinës që po rrinte ulur në një karrige në Shesh. Kurse fabula që i kishte përgatitur Lushi zë fill pikërisht që nga takimi i parë i asaj nate, kur atë e dërgon në shtëpi të kushëririt të tij, Bajramit.

Pas pak ditësh, ai kushëriri i Bajramit, Lushi, kishte thirrur në celular të Besës. Besa, gruaja e kushëririt tek i cili e çoi ai njeriu i gjatë, të banonte Rina. Ai pyet për Rinën dhe Besa ia kalon celularin Rinës, ku gjatë bisedës  e lënë të pinë kafe në kopshtin e “Grandit”. Gjatë bisedës ky i tregon se jeton në Majami Biç, në Amerikë. I propozon Rinës që unë të të thërras ty Keti e ti mua Majk (sipas emrave të disa artistëve). Po ashtu, i tregon për gruan që e kishte në gjendje kome që tri vjet. Fëmijët e rritur, secili me familje të vet. Nga këtu shkojnë bashkë edhe në darkë në “Toskana”.

Metaforat bastarde e mashtruese në romanin “E mashtruara”

Një ditë tjetër shkojnë në Gërmi, në Vila Gërmia (f. 45), ku gjatë shëtitjes në Gërmi, Majku ia shpreh dashurinë (f. 49). Majku, kohë pas kohe, i kishte blerë inventar për dhomën, orën e dorës, celularin, etj.. Ndërsa, sot në Gërmi u zbulua qëllimi pse ai i kishte blerë të gjitha këto dhurata për të.

Majku shkon në banesë të Rinës (Ketit). Ndodh edhe puthja aty në dhomën e vogël të saj.    Shkojnë edhe te Drini i Bardhë. Vazhdon fabula avantureske që i kishte përgatitur skizofreni Majku, i cili përsëriste ato gjeste dashurie (shpaloste ndjenjat e veta). Më në fund i thotë: “Keti, unë kam një dëshirë të madhe, që të martohem me ty, gjë që e priste edhe Keti...(f.79.), si dhe: “Ti do jesh gruaja ime në Prishtinë, ndërsa Roza në Amerikë (f.80). “Ajo, e di edhe ti mirë, është e vdekur, por që frymon. Për këtë ne duhet të presim. Kur them kështu, mendoj që ti, pasi të vdesë Roza, të bëhesh gruaja ime në Prishtinë dhe në Amerikë”, (Po aty). Ishin këto vetëm metafora bastarde e mashtruese. Kishin shëtitur bashkë nëpër shumë vende të Kosovës. Me fjalët dhe sjelljet e tij kishte pushtuar këtë vajzë ku mosha në mes tyre ishte dy dekada.

Bisedat e dy kryepersonazheve, që ndonjëherë marrin edhe trajta të rrëfimeve, me gjuhë narrative të ndryshme, shtresojnë syzheun e romanit, ku Majku ngjan edhe në personazhet groteske, ndërsa Keti bie nën nivelin e një profesoreshe nga dëshira që të zgjidhë çështjen e martesës së vonuar, e që mendësia e të dyve bashkë, ndërton mashtrimin e tradhtinë në roman.

Keti, herë pas here mendonte në fjalët e Majkut, në atë që edhe e lakmonte: “gruaja në komë, fëmijët të rritur e të martuar, pensioni i tri shteteve ku ka punuar dhe jetuar, banesa në qendër të kryeqytetit...” (f. 85), rrethana këto që e shtynin ta shqyrtojë seriozisht këtë punë, e që në realitet ishin vetëm metafora bastarde e mashtruese të një skizofreni.

Gjithashtu, këshillat e nënës shpesh i silleshin vërdallë nëpër kokë... Gjendja e Rozës, bashkëshortës së Majkut, që, “më shumë se tre vjet që ndodhej në komë”..., e bënte të gjente një fijë shprese! Ishte ky fati i një fëmije nga i cili kishin hequr dorë thuaja motrat dhe vëllezërit. Edhe në Majkun kishte filluar dyshimi. Pastaj mendimi “Pse ne që kishim emra të bukur shqip ta thërrisnim njëri-tjetrin me emra aktorësh amerikanë? Pse?, rriste dilemat dhe dyshimin e Rinës.

E kishte bindur kështu Majku që “me gjithë përgatitjen time intelektuale e ndjeja veten të paaftë për të dialoguar me Majkun, që e mbante veten lart” (f.98). Majku kishte shpeshtuar shkuarje ardhjet Majami – Prishtinë. “Sa kohë që qëndronte Majku në Prishtinë, ne jetonim bashkë...”, kujtonte ajo. Një natë Majku në banesën e tij me Rinën, kishte kaluar në një ekstazë të paparë dhe që të dy lakuriq. Ishte ajo natë me skena e kërkesa të çoroditura nga Majku.

Tensionet erotike dhe përmasat e zhgënjimit, deri në dramatikë, Rina si subjekt lirik, e lodhur nga koha që nuk i dha mundësinë të martohet, kishte marrë edhe pozicionin e inferioritetit në raport me rrethanat që ia kishte krijuar Majku.

Në këtë ditar të një femre përshkruhen përjetimet gjatë vizitave që u bëjnë disa vendeve të Malësisë së Gjakovës, Tropojë, Bajram Curri, Majat, kodrat, kufiri.. Të gjitha këto, edhe më tej na bindin se shkrimtari Hasan Hasani ka hyrë thellë në shpirtin, zemrën e mentalitetin e një vajze të shtyrë në moshë, në mentalitetin e saj karshi rrethit ku jeton, etj. (shih, f. 101). Në roman përshkruhen pushimet verore, shkuarja në det me Majkun (f.127, 128)., pa u lënë vend retiçencave.

Ndjenja e Rinës për të qenë nënë  

Në Prishtinë bashkëjetonin si burrë e grua. Kryepersonazhja, kishte dëshirë  për të qenë nënë: “Një fëmijë e ëndërroja ta lindja, ta lindja, ta fusja në gji, ta shtrëngoja në kraharor, t’i jepja gji, ta rrisja, ta edukoja, ta shkolloja (f.166 –167). Pastaj thirrja e tij: Nënë! Për të lindur fëmijë ishte bindur edhe Majku. Majku, për të vazhduar me ato skenat mashtruese të tij, shkruan mesazh nga Amerika se, gjoja, “... po presim që Roza të dorëzojë frymën e fundit”. (f. 173). Ndërkohë që Rina kujtonte përjetime nga e kaluara, familja, vajzëria, dëshira për jetë...etj.  

Mirëpo, kur Besa i thotë Rinës se kishte më shumë se një javë që Majku kishte ardhur me Rozën në Prishtinë dhe i tregon të vërtetën për Rozën, i kërkon falje pse nuk i ka treguar, por që kishte qenë e shtrënguar nga Bujari dhe nga Majku që ta ruajë këtë fshehtësi. Edhe kjo fshehtësi është pjesë e mashtrimit të madh. Pastaj i tregon se Majku ishte kthyer në Amerikë.

Avazi i vjetër i Majkut dhe letra e gjatë e Rozës

Edhe pse provonte, gjatë atyre ditëve, me celular, nuk bënte, nuk kishte qasje! Kjo mbeti në pritje të kthimit të Majkut... Një natë Rina e thërret shoqen e saj, Valbonën, të shkojë në banesën e saj. Valbona e pyeti për Majkun, çka thotë? Kjo i përgjigjet: Çka ka për të thënë? Avazi i vjetër. “Roza nuk po vdes.”

Se Lushi (Majku) ishte një rrenacak e avanturier i keq, ishte një mashtrues i pandreqshëm, dëshmon edhe Raza (Roza) në letrën e saj dërguar Rinës: “Po si t’ia fal gënjeshtrën ogurzezë, që vetëm mendja e tij e sëmurë ka mundur të thotë, se unë që tre vjet ndodhem në komë, shtrirë në shtratin e vdekjes (...) Ky është Lushi im e Majku yt moj profesoreshë e pafajshme. Kështu i pjell mendja e tij e sëmurë këtij bastardi”. (f. 223).

Në kafe “Toskana” kishte filluar historia e Rinës, e edhe sonte do të takoheshin me majkun, i cili i kishte telefonuar paradite dhe i kishte thënë: “Takohemi në mbrëmje në “Toskana” Ndër të tjera, në atë takim Majku i thotë Ketit se “E kam marrë vesh për letrën ... Ajo është e sëmurë. Të ka gënjyer krejt çka të ka shkruar...” Pasi Keti ia numëroi mashtrimet e tij, ai, prapë vazhdon të thotë se: Roza është me sëmunje të pashërueshme. Të betohem, të betohem... Ti je imja përgjithmonë... Ajo shumë shpejt do të vdesë.etj. etj. (f. 254, 255).

Edhe Keti i tha shumëçka. U çfry dhe u ngrit e doli nga “Toskana”. Një të premte shkon te prindërit dhe te motrat në Dukagjin, kthehet të dielen në mbrëmje. Hap kompjuterin ku sheh një letër të gjatë (f.219, 220). Ishte letra e Razës (Rozës), gruas së Lushit (Majkut), ku e përshkruan burrin e saj si “të sëmurë, skizofren dhe se marifetllëqe të tilla është në gjendje të bëjë sa herë që i shkon përdore”.

Fjalë të figurshme

Autori i romanit ka përdorur, si pjesë narrative, edhe shumë thënie popullore që shkojnë përshtati situatave: Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk ndalen; Çile guri gojën; Kush s’e dëgjon nënën e dëgjon njerkën; e shumë të tjera. Shprehjet e figurshme të profesoreshës, si dhe ato nga urtia popullore që i pamë më sipër, paraqesin thellësinë e përmasave të atij mashtimi.

Në romanin “E mashtruara” përballemi edhe me disa personazhe episodike, që në realitet, nuk mbajnë ndonjë përgjegjësi të madhe në këtë aventurë të Lushit (Majkut), si: Drita,zonja e shtëpisë ku kishte banuar më parë Rina me të vëllain, Gonin; Besa , zonja e shtëpisë ku banonte Rina (Keti), Valbona, shoqja e Rinës, ... 

Roza personazh pozitiv në roman  

Roza ishte në Prishtinë. I shkruan mesazh Ketit dhe e lënë të takohen në restorant “Simfonia”. Takimi me Rozën ndodhi. Asaj i tregoi për të gjitha që i interesonte për të.  Edhe kur bie të fle atë natë, i kujtoheshin të gjitha ato biseda me Rozën. Për të gjitha ato që ia kishte thënë për Majkun.

Kujtonte të kaluarën, sjelljet e Majkut, ardhjet e tij të rralla në Prishtinë, po edhe të Rozës e cila vinte pa asnjë të ligë në trup. Kujtonte në retrospektivë kohën me Majkun... dhe i përgjigjej vetes se “tash po e paguante haraçin e kësaj dashurie.” (f. 280, 281). Por, edhe pendimi i Rinës pse kishte shpërfillur këshilat e atij mikut largpamës. Ai ia kishte tërhequr vërejtjen edhe me: “Rina, ky njeri nuk është për ty. Nuk e meriton të të ketë ty.” Ai miku vuante bashkë me të në atë “hapërim jete të ndyer”. Ajo ndihej keq. Iu kishte mërzitur jeta. Kërkonte vdekjen (f. 301).

Më në fund dëshpërimi e zhgënjimi, si ndijime artistike, qartësojnë kompozicionin e pendesës së pazgjidhje. Ndalet e mendon të gjitha ato ngjarje që u rrokullisën aq shpejt. Rina i përgjigjet vetes se për të gjitha ato që i kishin ndodhur me Majkun, fajtore ishte vetë. Të gjitha këto spikaten nëpër monologjet e Rinës, të cilat janë të shpeshta në roman.

Situata të tensionuara në romanin “E mashtruara”

ë në fund, pas të gjitha atyre gënjeshtrave, vendos të takohet me Majkun, në Toskana, ku takoheshin më parë. “Dhe doli. E gjeta aty në atë vend me një gotë birre përpara. Kamarieri solli edhe pijen time. E dinte çka pi.” 

Rina zbrazet me një breshëri fjalësh. Ia numëron tradhtinë, gënjeshtrat, mashtrimet... Pastaj e merr fjalën edhe Majku, duke u munduar të shfajsohej, me gjuhën e tij idiotike, të një  mashtruesi të rryer.

Kryepersonazhi, Rina, në evokime të së kaluarës, në kujtime të fragmenteve të jetës, bënte vijëzimin imagjinativ të mendimit për jetën e saj të pafat. Ajo, gjatë gjithë kohës mban mbi supe barrën e edukatores, të të mashtruarës e të të tradhtuarës, të asaj që asnjëherë s’i harronte prindërit dhe se i kujtoheshin këshillat e tyre, sidomos të nënës, si dhe të të penduarës së vonuar... Ajo, herë pas here shpaloste tërë sakrificën e saj në kërkim të realizimit të një rehatie shpirtërore e jetësore, por, që fatkeqësisht, kishte gërmuar në një rrugë të gabuar që përfundon e mashtruar keq! Përifrazimet e tilla tëRinës, shpërfaqen herë pas here në Roman. Të përmendim këtu bisedat me shoqen e saj, Valbonën, që më tepër ishin si ngushëllim e përpjekje për riparim të asaj që i ndodhi gjatë më tepër se dy vjetësh rrugës së gabuar! 

 Prandaj, e vërteta artistike në roman, përveç kulturës, psikologjisë, veprimeve të personazheve kryesore: mashtrimi, dinakëria, sinqeriteti ndaj statusit real (Rina) dhe lakmisë për të qenë grua e një “gjentllemeni” të pasur siç ishte Majku, alias Lushi, tensionohet me gradacionin e shëmtisë së turpit. Nga e gjithë ajo që i ndodhi Rinës, nuk pritej ndonjë fund i lumtur, ndaj edhe shkrimtari Hasani nuk na befason me ndonjë përfundim tjetërfare të romanit, përpos që në romanin “E mashtruara” faktohet kjo njollë e keqe e këtij fenomeni të shëmtuar të kohës sonë që ka shtrirje në mjedise të mentaliteteve tona të ndryshme. Ky roman, me skemat ekstreme që janë rishfaqje e tragjikomikes, do të mbesë edhe si referencë pozitive për femrat që të shtojnë kujdes! Prandaj, dhuntitë e H. Hasanit në këtë roman janë edhe modeste, por janë edhe si prurje specifike e të veçanta për këtë zhanër në letërsinë shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat