Poeti Shaban Pllana-zë kumbues i poezisë shqipe

Kultura

Poeti Shaban Pllana-zë kumbues i poezisë shqipe

Nga: Zymer Mehani Më: 30 janar 2020 Në ora: 20:58
Vellimet

Poeti i talentuar Shaban Pllana nga Besiana tanimë është i njohur me krijimet e tij letrare nga lexuesit anekënd trevave shqiptare. Ai në radhë të parë është poet, por edhe studiues i letërsisë popullore dhe mbledhës i folklorit tonë, sidomos nga treva e Llapit. Z. Pllana sapo nxori nga shtypi katër vëllimet e tij poetike:“Ekuacioni i dashurisë”, “Telat e pikëllimit”, “ Rrugëtim ëndrrash” dhe “Rrjedhë lumi”. Ky autor me penën e tij, gjithnjë është në shërbim të lexuesit, duke e përmbushur dhe kryer obligimin e tij si krijues potencial, ngase vargëzon për njeriun, për rrethin shoqëror, popullin e atdheun; për problemet e ndryshme jetësore,të cilat i ka shikuar nga shumë aspekte. Me hapa të sigurt ky poet po e sendërton edhe programin e vet poetik, duke e pasuruar letërsinë tonë shqipe me krijime dhe realizime të reja. Sidoqoftë, poezitë e vëllimit “Nën hije lisash rigon këngë zogjsh“, por edhe këto katër vëllimet e sapodala nga shtypi na bindin se poeti Shaban Pllana ka prirje për kultivimin e poezisë refleksive, ngase di të meditojë për shumë çështje, për shumë gjëra, duke nxjerrë përfundime përkitazi me to.

Shaban Pllana u lind në fshatin Halabak të komunës së Besinës (Podujevës), më   01 nëntor 1949, në një familje të ardhur në këtë fshat nga Pllana e Madhe afër Prokuplës.

Katër klasat e para të shkollës fillore i mbaroi në fshatin e lindjes, në Halabak, kurse klasat e tjera të fillores i mbaroi në Lluzhan. Më pas mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë. Menjëherë pas kryerjes së Normales filloi të punojë  si mësimdhënës në vendlindje dhe njëkohësisht, pa shkëputje nga puna, mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik – Dega:  Gjuhë Shqipe e Letërsi.

Është mbledhës i pasionuar  krijimtarisë popullore të krahinës së Llapit. Gjer më tani nga kjo lëmi ka botuar katër libra:

1.Këngë  popullore të Llapit (1998);

2.Lojëra popullore të Llapit (2002);

3.Anekdota popullore të Llapit ( 2004);

4.Fjalë të urta popullore të Llapit ( 2007);

 

Ka botuar veprën me poezi :

5.„ Tercina” (2009);

6.Monografinë e shkollës Normale të Prishtinës- gjenerata e maturantëve të vitit 1971”. si bashkautor  me Hamdi Thaçin nga Llapushniku i Drenicës, Prishtinë,                                                              (2011);

7.„Monografi Familja Pllana  Halabak”( 2011);

8.“Buzëqeshja e shkronjave” (  2013);

9.“333 Tercina (Poezi trevargëshe) ,( 2016);

10. “Në krahët e ëndrrës”, poezi (2017);

11.”Te guri i lumit “, poezi, ( 2017)

12.“Nën hije lisash, rigon këngë zogjsh” poezi ( 2018);

13. “Rrugët e thyera”, poezi ( 2019);

14. Ka përgatitur për botim dhe ka botuar një libër për poetin e ndjerë Milazmi Kadriu; Poetët për poetin:”Libër homazh për portin Milazim Kadriu” ( 2019).

Në dorëshkrim ka edhe pesë përmbledhje me poezi, të cilat presin botimin.

Autori është anëtar i  Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Tash, Shabani, si i pensionuar, pas më se 43 vjetësh pune në arsim, jeton në Besianë me familjen e tij të ngushtë.

 

 

Atdhedashuria, malli për të kaluarën dhe dashuria intime janë motivet dominante në poezinë e poetit, Shaban Pllana.

Me vëllimet e tij poetike poeti Shaban Pllana lexuesve u ka dhuruar vargje margaritare, me të cilat poezinë tonë shqipe e nderoi dhe e lartësoi gjer në horizontet e qiellit poetik kombëtar. Kështu, ky krijues i talentuar është duke e kryer misionin e tij prej poeti, të cilin po e bën me përkushtim.

Meqë krijuesi letrar dhe të gjithë artistët e tjerë, sikurse edhe poeti Shaban Pllana, në një mënyrë ose tjetër, janë të lindur në një rreth apo ambient të caktuar, doemos aty edhe i kërkojnë dhe i gjejnë temat dhe motivet e veprave të tyre artistike. Si rrjedhojë e kësaj, ata duke shkruar për ambientin dhe rrethin shoqëror, për njerëzit e tij, pa dyshim se e studiojnë edhe mentalitetin e tyre, bashkë me psikologjinë e tyre dhe krahas veçimit të elementeve tipike e karakteristike për rrethin e njerëzit, përpiqen t’i hetojnë dhe zbulojnë edhe karakteristikat e përgjithshme shoqërore.

Shaban Pllana, pothuajase me tërë krijimtarinë e tij letrare dhe poetike asnjëherë s’u shkëput nga ambienti i vet, (nga Llapi ilirik dhe Kosova dardane). Por ai ka trajtuar motive që s’janë të lidhura me ambientin e nuk janë as tipike për rrethin, në të cilin jeton, ku janë përjetuar frymëzimet e tij për të krijuar vargje për viset e atdheut (Shqipërisë), si në poezitë: “Lulja e Korçës”, kushtuar Shkollës së Parë Shqipe të Korçës, “Rrezja e diturisë (kushtuar Normales së Elbasanit), pastaj “Baladë për Shkodrën” (kushtuar Kalasë së Rozafës), “Adriatik, o deti Jon(ë)”dhe “Dashuria për Tiranën”. Në të gjithë këtë cikël, në çdo poezi dhe varg të tij, poeti Pllana shpërfaq mallin të përzier me dashuri për këto vise të atdheut, që prej fëmijërisë, gjatë kohës së rinisë e deri në moshë të pjekurisë, poetin do ta djegë porsi eshkë “plot pesëdhjetë e pesë vjet-shekuj”, siç shprehet në një poezi të tij.

Ky poet me fjalorin, simbolikën, metaforat dhe shprehjet tjera figurative, tipike për stilin e veçantë të tij, na ndihmon dukshëm për ta zbërthyer poezinë e tij më mirë, kur ta studiojmë njëherit edhe burimin e frymëzimit të tij. Vetë titujt e poezive të tij, qofshin edhe me kuptimin e tyre parësor apo edhe me atë simbolik e metaforik e orientojnë vëmendjen tonë në një ambient karakteristik, ku përdoret dendur fjalori, me të cilin edhe vetë poeti i jetëson vargjet e veta.

Poeti Shaban Pllana, tanimë me një përvojë relativisht të gjatë të krijimtarisë së tij letrare është shumë i bindur për misionin e lartë dhe rolin shoqëror si krijues dhe poet. Këtij nuk i intereson vetëm e kaluara, por edhe e tanishmja, bashkë me të ardhmen, e duke qenë kështu, me poezitë e tij jo vetëm që ka shënuar ngjarjet nëpër stuhitë e historisë dhe shtrëngatat e njëpasnjëshme, por edhe e ka shprehur botëkuptimin e tij të mirëfilltë për problemet e jetës, prandaj edhe poezia e tij është bërë udhërrëfyese dhe ushqim shpirtëror për shumë lexues. Prandaj, në krijimtarinë poetike të poetit Pllana hasim tërë atë që është njerëzore, fisnike, stoike, morale, kombëtare.

Poeti, Shaban Pllana me kujtimin për përjetimet e veta, me mallin për kohën e kaluar të fëmijërisë, poezive të tij u jep edhe konotacion autobiografik (cikli “Në cep të kujtimeve”). Janë tejet të bukura poezitë “ Më djeg malli”, “Kujtimet e varura”, “Fëmijëria ime e plakur”, “I brej kujtimet”, “E harruam lojën” etj., që secila është më e mirë se tjetra.

Motivin e dashurisë intime, të përzier me mall, poeti Shaban Pllana do ta trajtojë bukur në pezitë për Emiredn’-in, në ciklin “Syri i kaltër”. Vetë emërtimi i ciklit na zbulon se këtu motivet janë të përziera: atdhe-dashuri-mall. Janë tejet të thurura bukur poezitë “Buzëqeshjet në gotë”, që lirisht mund ta quajmë poezi antologjike, pastaj ”Ëndrrat në krahë dallëndysheje”, “Kur të kam ty”, “Të bëj be në çka të duash” e ndonjë tjetër.

Poezitë e tij, poeti Shaban Pllana i ngrit në një nivel edhe më të lartë, duke i përgjithësuar për tërë gjeneratën, së cilës edhe vetë i takon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat