Poezi, lot e kujtime për Ali Podrimen, miqtë e tij shpalosën kujtimet - Bota Sot
Poezi, lot e kujtime për Ali Podrimen, miqtë e tij shpalosën kujtimet

Kultura

Poezi, lot e kujtime për Ali Podrimen, miqtë e tij shpalosën kujtimet

Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 21:12

Pikërisht sot kur festohet përvjetori i daljes së numrit të parë të ‘Rilindjes’, u kujtua edhe një prej redaktorëve më të njohur të gazetës. Ali Podrimja do të punonte si redaktor i poezisë, i prozës, i fjalës, redaktor i kulturës pranë të përditshmes ‘Rilindja’, krahas një bagazhi letrar të cilin e ndërtoi me punë dhe me inspirim.

Sot në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në kryeqytet, PEN Qendra e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus – gazetën e parë shqiptare online me fokus të vetëm në art dhe kulturë, u mbajt një takim për të kujtuar krijimtarinë dhe punën e Ali Podrimjes.

Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Binak Kelmendi dhe Adil Olluri ishin panelistët që sollën emocione prej momenteve të tyre me Ali Podrimen, kryepoetin e poezisë shqipe dhe ndoshta poetin më emblematik shqiptar që rroki temat më të thella shqiptare me anë të penës së tij.

Berisha lexoi një punim me titull ‘Poezia Lum Lumi, i biri dhe baba’ duke u orvatur sidomos nëpër përmbledhjen ‘Lum Lumi’, përmbledhjen më të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit Ali Podrimja, e që lidhet me mizorinë më të madhe që i ndodhi në jetë autorit, vdekja e Lumit – një prej fëmijëve të tij dhe Fitores.

“Këtu flitet për një djalë vocërrak të sëmurë për vdekje, që nuk flet por ende shpreson, dhe për një poet që nuk e pranon përfundimin. Sikur ballafaqohen i pafuqishmi me të pafuqishmin, në një mënyrë për të bashkëjetuar në një udhëkryq dramatik. Poezia ‘Lum Lumi’ kishte lindur nga besimi i guximshëm dhe mospërfillja e të pamundshme, sepse kërkohet pakusht vazhdimi i një jete” tregoi Berisha. Kumtesa që numëronte faqe e dërgoi audiencën nëpër një katrahurë emocionet e dhimbjesh që Podrimja i përjetoi si njeri e poet e burrë në kohën sa pati këtë dramë familjare në tablonë e jetës së tij.

“Poeti gjendet në një dhomë spitali, me grimcat e jodit përreth, ndërsa njëjtë edhe mendimet duhet dezinfektuar që në fund të mos mbetet në dhomë asnjë mendim që do ta shqetësonte Lumin” vazhdoi Berisha.

Sali Bashota tha se nuk e ka njohur asnjëherë një tjetër njeri që gjatë tërë ditës ka qenë poet, qysh prej zgjimit e deri në agim, me fëmijët e tij, me Fitoren – bashkëshorten, me nxënësit, me kalimtarët në rrugë, me kolegët. Ali Podrimja kishte qenë oqeani i pafund prej poeti.

Bashota madje edhe u emocionua disa herë derisa po lexonte kujtimet e tij me Ali Podrimen. Njëri kujtim ishte vajza e Bashotës, së cilës emrin ia kishte vënë Podrimja. Kur vajza më vonë e pyeti Bashotën se pse nuk po takohej më me Ali Podrimen, ai do të duhej ta gjente një mënyrë t’i tregonte vajzës se poeti kishte vdekur, kishte shkuar në parajsë.

Për Bashotën, Ali Podrimja ishte mësues shpirtëror i një gjenerate shkrimtarësh e studiuesish në Kosovës, ishte ai që mësoi të tjerët si të shkruhej poezia.

“Sidomos te ‘Lum Lumi’ ai pati shpërthim poetik. Me anë të vargut të shkurtër eliptik, Podrimja e shpjegon gjenezën e dhembjes, vetmisë, gjenezën e melankolistë. Ai ishte mjeshtër, ndërsa sublimacionin e pati tek poezia për Lumin’ shtoi Bashota.

Disa poezi të Podrimjes u lexuan gjatë natës, sepse pa këto poezi do të ishte e vakët një mbrëmje kur kujtohet Ali Podrimja.

Audienca kujtoi poashtu momentet më të mira dhe shpesh qesharake me poetin.

Binak Kelmendi nga PEN Qendra kujtoi se në takimin e fundit me Ali Podrimen, para se ai të nisej për në Lodeve të Francës, ‘sikur ia pashë nurin e vdekjes në fytyrë’.

Adil Olluri dalloi se tek poezitë e Ali Podrimes mungon poezia e dashurisë, e cila edhe kur e pranishme gjithmonë ka pasur një ndërthurje me motive të tjera më të rënda.

Aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës, po organizohen me ç’rast në vazhdim do të prezantohet krijimtaria letrare e Teki Dervishit, me datë 13 shkurt në ora 18:00.

Projekti Promovimi i letërsisë shqipe, është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat